KHF Istogu në telashe, a po ikë trajneri?

Hendboll

KHF Istogu në telashe, a po ikë trajneri?

Nga: Kemajl Goca Më: 16 prill 2018 Në ora: 14:02
Pamje nga një ndeshje

Situata nuk është në vijën e duhur në klubin e hendbollit Istogu (femrat). Situata është aspak e mirë sidomos pas dy humbjeve, e para nga Shqiponja e Gjakovës me rezultat 25:24, pastaj edhe nga Vushtrria 26:22. Humbjet e fundit dhe nga rivalet direkte në luftë për titullin e kampionit, kanë shkaktuar një lloji tërmeti brenda klubit. Situata nuk është nën kontroll, ndërsa motivi ka humbë te lojtaret.

Faruk Shala është as në qiell as në tokë dhe raportohet se ka jap dorëheqje. “Faruk Shala është trajner në dorëheqje deri në fund të kampionatit, kështu e ka thënë në një takim me zyrtarët e klubit”, thotë për gazetën “Bota sot”, një burim brenda klubit të Istogut që nuk do të identifikohet me emër. “Kushte janë të mira, por motivi nuk është ashtu si duhet të jetë të lojtaret.

Trajneri ka jap shumë nga xhepi i vet dhe i kanë ndihmuar edhe disa të tjerë apo të afërt e tij. Shpenzimet janë të mëdha, ndërsa Kuvendi Komunal i Istogut duhet të ndihmojë më shumë sepse është një klub që po krenohet i tërë qyteti”, tha burimi brenda klubit.  Hendbollistet stërviten në presionin e humbjeve të fundit dhe të shqetësuara që humbën hapin për titull. Fokusi kryesorë është te Kupa e Kosovës, që e shohin si mundësi për të luftuar dhe për ta sjellë një nga sukseset më të mëdha në qytetin e tyre. Merret vesh se trajneri Shala është jashtë kontrollit sepse nuk mund t’i përballon të gjitha shpenzimet që ka. Klubi mund të futet edhe në një situatë më të rëndë, edhe të shkapërderdhet apo edhe të shuhet nëse Komuna nuk e ndihmon. “Shala nuk ka asnjë mundësi tjetër sepse nuk ka edhe mjete të mjaftueshme për të shpëtuar ekipin, të paktën për edicionin tjetër. Klubi i duhet një mbështetje dhe një infuzion në këto momente sidomos para ndeshjeve për Kupën e Kosovës”, tha burimi .

“Shala kritikohet edhe për humbjet e fundit,  por ai nuk e ka edhe bash fajin kryesor”, tha burimi. Faruk Shala shprehet kritikë, por sipas tij, duhet të shikoj në fund të kampionatit edhe për fatin e mëtutjeshëm të ekipit. “Përqendrimi dhe angazhimi i lojtareve nuk ka qenë i duhur në momentet vendimtare, pra në ndeshjet kryesore. Deri në fund të kampionatit do t’i barti të gjitha përgjegjësitë.

Pas përfundimit të kampionatit do të ulem me strukturat komunale dhe do ta shqyrtojmë fatin e mëtutjeshëm të klubit”, tha Shala i cili është që 14 vjet në krye të këtij ekipi. Istogu aktualisht është në vend të tretë me 23 pikë, pesë me pak se lideri Vushtrria dhe 3 se Shqiponja, kështu që janë fikur të gjitha shpresat për titullin e kampionit. Cili do të jetë fati i Istogut?

Sipas kësaj që shihet, nëse nuk ka ndonjë ndihmë më të madhe qoftë nga Komuna qoftë nga ndonjë sponsorë, historia e këtij klubit mund të merr fund qysh këtë vit. Nuk duhet harruar edhe faktin tjetër, se klubi të gjitha ndeshjet i ka luajtur në udhëtim pasi që nuk ka pasur palestër të veten dhe kjo ka ndikuar deri diku që të mungojë freskia te hendbollistet në ndeshjet kryesore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat