Çfarë ka ndodhur më 15 tetor?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 15 tetor?

Më: 15 tetor 2016 Në ora: 08:17
Ilustrim

1860 – Grace Bedell, vajzë 11-vjeçare, i shkruan Abraham Linkolnit një letër, ku i kërkon të rrisë mjekrën. “Nëse e bën këtë, unë do të përpiqen t’i bind 4 vëllezërit e mi të votojnë për ju në zgjedhjet presidenciale” – Linkolni i fitoi zgjedhjet në nëntor – dhe pastaj filloi të mbajë mjekër.

1917 – Mata Hari, 41 vjeç, u ekzekutua nga një skuadër pushkatimi në Vincennes, Francë, nën akuzat për spiunazh për Gjermaninë gjatë luftës së pare botërore. Emri i saj ishte Margaretha Geertruida Zelle, e lindur në Holandë. Ajo ishte një balerinë ekzotike dhe pas vdekjes emri i saj i skenës “Mata Hari,” u bë sinonim i spiunimit

1923 – Lindi Bettina Moissi, aktore gjermane e skenës dhe filmit. Moissi dallohet në botën e artit për rolet kryesorë në filmat e parë gjermanë të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat trajtuan hapur çështjen e Holokaustit. Por, Betina dallohet edhe për shqiptarët – Moissi është mbiemri që njihet në botën e filmit – sepse ajo është e bija e Aleksandër Moisiut, aktori me prejardhje shqiptare me fame botërore (1879 –1935). Aleksandër Moisiu (edhe ky shpesh i njohur si Moissi) u martua dy herë dhe nga secila martesë lindi një vajzë; Beate Moissi, e lindur më 1908 me gruan e parë, aktore dhe themeluese e një shkolle të njohur aktrimi, vdiq më 1998; dhe Bettina Moissi, e lindur më 1923 me gruan e dytë. Aleksandër Moisiu njihej në Evropën e asaj periudhe si “Barrymori i Berlinit”, krahasim me yllin Hollivudit, John Barrymore (1882 –1942). Moisiu është konsideruar shpesh si hebre për shkak të mbiemrit të tij, por edhe sepse ishte mbrojtës i zëshëm i aktorëve gjermanë hebrenj gjatë periudhës së antisemitizmi në rritje në vitet 1930 në Gjermani. Në vitin 1960, Bettina Moissi u martua në Paris me koleksionistin e artit Heinz Berggruen – mik i ngushtë i Pablo Pikasos – dhe patën dy djem (njëri bankier dhe koleksionist; dhe tjetri kurator muzeu arti në Frankfurt). Heinz Berggruen, i njohur për koleksionin e madh të punimeve të Pikasos, vdiq në vitin 1997. Me këtë rast gazeta “Nju York Tajms” botoi një artikull të gjatë mbi rolin e tij në ruajtjen e veprave të artit, si dhe për një koleksion të madh pikturash dhuruar Muzeut Metropolitan të Nju Jorkut. Një tjetër artist me prejardhje nga Aleksandër Moisiu, është aktori gjerman/austriak Gedeon Burkhard (lindur më 3 korrik,1969 ). Amerikanët e njohin atë nga disa filma, përfshi “Inglourious Basterds” (2009) në rolin e kapterit Wilhelm Wicki. Ai ka luajtur në shumë filma dhe serialë televizivë në SHBA dhe Evropë; por në Evropë njihet më së miri për rolin e Aleksandër Brandtner në serialin televiziv austriako/gjerman Komisar Rex (1997-2001). Gedeon Burkhard është djali i aktores gjermane Elisabeth Molo dhe i Volfgang Burkhard, stërnip i Aleksandër Moisiut. Gedeon, shkolluar në Angli, e filloi karrierën e tij në vitin 1979 me filmin televiziv gjerman Maria Tante. Gjatë viteve 1990, ai jetoi e punoi në SHBA, dhe u përfshi në disa prodhime filmash për kinema e televizion. Gjatë kësaj periudhe, Gedeon Burkhard martohet në Las Vegas, vetëm për t’u divorcuar 4 muaj më vonë. Pas kësaj, shkon në Vjenë për serialin “Komisar Rex” për më shumë se 5 vjet, përpara se të zhvendosej në Berlin. Në vitin 2011, Gedeon Burkhard shkoi në Romë për serialin televiziv “Caccia al Re – La Narcotici ” në rolin e një detektivi droge. Sipas biografisë së tij “online”, stërstërnipi i Aleksandër Moisiut, Gedeon Burkhard identifikohet si aktor me prejardhje gjermane/ austriake/shqiptare dhe vazhdon karrierën e tij.

1966 – Një 75-vjeçar nga Teksasi kualifikohet si shoferi më i keq në Amerikë. Ai merr 10 gjoba; nget automobilin 4 herë në krah të kundërt të rrugës; godet me makinë 4 persona pa ndaluar në vendin e ngjarjes; dhe shkakton 6 aksidente; të gjitha këto brenda 20 minutave.

1982 – Arrestohet Kadri Hazbiu, vetëm pak ditë pasi ishte përjashtuar nga PPSH-ja. Gjatë periudhës së diktaturës komuniste, Hazbiu shërbeu në shumë poste të larta e të rëndësishme, megjithëse emri i tij shoqërohet me Ministrinë e Brendshme dhe Sigurimin famëkeq. Më 10 shtator 1983, ai ekzekutohet nga një skuadër pushkatimi në afërsi të Tiranës. Hazbiu u dënua nën akuzat si agjent i shërbimeve të huaja dhe për komplot kundër pushtetit, ndërsa në popull zotëron mendimi se Hazbiu ra viktimë e vetë-zellit të tepruar, duke shkaktuar frikë, rivalitet, paranojë e smirë mes udhëheqjes së lartë.

1990 – Mikhail Gorbaçov, Presidenti i BRSS-së nga 1985-1991, nderohet me Çmimin “Nobel” për Paqe “për ndihmesën për dhënien fund të Luftës së Ftohtë, për ndryshimin e hartës së Evropës dhe hapjen e një epoke të re në marrëdhëniet ndërkombëtare.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat