Vushtrria drejt titullit, Prishtina bindshëm në Gjakovë

Hendboll

Vushtrria drejt titullit, Prishtina bindshëm në Gjakovë

Më: 22 prill 2018 Në ora: 19:31
Pamje nga një ndeshje

Nuk ka dhënë fitues derbi i javës së 17-të në Superligën A të Kosovës në hendboll për femra. Ndeshja mes Shqiponjës e Vushtrrisë u mbyll me rezultatin 26:26. Kjo ndeshje u luajt në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Pas pjesës së parë vendaset ishin në epërsi me një gol, 14:13, por në fund rezultati ishte i barabartë.

Vushtrria kështu ka ruajtur epërsinë prej dy pikëve ndaj Shqiponjës. Udhëheq me 29 pikë, ndërsa Shqiponja e vendit të dytë i ka 27 pikë. Vushtrria është shumë afër titullit të kampionit. Sh. Fazlija me 12 gola ishte më efikasja te Shqiponja, kurse te Vushtrria u dallua Sh. Tahiri me tetë gola. Në Gjakovë u luajt edhe ndeshja tjetër e javës së 17-të, Istogu fitoi ndaj Prishtinës me dy gola dallim, 22:20. 8:7 ishte rezultati pas pjesës së parë. E. Kameri udhëhoqi Istogun me nëntë gola. Te Prishtina nga pesë gola i shënuan Q. Berisha e A. Stagova. Istogu mbetet i treti me 25 pikë, ndërsa Prishtina në vend të katërt me 19 pikë. Në Superligën B, u luajt ndeshja mes Samadrexhës dhe Kastriotit. Fitore shënuan ferizajaset me rezultat 28:21. Kastrioti është i pari me 18 pikë pikë.

Ndeshja mes Dritës e Vëllaznimit luhet më 25 prill. Në konkurrencën e meshkujve ashtu siç pritej edhe fituan skuadrat favorite. Besa FamGas, kampion në fuqi dhe lider i tabelës, e mposhti me rezultat 36:29 rivalin e vjetër, Kastriotin e Ferizajt. Besa vazhdon të prinë me 50 pikë, katër më shumë se Prishtina. Në Gjakovë, Vëllaznimi nuk i bëri ballë lojës së Prishtinës, duke pësuar humbje me 14 gola dallim (31:45). Prishtina dëshmoi lojë shumë të mirë dhe me efikasitet të lart. Për Prishtinën ishte një test i mirë në prag të ndeshjeve të Kupës së Kosovës, që zhvillohet me 4 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat