Pesë skuadra të Kosovës në Kupë Evropiane

Hendboll

Pesë skuadra të Kosovës në Kupë Evropiane

Më: 6 korrik 2018 Në ora: 11:00
Pesë skuadra në Kupë Evropiane

Kosova do të përfaqësohet me pesë klube në Kupat Evropiane në hendboll në edicionin e ardhshëm 2018/19. Në fakt Federata e Hendbollit të Kosovës e kishte të drejtën që në gara evropiane të ketë plot tetë skuadra, por një pjesë e skuadrave që këtë të drejtë e fituan përmes garës, nuk e shfrytëzuan kryesisht për çështje financiare.

Te meshkujt, kampioni Besa FamGas do të luajë në Kupën e EHF-së, që është niveli i dytë pas Ligës së Kampionëve. Në Challenge Cup (Kupën Sfiduese) do të garojnë Prishtina dhe Kastrioti i Ferizajt. Të drejtën e kishte edhe Drita, por ajo nuk aplikoi. Dy ditë më parë ka përfunduar afati për aplikim për paraqitje në Kupa Evropiane për edicionin e ri.

Te femrat, kampioni KHF Shqiponja do të garojë në Kupën e EHF-së (EHF Cup). Ndërkohë KHF Istogu do të garojë në Challenge Cup, përkatësisht Kupën Sfiduese. Ndërkohë Prishtina e Vushtrria nuk kanë aplikuar për të garuar në Challenge Cup.

Shorti për edicionin e ri do të tërhiqet më 17 korrik në Vjenë. Do të tërhiqet shorti për dy raundet e para në Kupën e EHF-së dhe në Kupën Sfiduese.

EHF-ja ka njoftuar se më 10 korrik do të publikojë emrat e të gjitha ekipeve të konfirmuara dhe listën e ekipeve bartëse.

Klubet e hendbollit janë të parat klube sportive të vendit që kanë nisur me gara evropiane. Që në edicionin 2005\06, Besa dhe skuadra tjera kanë luajtur ndeshje zyrtare evropiane, ndërkohë që në sported tjera klubet për të fituar këtë të drejtë është dashur të presin afro një dekadë më shumë.

Skuadrat shpresojnë që të kenë fat në short, ndërsa hendbolldashësit shpresojnë në paraqitje të denja dhe prezentim të mirë të hendbollit të vendit në skenën evropiane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat