Kosova pëson humbje të rëndë nga arabët

Hendboll

Kosova pëson humbje të rëndë nga arabët

Më: 25 korrik 2018 Në ora: 10:40
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Kosovës në hendboll e ka humbur ndeshjen e parë testuese-kontrolluese ndaj Arabisë Saudite, të martën mbrëma në Slloveni. 28:17 në të mirë të arabëve ishte rezultati, ndërsa pas pjesës së parë të takimit stërvitor shifrat ishin 10:5 për arabët. Kombëtarja jonë në këtë ndeshje është paraqitur pa shumicën e lojtarëve standard. Kanë munguar plot 15 lojtarë të rregullt të kombëtares, ndërsa sfida kishte për qëllim testimin e disa lojtarëve të ri. Për këtë qëllim është shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohet edhe ndeshja e nesërme po ndaj Arabisë Saudite. Përzgjedhësi Taip Ramadani ka treguar për anët pozitive në paraqitjen e Kosovës, por poashtu ka përshkruar lëshimet e shumta në lojën e ekipit tonë.
Më poshtë paraqesim deklaratën e përzgjedhësit Taip Ramadani për ndeshjen e parë me Arabinë Saudite:
“Para dy-tri javësh e morëm një thirrje nga Federata e Arabisë Saudite për dy lojë miqësore-kontrolluese me përfaqësuesen arabe, që është në përgatitje për kampionat botëror. Ndonëse nuk ishim të përgatitur dhe shumica e lojtarëve ende janë në pushim nga stinori i fundit, vendosëm t’i përgjigjemi pozitivisht ftesës.

Një numër i madh i lojtarëve vendorë dhe në diasporë nuk kanë mundur të udhëtojnë me kombëtare për arsye të obligimeve ndaj klubeve. Mirëpo kjo është një mundësi e mirë që t’i provojmë disa lojtarë që nuk kanë patur rast të luajnë me ne më parë. Isha i kënaqur me mbrojtjen tonë në pjesën e parë, sidomos me bashkëpunimin e mesit të mbrojtjes me portierin. Mirëpo në sulm nuk jemi treguar efikas. Humbëm më shumë se dhjetë mundësi të pastërta për shënim, me vendime të gabuara dhe gjuajtje të dobta. Gjithashtu niveli i pasimeve dhe kapjes së topave ka qenë jashtëzakonisht i dobët. Në pjesën e dytë patëm rënie drastike fizike dhe Arabia Saudite shfrytëzoi çdo gabim teknik tonin për të na ndëshkuar. Një pikë pozitive nga ky takim ka qenë paraqitja e portierit të Kastriotit, Mursel Mehmeti, që është ftuar për herë të parë.

Mehmeti më ka lënë përshtypje jashtëzakonisht pozitive me paraqitjen e tij. Ai ka dëshmuar pjekuri në leximin e lojës dhe në bashkëpunim me mbrojtjen. Është një talent me potencial të madh dhe duhet të trajtohet si i tillë. Tash na mbetet të përgatitemi për ndeshjen e nesërme dhe shpresojmë në një paraqitje shumë më të mirë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat