Tahirukaj në përbërjen më të mirë të Evropianit

Hendboll

Tahirukaj në përbërjen më të mirë të Evropianit

Më: 30 korrik 2018 Në ora: 12:00
Tahirukaj në përbërjen më të mirë të Evropianit

Kombëtarja U-20 e Kosovës në hendboll ka patur një evropian të suksesshëm duke u renditur e shtata. Ndeshjen për vend të shtatë e luajti të dielën, ndërsa fitoi 27:26 ndaj Sllovakisë. Në përgjithësi pati tri fitore e katër humbje, por u paraqit në nivel të lartë edhe ndaj përfaqësueseve favorite. Natyrisht si në çdo kampionat e ngjarje tjetër kishte lojtarë që u dalluan më shumë. Këtë herë te Kosova të tillë ishin Jon Muqolli e Drenit Tahirukaj. Madje Tahirukaj, sipas vlerësimit të trajnerëve u përzgjodh në ekipin më të mirë të evropianit të Divizionit B që u mbajt në Podgoricë deri të dielën.

Tahirukaj zuri vend në përbërjen më të mirë të evropianit në pozitën e bekut të djathtë. Lojtari i Besa FamGas e ka patur në garë për këtë pozitë malazezin Branko Vujoviq që është pjesë e Celjes së Sllovenisë. Ndërkohë Jon Muqolli, që ishte prej golashënuesve më të mirë, nuk ia doli të përfshihet në përbërjen më të mirë. Në pozitën e tij kishte konkurrencë të jashtëzakonshme dhe Joni mbeti prapa turkut Doruk Pehlivan. Është ky një sukses tjetër për Kombëtaren U-20 të Kosovës.

Në Evropianin e Divizionit B, në Podgoricë, garuan 11 ekipe kombëtare të ndara në dy grupe. Kosova në plasmanin përfundimtar ka lënë prapa Sllovakinë, Bullgarinë, Moldavinë e Gjeorgjinë. Por edhe me kombëtaret më lart të renditura Kosova ishte rivale e barabartë. E para u rendit Çekia, që fitoi në finale ndaj Austrisë me rezultat 27:17. Me të dy këto kombëtare ishte përballur Kosova dhe atë me plot sukses. Madje ndaj Çekisë ka mundur lehtë të barazojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat