Muhaxheri: Austria është kundërshtar i papërshtatshëm

Hendboll

Muhaxheri: Austria është kundërshtar i papërshtatshëm

Nga: Kemajl Goca Më: 29 qershor 2018 Në ora: 16:47
Muhaxheri: Austria është kundërshtar i papërshtatshëm

Kombëtarja e Kosovës U-20 (meshkujt) përgatitet tash e sa ditë në palestrën e sportit “Shani Nushi” në Gjakovë, me synime të mëdha për kualifikimet në Kampionatin Evropian në hendboll. Kosova U-20 bënë pjesë në grupin A, ndeshjet e të cilit luhen në Podgoricë të Malit të Zi. Kosova më 20 korrik përballet me Holandën, ndërsa më pas luan me Çekinë (22 korrik), Moldavinë (23 korrik), Austrinë (25 korrik), Bullgarinë më 26 korrik.

Trajneri i kombëtares së Kosovës,  Fatmir Muhaxheri, ka deklaruar për gazetën “Bota sot” se grupi është shumë i fortë por beson në kualifikim. “Presin të na bashkohen edhe Xhafolli dhe Mustafa, që të kompletohem. Kushtet janë shumë të mira dhe më shumë punohet në anën fizike për shkak se ka kohë që janë klubet në pushime pas përfundimit të kampionatit, po ashtu do të punojmë edhe teknikisht deri me 3 korrik. Pastaj prapë me 7 korrik grumbullohem dhe me 19 korrik udhëtojmë për në Podgoricë”, tha Muhaxheri.

Grupi është mjaft i fortë, megjithatë Muhaxheri shpreson në dy vendet e para. “Mund të them se do ta bëjmë të pamundurën, në bazë të hendbollistëve që posedoj, ndërsa ekipet kundërshtare disa i njoh mirë e disa jo, por e di që janë mjaft të forta.  Që nga marsi i këtij viti nuk kemi pasur grumbullime ashtu siç kishim parashikuar çdo muaj sepse do të ishim më të komponuar e më kompakt për këto gara”, tha ai. Si kundërshtar më të vështirë e sheh Austrinë. “Do ta bëjmë të pamundurën, të jemi të parët apo të dytët. Austria është e papërshtatshme, Moldavinë e njohim pak a shumë, për Holandën kemi pak njohuri sikurse edhe për Çekinë”, thotë Muhaxheri.

Nëse e fitoni takimin e parë ndaj Holandës, a do të jetë më lehtë në sfidat e radhës? “Sfida e parë, nëse e fitojmë, në takimet e ardhshme motivi do të jetë edhe më i madh. Atmosfera është shumë e mirë, kushte të mira në hotel ‘Jakova’ dhe janë shumë të favorshme. Stërvitem dy herë në ditë, paradite dhe pasdite, nga dy orë në ditë. Do të na bashkohet edhe trajneri kondicional Enver Tahiraj.  Mendoj se kemi një grup kompakt, që dy – tri vjet janë bashkë, kur ishin edhe me trajnerin Verim Zherka. Është një grup i mirë, i talentuar dhe ardhja në grumbullim i djemve nga jashtë ka begatuar ekipin”, tha Muhaxheri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat