Kosova e mbyll me fitore evropianin e suksesshëm

Hendboll

Kosova e mbyll me fitore evropianin e suksesshëm

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 17:19
Kosova e mbyll me fitore evropianin e suksesshëm

Në një ndeshje të fortë, të nivelizuar dhe me shumë nerva, djelmoshat e Fatmir Muhaxherit gjunjëzuan Sllovakinë, pas një lufte të madhe deri në momentin e fundit. 27:26 ishte rezultati në të mirë të kombëtares U-20 të Kosovës në hendboll në ndeshjen e së dieles që ishte e vlefshme për pozitën e shtatë në kampionatin evropian, Divizioni B. Me këtë ndeshje Kosova i ka dhënë fund evropianit që u mbajt në Podgoricë të Malit të Zi.
Djelmoshat e Kosovës prej fillimit e deri në fund ishin në avantazh, ndërsa sllovakët ia dolën vetëm të barazojnë në dy-tri raste. Ishte vlerësim se edhe gjyqtarët nga Finlanda në disa raste kanë dëmtuar kombëtaren tonë, por portieri Flakrim Beqiraj ishte i pamposhtur në shumë momente. Ndërkohë Jon Muqolli e Drenit Tahirukaj kanë “bombarduar” portën rivale. Ata u ndihmuan nga Lulzim Shabani, Labinot Gubetini, Atdhe Basholli, Festim Mustafa, Adrian Halili, Agon Bajqinovci, Art Luzha, Arbër Dugolli, Jon Vokshi, Besian Abazi por edhe nga Etrit Hoxha, Yll Muqolli, Bardh Berisha, që nuk patën rastin të aktivizohen por ishin të gatshëm për të dhënë kontributin.
Në përgjithësi në Evropian kombëtarja U-20 pati paraqitje shumë të mirë edhe pse u përball me kundërshtarë të fortë dhe kishte orar shumë të ngjeshur. Për nëntë ditë luajti shtatë ndeshje. Vlerësohet se edhe humbja e së shtunës nga Turqia ishte rrjedhojë e lodhjes. Ekspertët e hendbollit prezent në evropian, por edhe zyrtarët e EHF-së mbetën të befasuar me nivelin e lojërave të shfaqura nga Kosova, duke e cilësuar edhe si kombëtaren më të diciplinuar.
Një falenderim për punën dhe përkushtimin e meriton shtabi teknik i udhëhequr nga Fatmir Muhaxheri, që u ndihmua nga Benon Brahushi. Vlerësohet edhe kontributi i fizioterapeutit Leonard Bushati që u kujdes për shëndetin dhe për sanimin e lëndimeve të lojtarëve. Evropiani do të jetë një përvojë e paharruar për këta lojtarë, prej të cilëve pritet shumë në të ardhmen.

Kosova – Sllovakia 27:26 (15:12)
Kosova: Tahirukaj 9, Muqolli 7, Bajqinovci 3, Shabani 3, Basholli 2, Gubetini 2, Vokshi 1, Abazi, Beqiraj, Berisha, Dugolli, Halili, Hoxha, Luzha, Muqolli, Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat