Muqolli nuk i frikësohet gjeorgjianëve, beson në kualifikim

Hendboll

Muqolli nuk i frikësohet gjeorgjianëve, beson në kualifikim

Nga: Kemajl Goca Më: 7 shtator 2018 Në ora: 18:55
Muqolli nuk i frikësohet gjeorgjianëve, beson në kualifikim

Kampioni i Kosovës, Besa FamGas nga Peja, beson se do ta kalojnë rrethin e parë të garave evropiane (EHF Cup) në hendboll. Besa dhe B.S. B. Batum nga Gjeorgjia, do të takohen në palestrën e sportit “Karagaçi” në Pejë. Të dyja takimet luhen në Pejë (e shtunë, 18.30 po ashtu edhe të dielën në të njëjtën orë) në marrëveshje të klubeve.

Pejanët si faktorë kryesor llogarisin edhe përparësinë e fushës. Trajneri Arben Muqolli tha se janë përgatitur maksimalisht por që nuk kanë edhe njohuri të mjaftueshme për cilësitë e rivalit. Ai i bën thirrje tifozëve që të jenë në numër të madh në palestër në përkrahje të ekipit.

“Pak, shumë pak kemi njohuri për rivalin, nuk kemi pas asnjë video, për at jemi edhe të rezervuar. Jemi përgatitur maksimalisht që dy muaj. Jemi në fazën e fundit dhe praktike, pra duke punuar taktikisht, që të jemi në nivelin më të lart kundër ekipit gjeorgjian. Kemi përparësi fushën sepse dy ndeshjet luhen në Pejë.

Shpresoj në shikueshmëri që të na ndihmojnë për të rrugëtuar në rrethin tjetër. Shpresoj që ndeshja e parë vendos kualifikimin eventualisht e dyta që luhet të dielën (me 9 shtator). Ndeshja e parë megjithatë do të shërbej edhe për ta njohur ekipin rival sa më mirë.  Duhet të jemi mirë të përgatitur për secilën ndeshje dhe nëse nuk kemi rezultat të mirë në ndeshjen e parë, mund të ia dalim ndeshjen e dytë”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Muqolli. 

Më tutje shprehet se atmosfera është shumë e mirë. “Atmosfera është shumë e mirë dhe ekipi është komplet. Kemi zhvilluar disa ndeshje kontrolluese dhe kemi kaluar mirë. Dëshira ime ka qenë mi luajtur edhe tri-katër ndeshje tjera miqësore sidomos në Mal të Zi, por atje ende ekipet nuk kishin filluar me përgatitje. Ndërkaq, ekipi ynë u pa në turneun e fundit se është në formë të mirë, me disa lojtarë të ri. Kemi vetëm një lojtar të huaj, Ante Kukrika, të tjerët janë vendorë.

Vetëm një ndryshim është të portieri, pasi Arbër Curri ka shkuar dhe në vend të tij është ardhur Mursel Mehmeti. Ekipi është i viteve të fundit dhe me lojtarë të rinj, që dominuan disa prej tyre në kombëtaren e Kosovës U18 dhe 20. Sukseset e kombëtares U18 dhe U20 ishin vetëm përmes lojtarëve të Besës”.  

Pejanët nuk e kanë në radhët e veta lojtarin Goran Biljaka. “Besa luan pa begun e djathtë shumë cilësor, siç është  Goran Biljaka, i cili si në sulm po ashtu në mbrojtje i ka dhënë mbështetje të fortë ekipit. Kemi lojtarë të rinj e me perspektiv dhe që presin shumë nga ta. Në atë pozitë kam hendbollistët si Jon Muqolli dhe Drenit Tahirukaj, të cilët besoj se do të japin maksimumin dhe të tregojnë veten. Nëse luajmë në mbrojtje mirë nuk do të kemi problem në përballje me Batumin”, thotë Muqolli.

Një fitore me 3-4 gola diferencë në ndeshjen e parë, a ju jep qetësi? “Çdo fitore në xhiron e parë është e mirë për ekipin tonë sepse kemi mundësi që ta analizojmë situatën për ndeshjen e radhës që e kemi të dielën. Besoj se ndeshja e parë do të vendos, por vetëm duhet të kemi kujdes që mos të pësojmë. Në ndeshjen jemi si mysafir në terrenin tonë”, tha Muqolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat