Kosova me mungesa kundër Hungarisë

Hendboll

Kosova me mungesa kundër Hungarisë

Nga: Kemajl Goca Më: 29 maj 2018 Në ora: 15:42
Agron Shabani

Kombëtarja e Kosovës është para një sprove shumë të vështirë, përballet me Hungarinë, në ndeshjen e xhiros së pestë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në hendboll (femrat).  Sfida mes Kosovës dhe Hungarisë do të zhvillohet nesër (18.00) në qytetin e hendbollit, në palestrën e sportit “Bill Clinton” në Ferizaj.

Hungaria nuk është rivale e panjohur për Kosovën, pasi që janë takuar me 27 shtator të vitit të kaluar në Budapest, të cilën ndeshje e fituan hungarezet me rezultat 37:12. Kosova, në katërt ndeshjet e para nuk ka as një fitore dhe asnjë pikë, kurse Hungaria ka tri fitore e një humbje dhe së bashku me Holandën prijnë me nga 6 pikë në grupin e 7-të.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Agron Shabani, ka deklaruar se është shumë vështirë, por shpreson në një paraqitje të denjë. “Së pari ku e luajmë ndeshjen, është në qytetin e hendbollit, në Ferizaj dhe shpresoj të kemi përkrahjen e publikut. Është lojë e vështirë, kur dihet se në Budapest kemi pësuar humbje të thellë”, tha Shabani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kosova ka mungesa të rëndësishme për këtë përballje shumë të vështirë. “Disa lojtare kyqe mungojnë, si Leonora Demaj, Xhevahire Bajramaj dhe Elma Kameri, të cilat janë të lënduara. Jemi pak të dobësuar pothuajse për gjysmën e kuadrit që kemi pasur në të kaluarën. Kemi dy emra të rinj Adriana Merditajn dhe Adriana Salihun. Është një ndeshje e vështirë por ne do të japim maksimumin, që sado kudo të jemi një kundërshtar më i denjë se herëve të kaluara”, tha përzgjedhësi.  Ndërkaq, Hungaria vjen për dy pikë në Ferizaj, por nuk janë të kompletuar. Sipas Shabanit, ato kanë disa mungesa shkaku që janë të lënduara disa lojtare. “Rreziku vjen nga të gjitha anët sepse kur dihet se HC Gyori nga Hungaria fitoi edhe Champions League. Ne kemi punuar në këtë drejtim për një rezultat më të mirë”, shprehet i matur Shabani. Ish hendbollisti i mirënjohur, tha se kushtet janë fenomenale si në Prishtinë po ashtu edhe në Ferizaj.

“Kushtet janë fenomenale, atmosfera e mirë, vajzat janë të motivuara. Ma merr mendja do të japim maksimumin, në bazë të atmosferës së vajzave dhe vullnetit që kanë për të luajtur për shtet, edhe pse e kanë kundërshtarin shumë të fortë. Kjo ndeshje është një test i mirë për ne, kur  e dimë që jemi në zhvillim e sipër.

Është një test i mirë për vajzat si në takim me Hungarinë si me Holandën, që me pa që hendbolli ka shkuar larg. Jo për një e dy vite, por për shumë vite që ne ta rrisim nivelin. Shpresojmë se Albana Arifi së shpejti do të jetë në radhët tona dhe dalëngadalë të formojmë një ekip të re sepse edhe si shtet jemi shtet i ri. Në të ardhmen, në bazë të kërkesave të FHK-së, e cila po mundohet me mish e më shpirt që të formohet një ekip cilësore, shpresoj se do të na shpaguhet edhe mundi”, ka thënë Shabani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat