Dobroshi, kryetrajner i ri i Vëllaznimit

Hendboll

Dobroshi, kryetrajner i ri i Vëllaznimit

Nga: Kemajl Goca Më: 20 shtator 2018 Në ora: 15:59
Dobroshi, kryetrajner i ri i Vëllaznimit

Klubi me renome Vëllaznimi nga Gjakova (meshkujt) ka emëruar kryetrajnerin e ri. Kjo detyrë iu besua ish portierit të mirënjohur Nexhdet Dobroshi. Gjakovarët kanë ambicie që të jenë sa më lartë në renditjen e Superligës së Kosovës në hendboll.  Dobroshi tha se është një kënaqësi të jesh në krye të një skuadre me traditë dhe shpreson se do të shënojnë rezultate të mira. “Vëllaznimi e ka emëruar kryetrajner të ri Nexhdet Dobroshin”, bëhet e ditur nga klubi.

“Klubi ka gjetur gjuhë të përbashkët me mua, po ashtu edhe me trajnerin Benon Brahushin, ku është nda në mënyrë sportive dhe me një falënderim edhe nga lojtarët dhe kryesia gjithashtu edhe nga unë për punën që e ka kryer deri me sot. Mu me mbetet ta vazhdojë punën, duke e ditur që jemi në fillim të periudhës garuese”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Dobroshi. Kryetrajneri i ri thotë se ka një gjeneratë të re dhe premtuese: “Kemi një gjeneratë të re, ku mosha mesatare është 17-18 vjeçare. Djemtë të ushtrojnë me përkushtim, të angazhohen, po ashtu të mbretërojë atmosferë pune e disipline në ushtrime dhe nëpër ndeshje, andaj objektivi i klubit është të jemi në mes të tabelës.

Mendoj se kthimin e portierit nga Besa FamGas, Arbër Curri, anëtar i kombëtares së Kosovës, ekipi do të jetë edhe më i fortë, pastaj ardhja e Art Luzhës, anëtar i kombëtares së Kosovës U-20, të cilët është kënaqësi t’i kesh në ekip dhe kur dihet se në hendboll portieri është sa gjysma e ekipit”. “Me angazhim e disiplinë dhe lojë të mirë, rezultatet nuk do të mungojnë, por vetëm duhet durim”, përfundoi Dobroshi. Gjakovarët startuan me fitore, ku mundën me 36:25 Zhegrën, ndërsa në fundjavë janë mysafirë të Vushtrrisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat