Kompletohen, mendjen edhe për suksese në Evropë

Hendboll

Kompletohen, mendjen edhe për suksese në Evropë

Nga: Kemajl Goca Më: 30 gusht 2018 Në ora: 17:24
Përforcimet e Kastriotit

Klubi me renome Kastrioti nga Ferizaj ka prezantuar përforcimet nga jashtë dhe sipas tyre, do të luftojnë për të gjitha trofetë. Në taborin ferizajas shprehen optimistë se krahas kampionatit vendorë pretendojnë të kalojnë edhe një rreth në garat evropiane (Challeng Cup). Në një konferencë me gazetarë, drejtuesit e klubit thonë, se janë përforcuar në çdo aspekt dhe tani janë të kompletuar.   “Jemi përforcuar me Marko Vidoviqin (Hapoel nga Izraeli) që luan bek i majtë, pastaj portierin Kiril Kolev nga Ohri dhe Pece Rajodoski (alo e djathtë) nga Pelisteri i Manastirit. Me lojtarë vendorë jemi përforcuar me Arbër Prekazin, Liridon Esatin dhe Ben Sylën (KH Prishtina).

Me këto përforcime besoj se Kastrioti do të jetë kandidati kryesor për titull, jo veç duke i marrë për bazë përforcimet e duhura dhe kualitative por edhe aspektin organizativ dhe punën që bëhet në përgatitje si klub. Përveç titullit dhe kupës së Kosovës, po ashtu synojmë të kalojmë edhe një rreth në garat evropiane, ku për rival kemi Tallinn nga Estonia. Besoj se kemi ekip më të mirë se Tallinni dhe do të avancojmë më tutje.

Po ashtu është edhe një klimë shumë pozitive, kemi përkrahjen e qytetarëve po ashtu komuna na ndihmon financiarisht në krye me kryetarin Agim Aliu”, tha Lulzim Abazi, kryetar i klubit. “Ekipi është kompletuar me ata lojtarë që i ka kërkuar trajneri. Përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe në javën e ardhshme do t’i luajmë katër ndeshje kontrolluese me ekipet nga Maqedonia, në Shkup dhe në Manastir”. Atmosfera është kthyer në klubin me renome, pothuajse në çdo stërvitje ka edhe shikues në tribuna.

“Do të kthehet fuqishëm fryma e skuadrës me renome dhe do të shihet kjo edhe gjatë gjithë vjeshtës. Është konkurrencë e jashtëzakonshme në klub, një imperativ shtesë për lojtarët vendorë, që të matin veten me përforcime që kanë ardhur, ku do të luftojnë për një vend. Besoj se do të marrin edhe përvojë të mirë nga lojtarët e jashtëm. Edhe në përgatitje atmosfera është shumë e lartë dhe e shëndoshë, lojtarët nga jashtë janë pritur shumë mirë nga lojtarët tanë. Është duke u punuar dy herë në ditë, paradite dhe pasdite në palestrën “Bill Klinton”.  Stërvitjet shkojnë mirë, lëndime nuk ka dhe krejt punët shkojnë mbarë e mirë”, tha ai.  

Pritet një konkurrencën e fortë në luftë për titull në edicionin e ri, mes Besës, Kastriotit dhe Prishtinës. “E shohim veten si kundërshtarë në luftë për titull me disa skuadra. Do të jetë një kampionat serioz dhe më kualitativ sepse edhe ekipet tjera janë përgatitur dhe kanë sjellë përforcime, janë më mirë të organizuar.

Besoj se edhe për ne por edhe për ata do të jetë shumë më mirë dhe shpresoj në një kampionat më të fuqishëm dhe më me shumë shikues. Besoj se edhe publikun do të kthehet në tribuna dhe ka kohë që është mungesë në përgjithësi në këtë sport. Prishtina, Drita, Drenica, kanë bërë një organizim të ri dhe me përforcime, kështu që do të jetë kampionati më interesant”, shprehet optimist Abazi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat