Presidenti i FHK-së dhe KH Kastriotit, të pikëlluar me vdekjen e ikonës së hendbollit

Hendboll

Presidenti i FHK-së dhe KH Kastriotit, të pikëlluar me vdekjen e ikonës së hendbollit

Nga: K. Goca Më: 17 korrik 2018 Në ora: 12:52
Sheqer Shllaku

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, është i pikëlluar me humbjen e një sportistit të madh siç është Sheqer Shllaku. Ish portieri i mirënjohur i hendbollit ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare.  “Ngushëllime të sinqerta familjes, hendbolldashësve të Ferizajt, artistëve figurativ, për humbjen e Sheqer Shllakut. Sheqeri, ka qenë njeri nga ata të cilët shkëlqyen gjatë viteve 60-70. Portieri i shkëlqyer që la mbresa tek gjeneratat e ardhme.

Përveç kësaj, ai ishte edhe artist, duke qenë kryetari i parë Shoqatës së artisteve figurativ në Ferizaj. Mbi të gjitha Sheqer Shllaku, ishte njeri i mirë, hendbollist e hendbolldashës dhe mik i shkëlqyer. Sheqeri në shume raste me ka dhënë kurajo për punën tonë të gjithmbarshme për zhvillimin e hendbollit në Kosovë. Ky ishte virtyti i tij, të ndihmoj dhe të zhvilloj. Ngushëllime”, shkruan Saraçini. Te KH Kastrioti janë të tronditur me vdekjen e Shllakut. “Sot hendbolli ferizajas dhe sporti në përgjithësi është në zi. Humbëm ikonën e angazhimit të pakursyer, profesorin e nderuar dhe sportistin e dalluar ferizajas, Sheqer Shllaku.

Nga tribuna nuk do të dëgjohet më zëri i tij në instruksionet ndaj lojtarëve dhe thirrja për fitore. Ferizaj humbi ikonën e hendbollit dhe qytetarin e zellshëm e punëtor. Ngushëllime familjarëve, miqve dhe dashamirëve të sportit! I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, shkruan Lulzim Abazi, kryetar i Klubit të Hendbollit “Kastrioti”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat