Fazlija: Shqiponja mendon për Evropë!

Hendboll

Fazlija: Shqiponja mendon për Evropë!

Nga: Kemajl Goca Më: 24 maj 2018 Në ora: 10:14
Shpresa Fazlija

Shqiponja nga Gjakova është futur në histori të hendbollit të Kosovës, në konkurrencën e femrave. Klubi që është themeluar para 19 viteve është kampione e Kosovës, për herë të parë në historinë e saj. Në këtë kolektiv e festuan në mënyrën më madhështore suksesin e madh dhe tani e kanë fokusin që të përgatiten sa më mirë për rrafshin ndërkombëtar.

Ndërkaq, hendbollistja Shpresa Fazlija apo siç vlerësohet si motori i ekipit, tha se e kanë merituar këtë sukses të jashtëzakonshëm. Kur shumica mendonin se Shqiponja zor që mund të stoliset me titullin e kampiones, ato shkëlqyen në takimin e fundit si mysafire, duke e mundur me rezultat 21:19 Vushtrrinë, rivalen direkte.

Vushtrrisë i mjaftonte një pikë që të bëhej kampione, por nuk ia doli, pasi që Shqiponja dëshmojë lojë shumë të fortë dhe importuan dy pikë të arta. Shqiponja zuri vendin e parë me 33 pikë, sa kishte edhe Vushtrria në vendin e dytë.

  “Bota sot”: Shqiponja pothuajse i kishte gjasat minimale për vend të parë, por ia doli në fund ndaj Vushtrrisë dhe shpallet kampione, ku ishte forca kryesore?

Shpresa Fazlija: Dëshira e madhe për të bërë klubin e Shqiponjës kampione pas 19 viteve pjesëmarrje në Superligën e Kosovës, na bëri të japim maksimumin nga vetja.

“Bota sot”: Shqiponja u ballafaqua me ngritje e rënie në kampionat, sa ishte vështirë ky rrugëtim deri te titulli i parë në histori të saj?

Shpresa Fazlija: Ishte vështirë, pasi që tri lojtare standarde u lënduan thuajse në fillimin dhe barra e lojës u shtua.

“Bota sot”: Shqiponja siguroi biletën për në garat Evropiane, a e sheh më të fortë?

Shpresa Fazlija: Për garat evropiane synojmë me i marrë disa lojtare nga Ballkani e Europa që me korrë suksese.

“Bota sot”: A mendoni se ka qenë Kampionati më i fortë në krahasim me vitet e kaluara?

Shpresa Fazlija: Nuk mendoj ashtu, çdo ditë e më shumë po dobësohet liga, shumica e lojtareve më të mira të ligës nuk janë aktive.

“Bota sot”: Pas shumë viteve thyhet tabuja e Kastriotit, Prishtinës dhe titulli shkon në Gjakovë, kupa në Istogu, si e vlerësoni?

Shpresa Fazlija: Kam pas kënaqësi t’i përjetoj këtë tabunë e Kastriotit e të Prishtinës,  pasi që kam qenë pjesë e tyre, por këtë sezon e kanë merituar si Istogu ashtu edhe Shqiponja, të cilët kanë punuar pa hezitim dhe ju shpërblye.

“Bota sot”: A ka rritje të cilësisë në përgjithësi të ligës?

Shpresa Fazlija: Nuk mundem me thënë rritje të cilësisë, kur kombëtarja përbëhet më shumë nga lojtaret e jashtit se sa vendase.

“Bota sot”: A jeni e kënaqur me kushtet në klub dhe çfarë e ka veçuar edicionin e sivjetshëm?

Shpresa Fazlija: Personalisht jam shumë e kënaqur, pasi që marrëveshja shkoj ashtu siç e kemi bërë.  Pas 5 viteve që kthehem në Gjakovë, në vendin tim për të luajtur shoh që janë shumë më të përgjegjshëm në përgjithësi dhe ka më shumë përkrahës të hendbollit, këtë e quaj veçori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat