Muqolli: Prishtina na bëri ballë paksa! Zherka arsyeton humbjen

Hendboll

Muqolli: Prishtina na bëri ballë paksa! Zherka arsyeton humbjen

Më: 27 maj 2018 Në ora: 19:13
Besa

Besa FamGas nga Peja është kampion i Kosovës në hendboll për edicionin 2017\18. Ekipi pejan që drejtohet nga Arben Muqolli titullin e festoi të dielen pasdite në kryeqytet kur fitoi ndaj Prishtinës me rezultat 34:28. Ishte kjo ndeshja e dytë e finales së plejofit të kampionatit të Kosovës në hendboll. Besa e ka fituar edhe ndeshjan e parë të luajtur të enjten në Pejë dhe kështu me rezultat 2:0 në finale, siguroi titullin e kampionit.
Besa FamGas ka fituar më herët këtë vit edhe Kupën e Kosovës dhe kështu ka vazhduar me dominim të plotë në hendbollin kosovar.
Prishtina të dielen ishte në epërsi pas pjesës së pare, me rezultatin 17:14. Por në të dytën pejanët u kthyen fuqishëm dhe arritën te fitorja. Prishtina i ka të lënduar disa lojtarë dhe ka fond të kufizuar të lojtarëve.
Për Besën është titulli i pestë rresht dhe i 14-ti gjithsej pas pavarësimit të sportit. Ekipi pejan tani do të kërkojë suksesin edhe në gara evropiane, ku ka bërë hapa para në vitet e fundit.
Në ndeshjen e fundit të edicionit Besën drejt fitores e udhëheqën Egzon Gjuka me 11 gola dhe Kastriot Jupa me nëntë. Te Prishtina më efikasi ishtePetrit Prekazi me tetë gola kurse shtatë herë realizoi Deniz Terziqi.
“Është viti i pestë rresht që e fitojmë titullin pa konkurrencë shumë të madhe, ndonëse këtë vit Prishtina na bëri ballë paksa dhe na shkaktoi humbjen e parë pas katër viteve. Prishtina në këtë ndeshje ishte më e fortë se në ndeshjen e parë në Pejë, të cilën e fituam më lehtë. Ne kemi hendbollistë që kanë bërë dallimin si në vitet e kaluara”, ka thënë trajneri i Besës, Arben Muqolli.
Trajneri i Prishtinës, Verim Zherka ka thënë se pjesa e parë ishte e mirë.
“Një pjesë e parë e mirë, por në të dytën ekipi pësoi rënie. Kjo na ka ndodhur edhe herë të tjera gjatë stinorit. Po shihet që ka mungesë në ekipin tonë, sidomos të lojtarëve të bankës, ndërsa te Besa kjo nuk vërehet”, ka thënë Zherka.

Prishtina – Besa FamGas 28:34 (17:14)

Prishtina: Ademi, Stoilov 1, Visoka 1, Gjuka 1, Gashi, Kastrati, Kosteski, Prekazi 8, Bajqinovci 5, Sula 1, Fetahu 2, Murtezi, Terziqi 7, Krasniqi 2.
Besa FamGas: Curri, Idrizi 1, Biljaka 1, Broqi, Gjuka 11, Jupa 9, Vokshi, Megjiq 5, Dre. Tahirukaj 1, Dri. Tahirukaj 2, Ramosaj, Kukrika 1, Tafilaj, J, Muqolli 3, Beqiraj, Berisha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat