Kosova nuk mbahet deri në fund

Hendboll

Kosova nuk mbahet deri në fund

Më: 13 gusht 2018 Në ora: 17:30
Kosova nuk mbahet deri në fund

Kombëtarja U-18 e Kosovës në hendboll është paraqitur dukshëm më mirë se që ishte paraqitur të shtunën ndaj Sllovakisë, në Kampionatin Evropian, Divizioni B që po mbahet në Austri. Kombëtarja jonë të hënën në mesditë u përball me Letoninë ndaj të cilës e fitoi pjesën e parë me rezultatin 17:15. Por në pjesën e dytë djelmoshat tanë  patën rënie në lojë dhe nuk ia dolën të mbajnë epërsinë deri në fund. Kështu takimin e fitoi Letonia me rezultatin 37:31. Në përgjithësi ishte një paraqitje e djelmoshave tanë që duhet vlerësuar. Por në pjesën e dytë erdhi në shprehje përgatitja fizike.

Edhe para evropianit është pritur që përgatitja fizike të jetë prej problemeve kryesore në Kombëtaren e Kosovës. Gjithsesi paraqitja në pjesën e parë dëshmon që në këtë grup-moshë ka brumë dhe se bëhet fjalë për lojtarë me të ardhme. Te kombëtarja jonë më efikasi ishte Yll Muqolli me 12 gola. Dion Idrizi shënoi shtatë herë dhe u shpall lojtar i ndeshjes. Për kombëtaren tonë ishte humbja e tretë në po aq ndeshje të luajtura në kuadër të grupit B. Derisa në ndeshjen e parë ndaj Holandës, kombëtarja e Kosovës pati paraqitje solide duke pësuar me rezultat 31:25, ndaj Sllovakisë të shtunën kishte më shumë telashe dhe humbja ishte më e thellë (36:18).

Kombëtarja përmirësoi dukshëm imazhin para ndeshjeve tjera që i luan në grupin B. Të martën (nesër) kombëtarja jonë luan ndaj Austrisë së favorizuar e më pas të enjten takohet me Bullgarinë ndaj të cilës e kërkon fitoren. Djelmoshat tanë i kanë më pas edhe dy ndeshje për plasman. Kosova luajti me këtë përbërje: Thaqi, Idrizi 7, Berisha, Maloku, Isufi 4, Qerimi, Neziri, Delija 1, Fana 2, Basholli 1, Hajdini, Selmani, Vokshi 3, Dukaj 1, Quni dhe Muqolli 12.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat