Shala: Synojmë të jemi skuadër e vështirë për italianet

Hendboll

Shala: Synojmë të jemi skuadër e vështirë për italianet

Nga: Kemajl Goca Më: 31 korrik 2018 Në ora: 12:44
Shala: Synojmë të jemi skuadër e vështirë për italianet

Fituesi i Kupës së Kosovës në hendboll, lstogu, ka plane të mëdha për edicionin e ri në Superligën e Kosovës (femrat).  Istogasit i pret sfidë e vështirë edhe në garat evropiane përkatësisht në Challenge Cup. Kryetrajneri i kësaj skuadre, Faruk Shala, tha se do të përgatiten me kohë dhe me synime që të jenë gati edhe për garat evropiane. 

Shala shprehet se ende nuk mund të japin pasqyrë reale se si do të duket ekipi për edicionin e ri. “Sa i përket Istogut, ende nuk mundemi të japim pasqyrë reale se si do të duket në sezonin e ardhshëm, ngase jemi duke pritur të konsolidohemi edhe me tre lojtare që konsiderojmë që janë të domosdoshme për të konsoliduar radhët tona dhe për të qenë skuadër pretenduese në ligën e Kosovës. Pra, skuadër e denjë për gara europiane, që është edhe synim i yni”, tha Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”. Më tutje tregon se çfarë i duhet më shumë Istogut:

“Momentalisht skuadrës së Istogut i duhet lëshimi në funksion i palestrës sportive në Istog e cila mundëson ngritjen e nivelit organizativ, ngritjen e intensitetit të stërvitjeve dhe punës profesionale në klub dhe normalisht rritja e sponsorëve dhe donatorëve në klub, kjo është sa i përket aspektit organizativ të brendshëm të klubit.

Kurse në aspektin e lojës për momentin jemi të fokusuar që të arrijmë t’i mbulojmë disa zbrazëtira në fondin e lojtareve, disa hapësira të lëna bosh momentalisht nga dy lojtare të formacionit bazë: Arlinda Krasniqi e cila u transferua në Gjermani dhe Fatlinda Fejza, e cila është e lënduar dhe pritet që të kthehet vetëm në sezonin pranverorë, kjo do të thotë që jemi të obliguar të konsolidohemi që të gjejmë lojtare për t’i mbuluar këto dy pozicione të rëndësishme. Deri me tani kemi arritur vetëm një marrëveshje me hendbollisten Pranvera Ferataj, por që na duhet të bëjmë më shumë që të jemi një skuadër çfarë kërkohet nga ne, pretendente për trofe”.   Istogu e ka të njohur rivalen në garat evropiane, ku takohen me ekipin italian Cassano Magnago.

Ka kohë deri me 11 nëntor, por a shpresoni se do të gjeni lojtare që mund t'i kundërviheni kësaj skuadre? “Synim parësor i ynë është që ndeshjen ndaj skuadrës së lartcekur ta zhvillojmë në Istog, që do të ishte historike për neve dhe qytetin e Istogut. I kemi intensifikuar takimet me punëkryesin e palestrës, udhëheqësit komunal, kryetarin e komunës, që projekt-propozimi ynë për zhvillimin e ndeshjes së Challange Cup të realizohet, kurse sa i përket skuadrës ne siç e thamë më lart, synojmë të konsolidohemi edhe me hendbollistet e nevojshme dhe përfaqësimi ynë ndaj skuadrës italiane do të jetë dinjitoze, më mirë të themi synojmë të jemi skuadër e vështirë për italianet”, përgjigjet Shala.

A ka gjasa që të largohet Elma Kameri, ndërsa a ka shpresa Istogu të sjellë lojtare nga jashtë dhe në cila reparte ka nevojë? “Hendbollistja më e mirë e Kosovës, Elma Kameri, mund të mbetet vetëm sinonim i skuadrave kosovare, ajo është bartëse e lojës së skuadrës së KHF Istogut, të gjitha ambiciet e saja personale janë të lidhura ngushtë me skuadrën dhe qytetin e Istogut. Ajo së bashku me kapitenen Albina Rugova konsiderohen emblemë e skuadrës së Istogut dhe kalimi i tyre në ndonjë skuadër tjetër është i paimagjinuar.

Sa i përket përforcimeve nga jashtë momentalisht jemi në bisedime me dy hendbolliste malazeze, të cilat deri tani ishin pjesë e elitës së hendbollit slloven, por se a do të arrijmë që t’i kemi në dispozicion shërbimet e tyre, varet nga disa oferta që kanë nga një skuadër turke. Ne jemi në pritje dhe shpresojmë që të arrijmë të kemi marrëveshje me to”, thotë Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat