Publicisti hebre Leo Freundlich, “Golgota Shqiptare” 1912-1913

Historia

Publicisti hebre Leo Freundlich, “Golgota Shqiptare” 1912-1913

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 8 nëntor 2016 Në ora: 14:34
Dr.Nijazi Halili

Shumë reporterë perëndimorë, përfaqësues të Kryqit të Kuq e përfaqësues diplomatikë, njoftuan shtypin e kohës, për këto krime e tmerre serbe mbi popullin e pafajshëm e duarthatë të mbytur më dhunë e gjak.  Një publicist dhe shkrimtar hebre, nga Austria Leo Freundcsli, e shkruan një pamflet-libër të vogël informativ, mahnitës, të quajtur “Golgota shqiptare”me të dhënat e tmerrshme mbi masakrimet dhe dhunimet e popullsisë shqiptare, që Serbia kishte bërë mbi ta. Konferenca e Paqes së organizuar në qershor të vitit 1913 në Londër do të mbyllë disi këto luftëra e trazime të popujve të posa dalë nga okupimi shekullor Otoman. I dëmtuar dhe i sakatosur do të dal nga kjo Konferencë populli shqiptarë, i cili do të ndahet në pesë shtete. Pjesa e mbetur e pa qeverisur nga të tjerët, pra Shqipëria e pavarur do të ishte i vetmi shtet në Ballkan i cili në të katër anët e tij do të kufizohej me popullin e vetë që ishte ndarë padrejtësisht nga fuqitë e kohës.

Ishin pikërisht këto largime forcërisht të shqiptarëve jashtë që krijuan diasporën e parë shqiptare jashtë shtetit, kryesisht në Evropë dhe në Amerikë. Kjo diasporë, sikundër kemi  pasur rast ta theksojmë më lartë, do luante rol përherë e më të rëndësishëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Perëndim në vitet që do pasonin deri në zgjidhjen e krizës së Kosovës.

Shkaktarë të armiqësive në luftën e parë (ballkanike), shkruan raporti i Komisionit Ndërkombëtar, kishin qenë vetë sllavët e Ballkanit, jo vetëm me shkeljet që u kishin bërë ligjeve ndërkombëtare por edhe marrëveshjeve të ndryshme që kishin nënshkruar me njëri tjetrin…

Përveç karakterit grabitqar e antishqiptar, Luftërat Ballkanike (tetor 1912-gusht 1913) mbajnë vulën e gjallë edhe të luftërave fetare. Koalicioni ballkanik e përdori fenë e krishterë kundër asaj islame për qëllime politike, për të nxitur urrejtjen etnike, fobitë nacionale dhe për të mënjanuar çdo pengesë morale në fushatat e shfarosjes së popullsisë civile të pambrojtur të atyre që i kishin shpallur armiq. Luftërat Ballkanike ishin një kryqëzatë moderne antimyslimane e boshtit ortodoks. Në këtë kuptim kjo luftë ishte vazhdim i Luftës ruso-osmane dhe serbo e malazezo-osmane të 1877-1878, kështu që edhe viktimat e para të pansllavizmit rus kanë qenë myslimanët e Ballkanit. Në atë kohë u shpërngulën dhe u kthyen në refugjatë (muhaxhirë) mbi 1 milion myslimanë.

Fillimi i pushtimit të trojeve shqiptare prej ushtrisë serbe u shoqërua kudo me vrasjen e masakrimin e popullsisë, me djegien dhe shkatërrimin e vendbanimeve shqiptare. Ajo synonte të zhdukte fizikisht sa më shumë shqiptarë, të krijonte pasiguri për jetën e tyre, t’i detyronte të shpërnguleshin në masë prej vatrave të veta me qëllim, që të vendoste një sundim sa më të qëndrueshëm mbi viset që donte të aneksonte. Parulla serbomadhe, të cilën e zbatonin oficerët serbë ishte “të shfarosim shqiptarët”. Korrespondenti i “New York Times”, dëshmitar okular i ngjarjeve, në një artikull “Vandalizmat serbe” shkruante se “Serbët kërkojnë zhdukjen e shqiptarëve, sepse ata kanë qenë gjer më sot ndalim i përparimit serb në të vetquajturën Stara Serbi!”. Sipas një raporti të konsullit austro-hungarez nga Shkupi “serbët vrasin gra, fëmijë e pleq”. Vetëm në qytetin e Prishtinës u vranë mbi 5.000 shqiptarë menjëherë pas pushtimit të tij. Këtë fat patën edhe Ferizaj me Gjilanin, të cilët “mbetën thuajse të shkretë” pas masakrave që u kryen mbi popullsinë e tyre deri “te fëmijët në djep”.

Vlen të permendet se pikërisht në fshatin tim, në Tërstenik të komunës së Vitisë, në këtë periudhe kohore 1911-1912  janë  masakruar  mbi 80 veta të gjithë të gjinisë mashkullore, për të cilin më së miri flet libri i autorit z.Mehmeti Haliti, “Monografia e Fshatit Tërstenik, i cili ekzakt paraqet ngjarjet  dhe  gjenocidin serb të ushtruar  mbi popullaten e pafajshme  shqiptaret, e njëjta pamje u krijua edhe  fshatrat tjera të Kosovës.

Sipas shtypit të kohës, gjatë viteve 1912-1913 nga agresorët serbë u vranë 120.000 deri në 130.000 veta. Vetëm në Shkodër e përreth saj pati 30.000 viktima nga serbët e malazezët. Këto shifra mjerisht nuk i gjen në tekstet mësimore nëpër shkollat shqiptare të të gjitha kategorive. Natyrisht që shifrat e mësipërme thuajse tërësisht i përkasin popullsisë myslimane.

 “Shkaktarë të armiqësive në luftën e parë (ballkanike) shkruan raporti i Komisionit Ndërkombëtar, kishin qenë vetë sllavët e Ballkanit, jo vetëm me shkeljet, që u kishin bërë ligjeve ndërkombëtare, por edhe marrëveshjeve të ndryshme, që kishin nënshkruar me njëri-tjetrin. “Ushtritë e rregullta serbe dhe malazeze ndërmorën dhe bënë gjithçka, që nga dita e parë që pushtuan territorin shqiptar, që t’i detyronin banorët të humbisnin kombësinë, ose ta shtypte brutalisht racën shqiptare”. Shtëpi dhe fshatra të tëra u shndërruan në hi, popullsia e pafajshme dhe e paarmatosur u masakrua en masse, akte të pabesueshme dhune, grabitje dhe brutalitet të çdo lloji – këto ishin mjetet që u përdorën dhe po përdoren akoma nga ushtarët serbo-malazezë, me synim që të transformojnë tërësisht karakterin etnik të rajoneve që banohen nga shqiptarët. Kjo përbën atë që Komisioni Ndërkombëtar e quan veçoria e dytë e Luftërave Ballkanike, që natyrisht ka lidhje me të parën: lufta nuk bëhet vetëm midis ushtrive, por midis vetë kombeve (nënvizimi im). Meqenëse popullsia e vendeve që do të pushtoheshin e dinin nga përvoja se çfarë i priste nga ardhja e ushtrisë armike të vendeve fqinje, ata nuk prisnin deri sa të vinte ajo, por largoheshin sa më parë. Kështu fillon një emigracion i vërtetë masiv, një spastrim etnik i viseve të pushtuara.

Ballkani përfshihet nga “një eksod i vërtetë. Turqit largohen nga të krishterët, bullgarët nga grekërit dhe nga turqit, dhe grekët nga turqit dhe bullgarët, shqiptarët nga serbët; dhe nëse emigrimi nuk është i zakontë tek serbët dhe bullgarët, shkaku duhet kërkuar në faktin se këto dy kombe, si të thuash, nuk janë përleshur në tokat e tyre. Ata përdorin metoda të tërthorta të cilat çojnë gjithashtu në të njëjtat përfundime, siç janë asimilimi dhe kthimi i fesë. “Brenda një brezi do ta sllavizojmë atë popull” thoshin ata (malazezët dhe serbët). Faktet e mëvonëshme vertetuan se këto njoftime ishin të vërteta. Nuk ka pasur një turk që të jetë sjellë me armenët më keq se u sollën dy popujt serbë (serbët dhe malazezët-shënimi im) me shqiptarët në emër të kishës së shenjtë ortodokse.Sllavët vazhdonin të çirreshin: “Vdekje Shqipërisë”.

Shkrimtari vjenez, çifuti Leo Freundlich, botoi një libër me titull “Akuza që ulërijnë” (“Accusation Records”). Ai rrëfen për “Golgotën shqiptare” ose holokaustin shqiptar (nënvizimi im). Holokausti i parë evropian është planifikuar dhe zbatuar nga Serbia kundër popullit shqiptar. Leo Frojndlich përshkruan ngjarjet nga mesi i tetorit 1912 deri në mars 1913. Gjatë vitit 1913, Freundlich, botues në qendrën vjeneze të kulturës, kishte dhënë thelbin e “fytyrës së re” të “shtazërisë mizore”, e cila po hynte në politikën evropiane. Ishte gjenocidi, projektuar dhe zbatuar kundër një populli të tërë. Ai e quajti krimin e holokaustit kundër shqiptarëve “Golgotta Shqiptare”. Edhe Freundlich, duke cituar një dëshmitar të kohës bën të njëjtin krahasim si Durham-i se, “qoftë edhe një turk i vetëm nuk i ka trajtuar armenët më keq se ç’janë trajtuar shqiptarët nga serbët”.

Tani që serbët erdhën në Ohër dhe grekët në Korçë, shkruan Durham, fillova ta ndjej veten fajtore pse dikur kisha uruar që turku të largohej nga Evropa. Sa ishte turku aty, shpresat nuk ishin shuar. Ndërsa këta pushtues “të krishterë” ishin njëqind herë më të këqinj. Të vënë në tehun e hanxharit, shqiptarët u “zgjuan”.

Të njëjtat skena makabre zhvillohen edhe në jug të Shqipërisë nga masakrat e ushtrisë greke. Avancimi i ushtrisë greke në dhjetor 1912 bëri që shumë familje myslimane nga Devolli të zbresin në Korçë, të detyruar nga persekutimi i grekëve. Burra, gra e fëmijë të zhveshur e të zbathur iknin nëpër dëborë e akull të lemerisur, duke lënë të shkreta shtëpitë e tyre, plaçkat e bagëtitë. Në fillim të qershorit 1915, shkruan Haris Silajxhiç në “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Washingtonit”, Fondi për Ndihmë Shqipërisë i dërgoi një letër presidentit të SHBA-së, nëpërmjet së cilës e njofton për situatën e vështirë në Shqipëri (është fjala për Shqipërinë Jugore) ku gjysmë milioni po vdesin nga uria, ndërsa 100.000 tashmë kanë vdekur (shifra këto që nuk i gjen në tekstet mësimore as të nivelit akademik).

Në parlamentin anglez raportohet për “mizoritë e frikshme që janë duke kryer bandat greke në jug… ku refugjatë shqiptarë shkonin drejt Vlorës nga Berati dhe Korça (që tani kanë rënë në duart e grekëve) dhe se numri i muhaxhirëve të grumbulluar në kodrat me ullinj përreth qytetit të Vlorës ishte më shumë se 100.000, sepse i gjithë vendi është shkretuar”. Muhaxhirët lanë shtëpitë e tyre për shkak të ashtuquajturës kryengritje epirote; kryengritje kjo e kamufluar si “lëvizje” për “autonominë e Vorio-Epirit”, në fakt të agresionit ushtarak grek mbi pjesën jugore të Shqipërisë. “Në furinë e këtij shpërthimi barbar, shkruan Abaz Ermenji, u dogjën shkrumb e hi 314 fshatra myslimanësh”. “Arkivat e Washingtonit, shkruan H. Silajxhiç, bëjnë fjalë për 400 fshatra, që u dogjën e shkatërruan krejtësisht”. “Kështu, shkruan historiani shqiptar i diasporës Stavro Skendi u erdhi: “Zgjimi kombëtar (shqiptarëve) pjesërisht në një mënyrë graduale dhe pjesërisht si rrufe dhe tronditje”. “Kë s’trazon një fllad i lehtë, bjen tërmeti ai rrin fjetë”.

Duke qenë se me objektiva të tilla ishin projektuar këto luftëra dhe për faktin tjetër se pjesa myslimane e popullsisë përbënte shumicën, asaj i ra edhe barra kryesore e qëndresës kundër ushtrive pushtuese të shteteve ballkanike. Natyrisht që, për rrjedhojë mbi të ra dhe do të binte gjithë furia e urrejtjes dhe e egërsisë fetare e shoviniste. Në një artikull drejtuar vetëm myslimanëve, Faik Konica vinte në dukje se për ata po afrohej një rrezik eminent. Dukej i sigurt se otomanët do të dëboheshin prej Evropës dhe shqiptarët myslimanë rrezikoheshin kështu të përziheshin edhe ata mbasi vendi i tyre do të ndahej.

Këtë rrezik e parandjeu më herët (qysh në mars 1911), kleri katolik, ose më drejt, disa anëtarë me influencë të tij, si Dom Ndre Mjeda dhe Dom Luigj Bumçi menduan t’i shpëtojnë të keqes, duke u orvatur të zgjeronin kuptimin e Kultusprotektorat në relacionet politike. Në një apel drejtuar princit trashëgimtar Franc Ferdinandit, ata deklaronin se veprimet e otomanëve cenonin përditëKultusprotektoratin dhe se shkelja e privilegjeve shekullore për shërbimin ushtarak dhe taksat në bazë të marrëveshjes midis fiseve të lira dhe qeverisë turke qe një prishje e kësaj marrëveshje. Ata kërkonin ndërhyrjen austriake. Një vit më vonë, kur kryengritja (e malësorëve të Mbishkodrës) qe përhapur tejpërtej nëpër Shqipëri, Zef Serreqi, atëherë kryepeshkop i Shkodrës, i shkroi Konsullit të Përgjithshëm austro-hungarez në Shkodër duke iu lutur që Austro-Hungaria të zaptonte Shqipërinë ose të paktën pjesën e saj katolike. Ndërkaq Terenc Toçi shpalli qeverinë shqiptare provizore në Kimëz (Ghims) Mirditë, në prill 1911, dhe priste t’i vinin ndihma nga Italia, jo prej qeverisë por prej Italo-Shqiptarëve dhe vullnetarëve italianë.

Katastrofës iu vu një vulë ndërkombëtare me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër (dhjetor 1912-gusht 1913), duke i caktuar Shqipërisë “kufij që notonin në gjak”. Kjo vulë ishte një damkë që shërbeu si një kore “juridiko-ndërkombëtare” për të mbuluar një plagë të maisur kanceroze, e cila vazhdon të kullojë gjak prej 100 vjetësh.

Kombi shqiptar ka një detyrë imperative, historike, dhe kushtetuese të formuluar në paragrafin e parë të Statutit Themeltar të Mbretërisë Shqiptare (kushtetutën e Mbretërisë) të vitit 1928. “Kombi Shqiptar, i lirë e kryenaltë, me plot shpresa lumtunie për kohën e ardhme, me dëshirën e patundshme e plot gjallni për forcimin e përjetshëm të BASHKIMI KOMBETAR (nënvizimi im) dhe për sigurimin e zhvillimit paqsor të Atdheut e të mirës së përgjithshme të popullit, duke respektue traditat historike të Kombit, të cilat padyshim i sigurojnë brezit të ardhshëm një mbarëvajtje të meritueshme…”. Kjo është detyra e parë e çdo shqiptari nën cilindo subjekt politik, që të jetë dhe e çdo qeverie shqiptare nëse dëshiron të quhet e tillë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat