Besa FamGas nga Peja është fitues i Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt), pasi që në finale e mundën Prishtinën me rezultat të ngushtë 31:29 (18:16), në takimin që u luajt në palestrën e sportit "Karagaçi" në Pejë.
Egzon Gjuka me 12 gola e Kastriot Jupa me 10 janë me të merituarit për trofeun që fitoi Besa, ndërsa te Prishtina u dalluan Petrit Prekazi me 9 gola e Denis Terziqi e Beni Syla me 7.
Arben Muqolli, trajner i Besës, është i lumtur për lojën dhe triumfin, ndërsa Verim Zherka, trajner i Prishtinës, pa dyshim se është i zhgënjyer, pasi që nuk arritën ta fitojnë Kupën.