Kosova nuk ia del me turqit

Hendboll

Kosova nuk ia del me turqit

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 13:13
Kosova

Kombëtarja U-20 e Kosovës në hendboll ka humbur nga Turqia në ndeshjen për plasman prej pozitës pesë deri në pozitën e tetë në kampionat evropian. 28:18 në të mirë të turqve ishte rezultati i takimit të luajtur të shtunën në mesditë në Kompleksin Verde në Podgoricë të Malit të Zi. Kështu Turqia do të luajë për vendin e pestë ndërsa kombëtarja jonë luan për rangim në vendin e shtatë. Ndeshjen e luan të dielen.
Për kombëtaren tonë kjo ishte ndeshja e gjashtë në kuadër të kampionatit evropian, Divizioni B, që po mbahet në Podgoricë. Në kuadër të grupit A kishte dy fitore dhe tri humbje dhe kështu u rendit e katërta, pas Austrisë, Çekisë e Holandës. La prapa Moldavinë e Bullgarinë, të cilat kombëtare i mposhti. Turqia ishte e treta në grupin B. Me Turqinë, kombëtarja jonë ishte përballur dy herë edhe në kuadër të përgatitjeve për këtë evropian. Të dy ndeshjet ishin mbyllur në të mirë të turqve.
Të shtunën turqit kishin më shumë nga ndeshja. Epërsia prej dhjetë golave e tyre u arrit vetëm në minutën e fundit, pasi thuajse gjatë tërë kohës ishte përgjysmë më e vogël. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 14:10 në të mirë të Turqisë.
Drenit Tahirukaj ishte më efikasi te Kosova me tetë gola. Katër herë shënoi Jon Muqolli, ndërsa të tjerët nuk realizuan mbi një gol.

Kosova – Turqia 18:28 (10:14)

Kosova: Arti Luzha, Labinot Gubetini 1, Besian Abazi, Arben Dugolli, Drenit Tahirukaj 8, Lulzim Shabani 1, Etrit Hoxa, Adrian Halili 1, Festim Mustafa, Flakrim Beqiraj, Jon Muqolli 4, Elion Vokshi 1, Atdhe Basholli 1, Agon Bajqinovci, Bardh Berisha, Yll Muqolli 1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat