Tahirukaj: Besa është afër titullit, por ende ka lojë!

Hendboll

Tahirukaj: Besa është afër titullit, por ende ka lojë!

Nga: Kemajl Goca Më: 25 maj 2018 Në ora: 17:25
Drilon Tahirukaj

Besa FamGas nga Peja është shumë afër titullit të pestë rresht në elitën e hendbollit të Kosovës. Pejanët deri më tash 13 herë kanë fituar titullin e kampionit pas mëvetësimit të sportit të Kosovës nga ai serbosllav.  Dy tituj i kanë të paraluftës dhe 11 të pasluftës, ndërsa tani një barazim apo fitore i ndanë nga titulli. Në ndeshjen e parë të finales së play-off-it, Besa e dërrmoi Prishtinën me rezultat 37:23 dhe me qetësi pret finalen e dytë në kryeqytet, hendbollisti më i dalluar, Drilon Tahirukaj, me shtatë gola ndihmoi Besën në fitoren bindëse. Ai tha se Prishtina ka qenë e dobët në të gjitha aspektet.

“Ka qenë lojë e mirë nga ana e Besës, ashtu siç dimë ne. Mendoj se ka qenë lojë e dobët nga Prishtina në të gjitha aspektet”, tha Tahirukaj për gazetën kombëtare “Bota sot”. A mendoni se titullin e keni në xhep? “Jo, asgjë nuk dihet ende, pasi që çdo ekip ka ditën e saj të mirë, ndonjëherë edhe ditën e keqe të saj. Ndoshta Prishtina ka pasur ditën e keqe në Pejë”, thotë hendbollisti. Pejanët përgatiten maksimalisht që në kryeqytet të triumfojnë dhe ta festojnë titullin e kampionit. “Forca e Besës është në mbrojtje dhe daljet e shpejta apo kundërsulmet”, tha ai.  

Pas trofeu të Kupës Besa kërkon edhe titullin e kampionit. Besa, edhe këtë herë nuk po ndjen rivalitet? “Po e vërtetë shumë, e vërtetë se Besa në edicionin e ardhshëm, më duket se në shtator do të ketë rivalitet, pasi që klubet shihet se bëjnë lëvizje pozitive”, shpreh optimizmin Tahirukaj. Sa i përket edicionit të sivjetshëm, Tahirukaj mendon se ka pasur një ngritje të nivelit: “E shoh me një rritje të lehtë të kualitetit dhe interesimit për hendboll, por shpresoj kampionati i ardhshëm të jetë më rivalitet më të madh”. Si e sheh ndeshjen e dytë finale në kryeqytet, me një presion apo jeni të qetë? “Të them të vërtetën, nuk e mbaj mend Besën që 4 vite që ka presion në ndonjë ndeshje, e kam fjalën për garat vendore”, thotë Tahirukaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat