Abat Prend Doçi dhe kuvendet e Mirditës

Historia

Abat Prend Doçi dhe kuvendet e Mirditës

Nga: Gjon Marku Më: 3 shkurt 2017 Në ora: 19:44
Abat Prend Doçi

Prend Doçi ky personalitet i madh i kulturës dhe kombit shqiptar përveçse diplomat i shquar e politikan largpamës, nderohej edhe si poet dhe letrar. Poezinë dhe prozën e shkroi me një gjuhë të rrjedhshme dhe të përdorur mirë, duke i botuar në Kalendarin Vepra Pijore, të vitit 1916, dhe Kalendar për të gjithë. Abati burrështetas siç e cilëson shkrimtari dhe studiuesi Ndue Dedaj ishte mbi te gjitha një atdhetar i vërtetë dhe një dijetar i pa përsëritshëm.

I lindur më 7 shkurt të vitit 1846 në lagjen Paraspor në luginën e Bulgërit. Shkollën e nivelit të ulët ai e kryen në Kallmet ku ishte rezidenca Ipeshkëvnore e Lezhës. Në 2 gusht të vitit 1859 hyri në Seminarin Papënor të Shkodrës, ku qëndroi dhe studioi deri në vitin 1861 kur shkoi në kolegjin Urban të Romës. Në vitin 1871, kthehet në atdhe i caktuar si famullitar në Korthpulë. Në vitin 1872 ai bëhet Kapelan dhe sekretar i Abatit të Oroshit, Gaspër Krasniqi, deri në vitit 1875.

Një kontribut më vete, mjaftë të spikatur dhe të rëndësishëm ka ai në organizimin e disa prej kuvendeve që janë zhvilluar në Mirditë, si institucioni më i lartë vendimmarrës dhe vendosës, si ashti kryesor i vetëdijes, ndërgjegjes, identitetit kombëtar.

Kështu ai është promotori kryesor i organizimit të disa kuvendeve mes të cilëve: Kuvendit të Oroshit të vitit 1873, Kuvendit të 27 dhjetor 1876 në Shpal,  Kuvendit të Velës të dhjetorit të viti 1876, Kuvendit të Perlatit në Janar të vitit 1877. Kuvendit 18 shkurt 1877, të mblefdhur në Rubik, Kuvendit të Shkurtit të vitit 1902, Kuvendit të tetorit 1908, 1912 etj.

Më datën 10 janar 1873 guvernatori i përgjithshëm i vilajetit të Shkodrës, Shefqet Pasha u zëvendësua nga Mustaf Asim Pasha deri atëherë vali në Bosnjë.(1) Tre muaj më vonë, më 25 prill 1873 ky u zëvëndësua nga Ali Saib Pasha, gjeneral divizioni(2)

Ky i fundit po në vitin 1873 u zëvendësua nga Ahmet Asim Pasha i cili qëndroi në këtë post deri në qershor të vitit 1874, kur Porta e Lartë do të aplikojë formën e re të administrimit nga një guvernator, mytaserif i varur nga guvernatori i përgjithshëm i vilajetit të Manastirit. (3)

Osmanët për ta izoluar Mirditën nga krahinat e tjera, ritheksuan zbatimin e urdhëri të Divanit të madh të vitit 1864, sipas të cilit mirditasit ndaloheshin të qarkullonin nëpër krahinat e tjera pa qënë  të pajisur me leje të posaçme nga Valiu i Shkodrës(4) Ky urdhër i pengonte mirdiasit të bënin pazar në krahinat fqinje; Lezhë, Shkodër, Prizren, Gjakovë e Dibër, për të blerë misër, mungesën e të cilit e ndjenin shumë. Megjithatë turqit nuk mundën ta thyenin qëndresën e mirditasve. Ata rrokën armët dhe, duke kërkuar që trashëgimia të respekohej sipas zakonit nuk ju bindën kajmekamëve të emëruar nga Valiu i Shkodrës. Në këtë mënyrë mbrojtën autonominë  vetëqeverisëse (5)
Për të shuar qëndresën e kësaj krahine kryengritëse dhe të paepur, Porta e Lartë ndërmori masa të reja shtërnguese. Fillimisht ajo angazhoi disa ekspedita ushtarake kundër krahinave përreth Mirditës, të cilat kërkonin sipas shembullit të saj, shkëputjen prej sistemit tatimor dhe po rrëmbenin edhe ato armët. Kështu në vitin 1869 u ndërmor një ekspeditë kundër matjanëve, kurse në vitin 1871-1872 kundër Dibrës, Kosovës, Malësisë së Gjakovës e krahinave të Dukagjinit. Megjithë gjakderdhjen e pallogaritëshme që shkaktuan ata në popullsinë shqiptare të këtyre krahinave, turqit nuk mundën t’i nënshtronin plotësisht banorët e tyre. Në këtë mënyrë autoriteti i pushtuesve osman në malsitë shqiptare mbeti formal, ndërsa në Mirditë ata nuk njiheshin dhe nuk pranoheshin  fare.

Por pushtuesit otomanë nuk u mjaftuan me këto masa; ata ndërmorën një ekspeditë ushtarake dhe mbi Mirditë e cila nuk dha asnjë rezultat. Autoritetet turke të Shkodrës, me porosi të Stambollit, më 1873 vendosën t’i japin fund qëndresës së Mirditës, ta likujdonin imunitetin e saj e ta futnin edhe atë nën sundimin e tyre, për ta qeverisur si kazatë e tjera me kajmekam e nëpunës musliman, pasi për ta nënshtrimi i Mirditës do të thoshte, nënshtrim i të gjitha krahinave malore vetëqeverisëse shqiptare. Duke përfituar nga situata e krijuar në Mirditë, autoritetet turke thirrën në Shkodër për bisedime disa prej krerëve vendas dhe i burgosën. Por kjo jo vetëm që nuk e mpaku qëndresën e mirditorëve, por në të kundërtën i acaroi më keq ata. Me gjithë masat paraprake të marra prej turqve  për të shmangur ndeshjen e armatosur, populli kryengritës zuri të gjitha shtigjet e krahinës dhe nuk lejoi hyrjen e kajmekamëve dhe të ushtrisë turke në Mirditë (6)

Nga ana tjetër pushtetarët e Vilajetit të Shkodrës nëpërmjet D. Gegës. ish komandant i xhandarmërisë për Mirditën, kërcënuan popullin e kësaj krahine me një operacion ndëshkimor po të mos pranonin në postin e kajmekamit  Hajdar Agë Belegun.

Në vjeshtën e atij viti përplasja midis forcave pushtuese dhe mirditasve u acarua deri në përleshje të ashpra të armatosura. Autoritetet turke duke vazhduar politikën  sunduese të tyre ndaj Mirditës, u kërkuan familjeve mirditase që gjendeshin në Zadrimë të dhjetën dhe detyrimet e tjera; por mirditasit e zbritur  në zonat fushore, të pa mësuar me pagim taksash dhe në pamundësi për t’u vetëmbrojtur, kërkuan ndihmën e vëllezërve në Mirditë. Kështu në Mirditë u dha kushtrimi për të rrokur armët kundër dhunës që po bëhej mbi vëllezërit mirditas që banonin në Zadrimë. Mirditasit e armatosur u grumbulluan në Kreshtë dhe kështu nisi sërish lufta e ashpër.

Duke parë situatën e krijuar prej pushtuesve turq, si dhe shkeljen prej tyre të të gjitha parimeve vetëqeverisëse dhe cënimin e Mirditës, si dhe prerjen në besë që turqit  ju bënë krerëve vendas që i burgosën, Prend Doçi bëhet nismëtar i një lëvizje për  shpalljen e Pavarësisë së  Principatës së Mirditës.

Sipas Dom Ndoc Nikaj, Prend Doçi asokohe kishte mendimin që Mirdita duhej të bëhet një principatë e pavarur me një princ shqiptar, e cila do të ishte qelizë bazë  për një pavarësi  për të gjithë Shqipërinë(7) 

Prandaj ai filloi punën me krerët dhe me të parët e fiseve të Mirditës për organizimin e një Kuvendi  në Orosh.

Kështu më 14 tetor 1873, në Grykë të Oroshit, nën drejtimin  dhe kujdesin e Dom Nikoll Biankut dhe famullitarit të Blinishtit Anton Melgushit, pa prezencën e kapidan Gj. Dodës dhe kapidan Kol Prengës mblidhet kuvendi i burrave për të vendosur bashkarisht qëndrimin ndaj turqëve (8)

Në këtë kuvend u miratua një memorandum për autoritetet turke në Shkodër një kopje të të cilit ja dërguan dhe padishahut në Stamboll.
Kyvendi i Grykë Oroshit ishte një kuvend i përgjithshëm ku u vendos që:

Të respektonin dhe njihnin si deri më tash Kanunin e Maleve si formë e vetëqeverisjes.

T’iu kërkonin autoriteteve turke në Shkodër dhe Stamboll ndërprerjen e reprezaljeve dhe masave të tjera shtërnguese për mirditasit, që gjallonin me gjakun dhe djersën e tyre  brenda dhe jashtë kësaj krahine.

Të liroheshin sa më parë, krerët e burgosur mirditas që kishin vajtur për bisedime në Shkodër.

Të kthehej  menjëherë Preng Bib Doda në Mirdië si  kapidan i saj.

Të dërgohej një delegacion prej Mirdite në Cetinë për të kërkuar, armë, municione dhe ndihmën e tyre, në luftë kundër turqve.

T’iu kërkohej krahinave rreth Mirditës mbështetja ndaj saj për qëndresë të përbashkët antiosmane.

Prej këtij kuvendi u  bë një tubim në Naraç, prej nga ku iu dërgua një kërkesë jo vetëm autoriteteve turke në Shkodër por edhe autoriteteve të Portës së Lartë në  Stamboll dhe për konsullatat e huaja.

Po e japim të plotë formulimin e kësaj kërkese për autoritetet turke dhe dijen që u bëhet konsullatave europjane duke e marrë ashtu siç dhe është botuar në librin e Luigj Martinit “Abati i Mirditës Prend Doçi”

...” Juve që formoni mexhlisin e Shkodrës, përshëndetje nga populli i Mirditës dhe nga ana jonë kapidanët e tij. I thoni  dhe lutiuni  qeverisë së Shkodrës dhe asaj të Stambollit  në lidhje me çka në vazhdim ne po ju dërgojmë:

1.      Ne i drejtohemi ne radhë të parë sulltanit tonë që të na lërë të jetojmë në përshtatje me Kanunin tonë. Ne jemi tepër të varfër dhe duke ditur që ju nuk mund të dhuroni gjë, nuk është e nevojshme që të shpenzoni thesaret tuaja për ne .

2.      Të gjithë guvernatorët që u dërguan tek ne me titullin e Kajkmekamit,  kanë qënë dërguar kundër vullnetit dhe Kanunit tonë. Ne kërkojmë drejtësi nga padrejtësitë që pësojmë që prej shtatë javëve nga shkaku se po mbrojmë të drejtën tonë për të hyrë në qytet.

3.      Ne i lutemi zotit tonë në qiell dhe  sulltanit, të na dërgojë djalin e Bib Dodës e të na japin si përfaqësues të tij një anëtar të kësaj familje që të fillojë sundimin mbi ne sikur kemi shpresuar përherë.

4.      Në rast se do të dërgohet edhe ndonjë shkres, tjetër e pajisur edhe me vulë në emër të mirditorëve, ta dijë Porta e Lartë se ajo është përpiluar fshehtaz dhe pa vullnetin  e popullit.

5.      Në qoftë se qeveria dëshiron ta njohë vullnetin e popullit të Mirditës, duhet të na mbledhë në Spaç, një njeri për shtëpi dhe jo një numër të vogël, sikur ka ndodhur gjithmonë deri në ditën e sotme, sepse nuk është kjo mënyra  me të cilën  mund të zëvendësohet  populli i Mirditës.

Ne ju lutemi të lironi  të burgosurit dhe të na lini të lirë të vijnë në qytetet, se nuk mundemi më ta hamë bukën pa kripë.

Në rast se lutjet tona nuk do të dëgjohen  duhet t’u themi se kjo  ndodh vetëm se  ne jemi të krishterë.

 Për të na besuar se fjalët tona janë të vërteta, jemi ulur në Naraç për të paraqitur këtë kërkesë me duart tona.
Naraç, dhjetor 1873

Kapedanat , me popullin e Mirditës”

Të njejtat kërkesa iu dërguan dhe disa konsullatave të huaja mes të cilave dhe atyre të Austro-Hungarisë, Italisë  dhe Francës të akredituara në Shkodër (9)
Këtë lëvizje të Mirditës e bën me dije dhe gazeta zyrtare e Malit të Zi (10) e cila shkruan se : ... këta kryengritës i udhëheq një njeri i ditur që dallohet lehtë nga fakti  si si  iu shkruan konsujve të huaj në Shakodër. (11)

Por nga Porta e Lartë nuk u dha asnjë përgjigje. Kështu mirditasit më 5 dhjetor 1873 bllokuan rrugën Shkodër –Prizren. Dhe qëndrimi i prerë i Mirditës e detyroi  pas tre muajsh pashain e Shkodrës të ulej në bisedime me mirditasit. Kështu, guvernatori i Shkodrës premtoi në emër të Stambollit, largimin e Hajdar Agë Belegut dhe zëvendësimine tij me një mirditas i cili do të adminisrtronte krahinën sipas zakonit dhe Kanuni të Lekë Dukagjinit.

Guvernatori u mundua t’i përdorë të gjitha mënyrat e mundëshme për të shuar  këtë rebelim të Mirditës. Ai u përpoq të blejë ndonjë prej krerëve të Mirditës dhe të shuajë këtë vatër shumë të nxehtë në Shqipërinë e Veriut në një kohë që Mali i Zi dhe Serbia kishin shpërthyer në kryengritje antiturke.

Dhe duke e parë Mirditën si një rrezik të madh, turqit tërhoqën nga Mali i Zi  pesë batalione me nizamë nga korpusi i Podgoricës për të përforcuar garnizonin e Shkodrës që mund të sulmohej  nga çasti në çast prej mirditasve kryengritës.

Edhe dy vite më vonë pra në vitin 1875 kur  kishte shpërthyer kriza lindore e viteve 1875-1878, që shpërtheu si rezultat i kryengritjeve të popujve të Ballkanit nga Bullgaria e deri në Malin e Zi, kundër reformave të reja centralizuese, bëri që megjithë masat e rrepta shtërnguese që ndërmori Porta e Lartë kundër shqiptarëve, nuk mundi t’i fusë kurrë të gjitha krahinat nën administrimin e saj fiskal. Disa krahinave u detyrua t`iu njohë të drejtën e vetëqeverisjes, disa prej të cilave i shfrytëzoi, në formën e bashkëpunimit, për qëllimet e veta ushtarake. (12)

Mirdita dhe në këtë periudhë, e mbështetur në situatën e brendshme që zotëronte në vilajetet shqiptare, ku shumë krahina të Shqipërisë së Veriut ishin hedhur në kryengritje kundër pushtuesve turq, si dhe në situatën e jashtme, ku pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit (të Turqisë europjane, Rumelisë) ishin në kryengritje, ishte kthyer në kryefjalë të kryengritjeve për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Në këto rrethana duket qartë se vatra kryesore e lëvizjeve kryengritëse  në Shqipërinë e Veriut po bëhej Mirdita. (13)

Grupi i Shkodrës i ndiqte hap pas hapi zhvillimet e ngjarjeve në Mirditë, dhe ishte i interesuar që kjo lëvizje të vihej në krye të lëvizjes kombëtare shqiptare .(14)

Të frymëzuar e në përputhje me lëvizjet kombëtare të viteve 1860-1870, në Mirditë dhe në krahinat e tjetra shqiptare, shpërthejnë kryengritje të fuqishme. Prend Doçi në vitin 1876 zhvesh veladonin e klerikut e ngjesh gjerdanin e kryengritësit, ashtu si katërmbëdhjetë vjet më parë kishte bërë  ipeshkëvi Gaspër Krasniqi, duke u bërë njëri ndër udhëheqësit kryesorë, të kryengritjeve të Mirditës, në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.     

Mbështetur në këtë situatë të jashtme dhe të brendshme u aktivizua një grup patriotësh nga Shkodra me Zef Jubanin, Pjetër dhe Lorenc Gurakuqin si dhe kleriku nga Bulgri, Prend Doçi. Ata nxitën dhe përkrahën fuqishëm lëvizjen e Mirditës për t’i dhënë kësaj lëvizjeje karakter të përgjithshëm në Shqipërinë Veriore me synime të caktuara.(15). Qëllimi kryesor i grupit të Shkodrës ishte që të krijonin një principatë autonome hëpërhë në Shqipërinë Veriore, me qendër Mirditën rreth së cilës do të mblidheshin në një të ardhme jo të largët të gjitha krahinat e tjera shqiptare. (16)

Në këto rrethana autoritetet turke filluan të mendojnë seriozisht për gjendjen e krijuar në Mirditë. Porta e Lartë  kishte frikë nga bashkimi i lëvizjes së Mirditës  me ato të Malësisë së Madhe. (17)

Mirdita kishte forca të shumta luftarake për të cilat kishte nevojë lufta. Gjithashtu ajo kishte influencë të madhe në krahinat rreth saj dhe kjo i jepte mundësi kryengritjes të zgjerohej shpejt. Po ashtu mirditasit vazhdimisht kishin treguar aftësi mjaf të larta në luftë dhe praktikat për organizimin dhe  shpërthimin e kryengritjeve atje ishin më të qarta se kudo tjetër.

Lëvizja e Mirditës e shqetësonte Portën e Lartë si për potencialin e madh ushtarak të  saj, ashtu dhe për influencën që kishte ajo  në krahinat e tjera veriore, dhe ajo për të penguar përkohësisht shtrirjen e kësaj lëvizjeje, premtoi nëpërmjet Dervish Pashës, kthimin e Preng Bib Dodës nga Stambolli. (18)

Porta e Lartë duke e parë se zjarri i kryengritjeve që ishte ndezur në Mirditë sa vinte e po rritej, ktheu në gusht të vitit 1876 Preng Bib Dodën nga Stambolli. (19)
Grupi i Shkodrës e nxiti Preng Bib Dodën të hartonte planin e krijimit të principatës së Shqipërisë Veriore me qendër Mirditën  dhe të kërkonte përkrahjen e  Fuqive Europiane. (20)

Grupi i Shkodrës e ndiqte hap pas hapi zhvillimin e ngjarjeve në Mirditë nëpërmjet Lorenc Gurakuqit, që ishte caktuar tashmë sekretari personal i Preng Bib Dodës. Ata u munduan ta vënë këtë kryengritje në shërbim të kryengritjes  kombëtare shqiptare duke bashkuar trevën e Mirditës dhe të Malësisë së Madhe.
Këto kryengritje ndiqeshin me vemendje dhe nga Porta e Lartë. Në këtë situatë, populli i Mirditës për të vazhduar kryengritjen, për të qenë më i organizuar në luftë dhe për të siguruar përkrahjen e krahinave fqinje, organizoi më 27 dhjetor 1876 kuvendin me 3000 burra në Shpal të Mirditës. (21) Këtu u shpall botërisht kryengritja kundër turqve.
Në kuvend morën pjesë përveç përfaqësuesve të pesë bajrakëve të Mirditës dhe krerët e Kthellës, Malësisë së Lezhës, Dukagjini, dhe Malësia e Gjakovës me Ali Ibrën në krye. Në këtë kuvend u vendos që  kryengritja e Mirditës të shtrihej në të gjitha krahinat e Veriut të Shqipërisë. Të mos pranohej asnjë lloj kompromisi me autoritetet turke dhe të mos pranohej “pa dalë fare”, vendosja e kajmekamit turk në Mirditë.

Duke iu qëndruar besnikë lidhjeve me Malin e Zi që më 1862, u vendos të dërgohej një delegacion në atë vend për të kërkuar armë të tipit të ri dhe municione. Pasi u mbyllën me sukses punimet e kuvendit të Shpalit, pjesmarrësit e tij  u shpërndanë nëpër krahina për të ngritur popullin në luftë kundër turqve. Për miratimin e këtyre vendimeve u organizuan kuvende të vegjël nëpër bajrakë. Në fund të dhjetorit të atij viti një kuvend i till  u organizua në Velë, ndërsa në Janar të vitit 1877 në Perlat dhe në Pukë. Përfaqësuesit e kërtij kuvendi u shpërndanë edhe në Malësinë e Madhe, Shalë, Shosh e Shkrel ku u mirëpritën vendimet e miratuar në kuvendin e Shpalit. U krijuan kështu kushtet për shpërthimin e një kryengritje të përgjithëshme në Shqipërinë e Veriut.

Autoritetet turke në Shkodër, të shqetësuar nga lëvizja mbarë popullore në Mirditë, filluan të marrin masa shumë serioze duke e rrethuar Mirditën me forca të shumta nga të gjitha anët. E këtë situatë e paralajmëron për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës  konsulli francez në Shkodër nëpërmjet kësaj letre të tij.
 
Kalona Çekaldi, konsull i Francës në Shkodër- Dukës Dëkaz, ministër i Punëve të Jashtme i Francës, mbi përgatitjen ushtarake osmane  për të sulmuar Mirditën
                                                      Shkodër , 23 Janar 1877
Letër Nr 146
Zoti Dukë,
 Në telegramin tim të pardjeshëm njoftova Shkëlqesinë Tuaj mbi masat ushtarake  që tregojnë se Dervish Pasha  ka ndërmend  të sulmojë mirditasit.
Jam në dijeni se shumë nga kolegët e mi, veçanërisht ata të Rusisë dhe të Anglisë, sikundër edhe unë  i kanë njoftuar  ambasadat e tyre  në Stamboll  mbi këto perspektiva.
Nga ana e vet, Preng Doda e ndjen veten të kërcënuar; kohët e fundit  ai bleu në rrethin e Matit dhjetë mijë dyzinë fishekë që prodhon popullata e vendit. Veç kësaj, tri ditë më parë, kryetari i ri i Mirditës i dërgoi  një letër shumë të ngutëshme Princit Nikollë.
Nuk ia kam fshehur Departamentit që sjellja e Preng Dodës mund të kritikohej në disa pika, por njëkohësisht më është dashur të vë në dukje  pjesën e përgjegjësisë që mbante vetë Porta, në gjendjen e sotme për shkak të sjelljes së guvernatorëve dhe të krerëve të saj ushtarakë.Edhe sot, qëndrimi provokues, më shumë sesa rreptësisht mbrojtës i Dervish Pashës, mund të  bëhet shkak që të ndodhin  në këtë vend  ngatërresa për të ardhur keq.
Lajmet që qarkullojnë këtu lidhur me konferencat e Stambollit kanë prirje për të ndryshuar qëndrimin e popullatës turke (myslimane) e cila, deri më tashti, tregonte një lloj nënështrimi ndaj ngjarjeve të pashmangëshme... (22)
Me 3 shkurt 1877 konsulli anglez në Shkodër, Kirby Green njofton qeverinë vet se : “Kam ndije se për Shqipërinë turqit kanë me përdorë të njëjtat metoda që u përdorën për shuarjen e revoltës në Bullgari; mirëpo këtu populli është guximtar dhe plotësisht i zoti ta kthejë  goditjen kundër armikut”
Kalona Çekaldi, konsull i Francës në Shkodër - i shkruan Dukës Dëkaz, Ministër i Punëve të Jashtme i Francës, mbi zgjedhjet  e vilajetit të Shkodrës për në dhomën e deputetëve  dhe mbi vazhdimin e kryengritjes së Mirditës; mes të tjerash më 13 shkurt 1877 nga Shkodra shkruan:
“... Gjendja në Mirditë mbetet  ashtu siç ishte. Guvernatori i përgjithshëm dhe Dervish Pasha, ashtu siç i telegrafova dje Departamentit: e gënjejnë qeverinë e tyre, duke u thënë se mirditasit e kanë braktisur Preng Dodën dhe se janë nënështruar. Rruga e Prizrenit është gjithmon e zënë prej tyre dhe ata ndërpresin  komunikacionet e garnizonit  të Pukës me Shkodrën. (23)
Për të zbatuar vendimet e këtij kuvendi dhe kuvendit të Velës të mbajtur  në Janar të vitit 1877 me 18 shkurt 1877, Prend Doçi mblodhi në kishën e Rubikut 600 burra të Malësis së Lezhës, ku vendosën të rrokin armët për të mos lejuar  marshimin e turqve drejt Mirditës.
Edhe bajrakët e Ohrit mblidhen në Perlat në përkrahje të venimeve të kuvendit të Shpalit.
Dervish Pasha, mareshall i korparmatës së 3-të, kryekomandant i divizionit të Shkodrës nga ana e tij i dërgon Preng Bib Dodës me 24 shkurt 1877 një ultimatum në mes të të cilit shkruhet:
“ Mora letrën tuaj të datës 20 të këtij muaji me anë të të cilës kërkoni  përkrahjen time. Kjo letër shoqërohej me një tjetër nga ana e krerëve dhe bajraktarëve të Mirditës, në të cilën  ata kërkojnë lirimin  nga burgu të Mark Gjon Nocit.
Këtu bashkëngjitur do të gjeni përgjigjen që po dërgojnmë për letrën e lartëpërmendur, në të cilën i porosis që të heqini dorë nga qëndrimi provokues  në të cilin janë vën karshi qeveris perendorake, karshi favoreve të saj dhe karshi vetë atdhetarëve të tyre duke u bërë vegla të intrigave dhe qëllimeve të këqia;  dhe vetëm në këto kushte do të bëja gjithçka që varet nga unë për lirimin e të burgosurit. Po ju ngarkoj  që të veproni edhe ju  vetë në këtë drejtim ....
Është pra për të fundit herë që po ju jap këtë këshil atërore, duke ju ngarkuar  në të njejtën kohë që të hapni rrugën Shkodër –Prizren.....
...Pas gjithë këtyre këshillave që po ju dërgojmë, në qoftë se ngulni këmbë në mënyrën tuaj të veprimit, e gjithë përgjegjësia për gjakun që do të derdhet, si dhe për pasuritë që do të shkatërrohen, do të bjerë plotësisht mbi ju ....(24)
I këshilluar nga Prend Doç, Preng Bib Doda nuk iu bind gjeneralit turk dhe menjëherë i nisur nga këto kondita thirri një tjetër kuvend popullor në Shpal më 17 mars të vitit 1877. Në këtë kuvend  morën pjes, përfaqësuae nga të gjithë krahinat e Shqipërisë së Veriut.
Në kuvend fillimisht u pleqërua situata dhe më pastaj u vendos:
-          Të vazhdohej kryengritja e armatosur kundër perandorisë por të mos merreshin veprime mësymëse, por të qëndrohej në pozicione mbrojtëse.
-          Të ngulmohet përsëri në bashkërendimin e veprimeve me Malin e Zi.
-          Kuvendi dënoi sipas zakonit të vendit Dod Gegën, Ndoc Ndrecën  dhe Nikoll Bajraktarin si tradhëtarë dhe bashkëpunëtorë në shërbim të osmanëve. (25)
Lordi Llajons, ambasador i Anglisë në Paris- Dukës Dëkaz, ministër i Punëve të Jashtme i Francës mbi përçapjet e diplomacis angleze për të sjellë pajtim midis kryengritësve mirditas dhe pushtuesve osman.
                                          Paris,27 shkurt 1877
Duka im i dashur
Lordi Derbi më ngarkoi t’ju njoftoj  thelbin e informatave  që i kanë ardhë  nga Z. Kirby Green, konsull i M.S. Britanike  në Shkodër dhe t’ju shpreh njëkohësisht shpresën që do të keni mirësinë të ftoni  konsullin e Francës në Shkodër,  për të bashkuar  përpjekjet e tij  më ato të kolegut të tij të Anglis,  në drejtim të pajtimit.
Ja, në disa rreshta, përmbledhja e raportit të zotit Green, e datës 25 shkurt:
 Një korpus turk prej katërmijë e gjashtëqind burrash është grumbulluar në kufijtë e Mirditës... (26)
 Prej këtij kuvendi do të nisej Prend Doçi për në Cetinë. Ai kishte me vete një letër të Preng Bib Dodës për Princin Nikollë, në të cilën ndër të tjera shkruhej :
“...Kam besim se lartësia juej do të gjejë në Prend Doçin gjithë cilësitë e larta për të bërë sa më të qëndrueshme që të jetë e mundur besëlidhjen e vëllazërimin tonë...”   (27).
Ipeshkëvi i Lezhës, ukrainasi F. Malcinskij më 29 mars 1877 i shkruan arqipeshkëvit të Tivarit, Karl Poten: “Të  krishterët e dioqezit tim, të nxitur nga urrejtja janë në luftë. Përpara se të shterojnë të gjithë mjetet e mundshme për të paqësuar popullsinë nuk mund të largohem nga dioqezi, sepse duhet të mbaj letërkëmbim me qeverinë turke, e cila ka dërguar një komision hetimesh në Lezhë. Prend Doçi, pas aq qortimesh nuk pranoi kushtet e kërkuara  të pajtimit  me zotin dhe kishën  e shenjtë, nxiti rebelimin në famulli. Sillet nëpër male me “trimat” e tij  për të ngritur popullin nën flamurin e vet”. (28)
Preng Bib Doda kaloi në krahinën e Kthellës pasi donte të krijonte Unitetin dhe mbështetjen e krahinës.
Përfaqësues të këtij kuvendi u shpërndanë në Malësinë e Madhe, Shalë, Shosh e Shkrel për të iniciuar kryengritjen e përgjithshme në të gjithë Veriun e Shqipërisë.
Porta e Lartë filloi të marrë masa të menjëhershme kundër Mirditës dhe për këtë  i mbyllën pazaret e Shkodrës, Lezhës, Prizrenit e Gjakovës për mirditasit. Ndaluan kalimin e tyre me trapet mbi lumenjtë Drin e Mat. Të gjitha këto i favorizoi edhe vendosja e një armëpushimi midis Turqisë dhe Malit të Zi,  dhe kështu forca të shumta ushtarake turke u sulën nga Shkodra dhe Lezha drejt Mirditës.
Në kufinjtë e Mirditës nga Lezha deri në Mjedë u shpërndanë  rreth 4000 ushtarë.(29)
Me 4 prill 1877 forcat turke filluan marshimin për në Mirditë.
Me datën 8 prill 1877 forca të shumta ushtarake të nisura njëherësh nga Mjeda, Lezha, Mati dhe Prizreni filluan operacionet ndëshkimore ndaj Mirditës.
Sulmi i përgjithshëm turk mbi Mirditën filloi në prill të vitit 1877. Forcat ushtarake komandoheshin nga Aqif Pasha, Riza Beu, Avdi Pasha dhe Osman Beu(30) që sulmuan në katër drejtime; nga Shkodra, Lezha, Prizreni dhe Mati. Autoritetet turke të Shkodrës nisën kundër Mirditës gjashtë batalione me mbi 12 mijë  ushtarë.
Fillimisht ushtritë turke sulmuan nga Naraçi. Kryengritësit megjithëse të pakët në numër, me armë të vjetra dhe pa municionet e majftueshme, rezistuan disa ditë por pastaj filluan të tërhiqen. Nga Lezha u sulmua më 11 prill në drejtim të Molungut. Në veri jeniçerët e ardhur prej Prizreni, Mirditën e sulmuan me shtatë batalione nën komandën  e Osman Beut.
Në kohën kur në Mirditë zhvilloheshin kryengritijet, ambasadorët e Fuqive të Mëdha nënshkruan Protokollin e Londrës, i cili i detyronte turqit të pranonin formën e autonomisë në Ballkan për disa treva. Edhe pse e kishin firmosur këtë marrëveshje, turqit nuk e zbatuan atë. Ndërkohë Rusia përgatitej për luftë kundër Perandorisë Osmane. Ajo pasi nënshkroi një marrëveshje me Austro-Hungarinë në Budapest, në bazë të së cilës i njihte Austrisë të drejtën e ndikimit në perëndim të Gadishullit të Ballkanit, më 24 prill 1877 i shpalli luftë Turqisë. Fillimi i luftës Ruso-Turke dhe fitorja e rusëve në Plevnë të Bullgarisë, u dha zemër kryengritësve mirditas që  qëndronin të armatosur në male  dhe ata duke iu përmbajtur premtimit të Malit të Zi, iu drejtuan edhe një herë atij për ndihmë me armë dhe municione. (31)
Por pas përfundimit të Luftës Ruso–Turke u nënshkruan kushtet e paqes. Kështu iu dha mundësi komandës turke në Shkodër të shtypte me gjak kryengritjen e Mirditës, t’i likujdonte njëherë e mirë  privilegjet e saj  dhe të vendoste edhe atje  administratën e tyre me kajmekam e zyrtar osman. (32)
Në zbatim të këtij plani ushtritë turke u sulën nëpër Mirditë nga të gjitha anët,  duke përgjakur dhe djegur folenë kryengritëse që i kishte sjellë aq telashe Portës së Lartë. Gjatë marshimit për në Orosh, turqit vetëm në Mjedë e Vig dogjën 70 shtëpi, arrestuan 75 mirditas, shumica pleq, të cilët i dërguan të lidhur me pranga në Shkodër. (33)
Bashkë me ushtrinë turke, drejt Mirditës që po digjej, marshoi edhe Dod Gega me përkrahësit e tij,(34) të cilët me 16 shkurt  të atij viti  hynë për të dytën herë në Orosh. Populli i Mirditës iu nënshtrua reprezaljeve të papara.
Më 22 prill 1877 Oroshi i rrethuar nga të gjitha anët prej ushtrive të shumta turke, ra në duart e pushtuesve. Fshatarët e Oroshit, duke e ndjerë rrezikun i braktisën shtëpitë  e tyre  dhe u strehuan  nëpër shpellat e Bjeshkëve të Oroshit.(35)
Kështu përfundoi e mbytur në gjak kryengritja e viteve 1877-1878 e Mirditës.
Dhjet vjet me vonë
Lëvizjet për autonomi që shpërthyen në Kosovë në vitin 1887, dhe veprimtaria atdhetare që nxiti programi i Lidhjes së Pejës në 1898, si rezultat i qëndrimit që mbajtën Fuqitë e Mëdha, në Konferencën e Hagës, ndaj lëvizjes serbe-maqedonase dhe ndaj kërkesave shqiptare, si dhe i politikës së dhunës e mashtrimit që ndoqi Porta e Lartë ndaj shqiptarëve në vitin 1900, i ringjalli dhe i rriti lëvizjet kryengritëse në Mirditë. Turqit morën të gjitha masat, për të shtypur lëvizjen shqiptare  për autonomi.
Në verën e vitit 1901 u rrit shumë zhvillimi i veprimtarive të armatosura midis shqiptarëve që kërkonin liri, dhe osmanëve që kërkonin të mbanin të shtypur e të ruanin zotërimin e tyre mbi territoret shqiptare. U rrit ndjeshëm shtërngimi policor dhe ushtarak. Në Kashnjet u vendos një qendërkomandë otomane. Të gjitha këto bënë që malet e Mirditës të mbushen me çeta komitësh, të cilat vepronin kundër dhunës ushtarake osmane, që ishte lëshuar të grabiste me dhunë fshatarët  e pafajshëm dhe të pambrojtur.
Në fillimin e vitit 1902, Porta e Lartë kërkon të mobilozojë ushtarë në Mirditë, për t’i hedhur kundër shqiptarëve të Kosovës e Manastirit, të cilët kishin rrokur armët kundër shtypjes osmane. Thirrjes së valiut të Shkodrës për rekrutë, mirditasit iu përgjigjën me armë. Në shkurtin e vitit 1902, në bashkëpunim me malësorët e Pukës sulmuan garnizonet turke në Pukë, duke ndërprerë rrugën Shkodër-Prizren; prenë linjat telefonike të Lezhës dhe kërkuan të kthehej nga internimi Preng Bib Doda dhe patriotë të tjerë, që autoritetet turke i kishin internuar pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kjo rritje e lëvizjeve shqiptare për çlirim, koinçidon me lëvizjet xhonturke për të përmbysur regjimin gjakatar  të Sulltan Abdyl Hamitit të II-të. Në këtë lëvizje të turqve të rinj u përfshinë edhe shumë shqiptarë, por gjithsesi rrethet patriotike mbajtën qëndrim të rezervuar ndaj lëvizjeve xhonturke.
Në Mirditë malet mbusheshin me çeta komitësh, ndërsa krerët mblidhen dhe i dërgojnë një memorandum valiut të Shkodrës.
Në memorandumin e dërguar për valiun e Shkodrës dhe konsujt e huaj që gjendeshin në Shkodër, mes të tjerave shkruhet: “Ne nuk e njohim ma sulltanin për kryezot....gjysëmhana nuk do të valojë ma në malet tona, ne duem të jemi të lirë, duem të na njihet kombësia...”. Po aty theksohet: “Sot e tutje flamuri ynë do të jetë ai i Gjergj Kastriotit, që prej kohësh valëvitet mbi majat e veshura me borë  të Shpalit, në qiellin e pastër të Mirditës, të fëshfëritur nga flladi i lirisë”.
Në verën e vitit 1902, pas ndërhyrjes dhe këmbënguljes austriake, rruga Shkodër-Prizren e bllokuar nga kryengritësit, u lirua nga mirditasit.
Konsullata Mbretërore e Malit të Zi në Shkodër, i drejtohet Zotit Dushan Gregoviç, ministër i jashtëm në Cetinë kështu:
“Mora vesh se mirditorët kanë vendosur të mbyllin rrugën e Prizrenit ditën e Shëngjergjit. Në qoftë se ky vendim çohet në vend, mund të ndodhin turbullira në Mirditë dhe po u bë kjo në Mirditë, nuk përjashtohet mundësia e shtrirjes së turbullirave edhe në vendet e tjera të arnautllëkut, gjë që do të përfshinte edhe malësorët në afërsi të kufirit tonë” . (36)
Për t’iu përgjigjur situatës së re të krijuar, si dhe për të ndikuar tek Fuqitë e Mëdha për njohjen e kombit shqiptar si të gjithë kombet e tjera, e që flamuri kombëtar të njihej e të valëvitej i lirë në tokën tonë, u organizua një kuvend i madh.
Ky kuvend u mblodh në Shpal në shkurt të vitit 1902. Në të u miratua një memorandum dërguar valiut të Shkodrës, dhe konsujve të Fuqive të Mëdha në atë qytet. Kërkohej të njihej kombësia shqiptare si e të gjithë popujve të tjerë, dhe të lartësohej flamuri kombëtar shqiptar në vend të atij turk.. Ky kuvend pati një ndikim të madh, ishte ndërhyrja e fuqive evropiane që u bë i mundur zhbllokimi i rrugës për në Prizren e për këtë duhej ndërhyrja diplomatike dhe ndërmjetësimi i drejtpërdrejtë i Austro-Hungarisë.
Dhe s’do mend, ekskomunikimi me qendrën ekumenike në Stamboll, si dhe predikimi fetar në gjuhën shqipe, e që po e zbatonte me zellin më të madh Papa Jorgji në Shpat të Elbasanit, nuk mund të bëhej pa ndihmën e faktorit vendas dhe të huaj. Ky klerik shqiptar, i shkishëruar, do të ketë paraprakisht ndihmën e abatit të Mirditës, Imzot Prend Doçi dhe atë  të Dom Ndoc Nikajt, për organizimin e takimit solemn të Shpalit. Pa dyshim se ky kuvend nuk ishte, as më pak e as më shumë, veç një prolog i qëlluar për udhën e drejtë të mësimit të shqipes në shkollë, duke synuar predikimin e shqipes si gjuhë të qumështit të nënës, nëpër institucionet fetare të karakterit kombëtar. (37)
Dhe s’ka  pikë dyshimi se ky tubim pati dhe përcolli një mesazh të shenjtë: “Një kishë, një komb dhe feja në shërbim të përbashkësisë kombëtare.”  (38)
“T’i digjet shtëpia,(39) t’i merret pasuria, t’i priten pemët dhe të nxirret për tri vjet  nga bajraku, cilido që për hasmëri vret një fëmijë shkolle”(40) ishte njëri ndër vendimet më të rëndësishme të këtij kuvendi.
Klerikët mirditas bënë të gjitha përpjekjet për të shtrirë influencën e tyre në Mirditë, për të bërë të mundur zëvendësimin e robërisë osmane ndaj këtij populli me lirinë aq shumë të dëshiruar.
Natyrisht jo vetëm nuk u pranua, por u kundërshtua me të gjitha forcat nxjerrja e rekrutëve dhe dërgimi i tyre për të luftuar kundër vëllezërve të tyre kosovarë.
Autoritetet turke me të gjitha mënyrat u munduan ta dobësojnë dhe ta minimizojnë rolin e Mirditës, me qëllim që ajo të mbetej jashtë veprimtarive të mëdha që po zhvilloheshin rreth saj.
Meqenëse bajrakët e Ohrit, i ishin aneksuar Kazasë së Krujës qysh nga viti 1864 nga Ismail Haki Pasha, autoritetet osmane ngarkuan Esat Pashë Toptanin të ndiqte dhe asgjësonte çetat e rrezikshme të Marka Kulit, të nënshtronte bajrakët e Ohrit e të pushkatonte gjithkënd që përkrahte dhe mbronte çetat  kryengritëse.
Marka Kuli në moshën 16 vjeçare rroku pushkën dhe doli malit, duke qenë se nuk e duronte dot shtypjen e beut dhe marrjen nëpër këmbë të nderit të babait të tij, Gegës.
Esat Pashë Toptani në krye të pesë taboreve të armatosura  mësyni Bushkashin dhe u përpoq ta rekrutonte  e të kapte Marka Kulin.(41). Por thirrjes së pashait tiranas bushkashianët iu përgjigjën me pushkë.
Esat Pasha u mundua ta mashtrojë Marka Kulin duke i premtuar grada dhe ofiqe, por përgjigjja e Marka Kulit ishte: “Sa të jetë jeta gjallë, Turqisë nuk i thom kurrë mike e s’ja ha bukën  çfarëdo grade  që të më japi.”(42)
Pas kësaj Esat Pashë Toptani dha urdhër për ta kapur ose për ta vrarë Marka Kulin, e për këtë qëllim përgatiti edhe artilerinë. Kulla e Marka Kulit goditet me top po trimat brenda nuk jepeshin përkundrazi i shkaktuan shumë dëme ushtrisë osmane që e kishte rrethuar kullën e tij. Marka Kuli me shokë arrinë të çajnë rrethimin  duke e lanë të turpëruar Esat Pashën.
Çeta të armatosura me mirditas vepronin në atë kohë në Qafën e Malit, Kreshtë, Mnelë, në Pdhanë e Kallmet e të gjitha këto ishin aktive e u shkaktonin dëme të mëdha karvaneve turke që lëviznin nga Shkodra e Lezha drejt Krujës e anasjelltas.
Konfliktet e shkëputura të armatosura ndaj forcave turke, që u zhvilluan në vitet 1902-1905, u kthyen në një kryengritje të organizuar në bajrakët e Ohrit e deri në Lurë në vitin 1906. Autoritetet turke, në verën e atij viti ndërmorën një ekspeditë kundër Kurbinit, i cili kundërshtoi pagimin e të dhjetave për bagëtitë. Ekspedita osmane, me forcën e armëve mundi ta nënshtrojë Kurbinin dhe tagrambledhësit, filluan të vjelin taksat. Meqenëse kjo e dhjetë  ishte vënë dhe për bajrakët e Ohrit, tagrambledhësit pasi kryen punë me Kurbinin, u futën dhe në fshatrat e kësaj zone, për të vjelë taksat. Banorët e katundeve Bushkash, Baz, Rrëshen, Prosek, Perlat, Kthellë, Shebe, Selitë e Lurë u ngritën me armë në dorë, i përzunë tagrambledhësit dhe pastruan kufirin e Matit me Krujën duke mos lejuar më futjen e forcave turke në këto zona.
Kërkimi i taksave nga osmanët në bajrakët e Ohrit,  ishte jo vetëm pretekst për shpërthimin e kryengritjes, por dhe për shkëputjen e këtyre bajrakëve nga Kazaja e Krujës dhe lidhja e tyre me Mirditën.
Këto ngjarje po zhvilloheshin në Mirditë, kur Sulltan Abdyl Hamiti ia kishte falë dënimin Preng Bib Dodës.
Këto zhvillime ndodhnin njëkohësisht me lëvizjen xhonturke që sa vinte e rritej ,si dhe me lëvizjen e Kosovës dhe Maqedonisë kundër reformave të reja e me lëvizjen shqiptare në Jug tashmë të ringritur.
Kjo i dha mundësi fillimit të revolucionit xhonturk më 3 korrik 1908, me kryengritjen e reparteve ushtarake osmane në Maqedoni, që komandohej nga shqiptari Ahmet Njazi Beu.
Shkodra me rrethinat e saj kundërshtoi të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Në vitin 1908 nga qeveria osmane, u nxor një ligj sipas të cilit duhej të shkonin ushtarë dhe të gjithë shqiptarët që kishin mbushur moshën, pavarësisht fesë, përfshirë këtu edhe Mirditën dhe zonat e tjera katolike, që deri në atë kohë nuk i ishin nënshtruar një ligji të tillë. Kjo e rriti edhe më tepër pakënaqësinë dhe armiqësinë e Mirditës me komitetin xhonturk në Shkodër.
Presioni i Mirditës dhe kërkesat e vazhdueshme të kësaj treve, bënë që të lihej i lirë Preng Bib Doda, i cili mbahej i internuar në Stamboll. Kështu Preng Bib Doda u nis nga Stambolli në gushtin e vitit 1908 për në Greqi, ku u takua me Ismail Qemalin dhe shoqëria e tij e përcolli Prengën për në Vlorë.
Për pritjen e tij më 19.9.1908 kishte dalë në Shëngjin vetë Marka Gjoni, Prend Doçi dhe Gjergj Fishta. (43)
Prej Shëngjini Preng Bib Doda u drejtua për në Shkodër, ku  bëri dy vizita njëra pas tjetrës, së pari tek valiu i Shkodrës e më pas tek konsulli Austro-Hungarez. Këtij të fundit i shfaqi dhe mirënjohjen për përkrahjen që i ishte dhënë nga qeveria Austro-Hungareze.
            Valiu i Shkodrës i ofroi postin e Kajmekamit të Mirditës, por Preng Bib Doda nuk e pranoi këtë detyrë. (44)
        Pas kësaj Preng Bib Doda i shoqëruar nga  Prend Doçi, Marka Gjoni e disa mirditas u nisën për në Mirditë, për të marrë pjesë në kuvendin e krerëve të Mirditës, në Shpal në 10 tetor 1908.
      Në këtë kuvend veç krerëve ishin mbledhur edhe rreth 2000 (3) burra të cilët ishin të përgatitur për luftë. Aty u kundërshtua dërgimi i ushtarëve. E mbi të gjitha  u kërkua të njihej autonomia e krahinës, dhe të  zbatoheshin reformat  si hapja e shkollave shqipe, ndërtimi i rrugëve, etj. (45)
Po nga ky kuvend u kundërshtua ashpër edhe kërkesa absurde e xhonturqve që Mirdita të deklarohej dhe të shpallej publikisht kundër pavarësisë së Bullgarisë. (46) Po ashtu me forcë u kundërshtua dhe regjistrimi që donin të bënin xhonturqit me rastin e zgjedhjeve parlamentare.
Xhonturqit kishin kërkuar pranë krerëve të Mirditës, që në Orosh të vendosej administrata e rregullt shtetërore, e për këtë ata do të përballonin të gjitha shpenzimet për ndërtimin e objekteve. Natyrisht kjo kërkesë nuk u pranua nga Kuvendi i Shpalit.
Mosgjetja e mbështetjes nga ana e krerëve në kuvend, bëri që garnizoni turk të  mbetej plotësisht i veçuar dhe për këtë u detyrua të tërhiqet. Edhe  mydyri i caktuar prej qeverisë në Orosh, si ngahera mbeti pa detyrë.
Përpjekja e re e turqve për të nënshtruar Mirditën kishte marrë përgjigjen më të ashpër nga kuvendi i 2000 burrave në Shpal.
Në këto rrethana Shefqet Turgut Pasha, urdhëroi Shefik Pashën të marshonte drejt Mirditës, që pothuajse kishte mbetur vetëm në qëndresën e saj në Shqipërinë Veriore. E meqë sërish mirditasit nuk u nënshtruan, Shefqet Turgut Pasha në krye të ushtrisë, u nis për në Mirditë. Kaloi nëpër Vaun e Dejës, Mnelë, Vig, Kashnjet, Kaçinar, Blinisht dhe mbërriti në Orosh. Rrugës u mblodhën disa armë dhe u regjistruan për rekrutë, 100 persona. Me urdhër të tij u dogjën shkollat e Kashnjetit, Rrëshenit, Rubikut si dhe çdo letër e shkruar në gjuhën shqipe.(47) I vetmi lokal shkollor që mbeti pa u djegë ishte shkolla e Oroshit. Pasi qëndroi një ditë në Orosh  u drejtua drejt Kthellës e prej andej kaloi në Mat e Dibër.
Vdiq më 22 shkurt 1917, në orën 14.30. Pak ditë më parë, më 17 shkurt, duke dalë nga dhoma e nxehtë për të shëtitur në mes të murlanit, në oborrin e Abacisë ndjeu dobësi dhe u rrëzua. E vizituan dy mjekë austriakë që ndodheshin në Orosh me ushtrinë dhe e diagnostikuan me bronkopneumoni e dobësim zemre.
 
 
Literatura
1.       Hh Sta. PPA- Vj.75-II. nr. 12. Shkodër, më 30 qershor  1873
2.      Hh Sta. PPA- Vj.48-4. nr. 4. Shkodër,  më 10 Janar 1873.
3.      Hh Sta. PPA- Vj.48-4. nr. 6. Shkodër, më 26 prill 1873
4.      Hh Sta. PPA- Vj.75-II. nr. 12. Shkodër, më 30 qershor  1873
5.      AQSH i RPSSH, Fondi “Bibë Doda” , 1864, Dosja nr 6,dok, nr. 3
6.      Historia e Shqipërisë vëll. I, Tiranë 1965,  f.104.
7.      AIH , Dosja “Kriza Lindore”, A-335, f.61
8.      Nikaj. Dom Ndoc “Kujtime  të një jetes së kalueme” , Tiranë, 2003, f. 41-53
9.      HH Sta. PPA- Vj.48-16 nr. 18.Shkodër, më 24 tetor  1873
10.  HhstA Pa-vj.48-22. Nr 24 Shkodër , më 9 dhjetor 1883
11.   Glas Crnagorca dt. 10 dhjetor 1873
12.  Mile, L. “Kryengritja e Malësisë së Veriut në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Përmbledhje studimesh, Tiranë, 1962, f. 11.
13.  Mile, L. “Kryengritja e Malësisë së Veriut  në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Përmbledhje studimesh, Tiranë, 1962, f. 11.
14.  AIH, Dosja “Kriza Lindore”, f.75.
15.  Historia e Shqipërisë, vëll. i  II, Tiranë, 1965, f. 118.
16.  Historia e Shqipërisë, vëll. i  II, Tiranë, 1965, f. 119.
17.  AIH, Dosja A-IV-325, f. 29.
18.  AIH, Dosja “Kriza Lindore”, f. 72.
19.  AIH, Dosja “Kriza Lindore”, f.73.
20.  Historia e Shqipërisë, vëll. i  I, Tiranë, 1965, f. 119.
21.  AIH, Dosja “Kriza Lindore”, f.75.
22.  AMPJ LPK Konsullata e Francës në Shkodër, vëll. 20. fl. 382 r-383
23.  AMPJ LPK Konsullata e Francës në Shkodër, vëll. 20. fl. 402r-403r.
24.  AMPJ LPK Konsullata e Francës në Shkodër, vëll. 20. fl. 435.
25.  Martini. Luigj, Abati i Mirditës Prend Doçi. Tiranë 2012. f. 97
26.  AMPJ LPK Konsullata e Francës në Shkodër, vëll. 20. fl. 22r-423-r
27.  AIH , Dosja “Raporte nga Shkodra, më 1876”, f. 88.
28.  AQ i RPSH Fondi Ipeshkëvia e Lezhës, viti 1877.
29.  AIH. Konsullata Franceës Shkodër 1862, vëll.21, f. 65.
30.  AIH. Konsullata Franceës Shkodër 1862, vëll.21, f. 47.
31.  Mile, L. “Kryengritja e Malësisë së Veriut në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Përmbledhje studimesh , Tiranë, 1962, f.28.
32.  AIH , Dosja A-IV-325, f.36.
33.  AIH ,Dok. Austro Hungareze, Raporti nr. 12, datë 11.02.1878.
34.  AIH ,Dok. Austro Hungareze, Raporti nr. 12, datë 11.02.1878.
35.  AIH. Konsullata Franceze Shkodër 1862, vol.21, f. 47.
36.  Cana, Zekeria. “Kryengritja e shqiptarëve e vitit 1912 në dokumentet serbe”. Instituti Albanologjik i Prishtinës.  Prishtinë, 2008, f. 125.
37.  Raçe, Shkëlzen. “Gjurmime në historinë e Shqipërisë” Insituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2009, f. 135.
38.  Po aty
39.   “Fletë nga historia e shkollës shqipe”, Materiale dhe dokumente, Tiranë, 1963, fq. 158.
40.  Po aty, f. 158. 
41.  Bajo, Luan. “ Faqe nga lufta e kaçakëve  në rrethin e Krujës” në Studime historike, nr. 2, Tiranë, 1969,f.68.
42.  Bajo, Luan. “ Faqe nga lufta e kaçakëve  në rrethin e Krujës” në Studime historike, nr. 2, Tiranë, 1969. f.69.
43.  AIH , Dosja Nr 85/  Konsullata austriake në Shkodër.
44.  AIH , Dosja Nr 85/  Konsullata austriake në Shkodër.
45.  Prendi,Simon.  Historiku i Mirditës. Maket, f. 144.
46.  Doçi, Pal. “Mirdita vatër e qëndresës antiosmane”, Tiranë, 1999, f. 216.
47.  Doçi,. Pal. “Mirdita vatër e qëndresës antiosmane”, Tiranë, 1999, f. 217.
 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat