Radoniqi: Po vijnë ditët e mira për Vëllaznimin

Hendboll

Radoniqi: Po vijnë ditët e mira për Vëllaznimin

Më: 11 prill 2018 Në ora: 14:18
Edona Radoniqi

Kosova ka një numër të madh të talenteve të sporteve me dorë, ndër to është edhe hendbollistja gjakovare Edona Radoniqi. Edona është një emër që po vjen dhe lojtarja më e mirë në klubin e Vëllaznimit nga Gjakova. Ajo në takimin e fundit realizoi 14 gola, por nuk e shmangu humbjen e Vëllaznimit me rezultat të thellë 31:15 nga Kastrioti, në takimin që u zhvillua në palestrën e sportit “Bill Klinton” në Ferizaj. Edona luan në pozitat qendër dhe bek i majtë, është e gjatë 173 centimetra, e cila me fizikusin që ka, premton shumë në të ardhmen.  Edona shpreson se do të ikin nga fundi i tabelës.

“Ne shpresojmë që do të ikim nga fundi i tabelës, pasi që kemi filluar me punë intensive me ardhjen e dy trajnerëve Hamza Gjuka dhe Uran Luzha, si dhe rikuperimin e bashkëlojtares A. Kursani”, tha Edona për gazetën kombëtare “Bota sot”. Talentja e këtij sporti thotë se skuadrës i duhet më shumë hapësirë: “Vëllaznimit për momentin i mungon hapësirë më e madhe e ushtrimeve, që janë të mangëta, pasi që terminet janë të shumta në palestër”. Gjakovaret kanë ekip papërvojë dhe kjo po reflekton edhe në lojën e tyre.

“Neve edhe pse na mungon përvoja, por me këtë lloj pune që jemi duke e zhvilluar në vitet a ardhshme do të shfaqim rezultate më të mira”, theksoi ajo. Synimet e Edonës janë të mëdha dhe shpreson në një të ardhme të luajë edhe në një klub të madh jashtë vendit: “Unë kam vetëm 16 vjeç dhe synimet e mia për të ardhmen janë të jem një hendbolliste e shkëlqyer në Kosovë”. 

Hendbollistja është optimiste se shumë shpejt do të vijnë edhe sukseset. “Falë angazhimit të lojtareve dhe punës së kryesisë, trajnerëve,  ditët e mira do të vijnë shumë shpejt”, shpreh optimizmin Edona. Në fundjavë, Vëllaznimi do të ndeshet me Samadrexhën, e cila është edhe derbi i skuadrave që synojnë ta sigurojnë mbijetesën. “Synimi ynë dhe i Shtabit Teknik është disiplina dhe loja e bukur, pasi që këto dy ndeshje janë me rëndësi, atëherë ne do të japim maksimumin”, thotë Edona. Vëllaznimi është në fund të tabelës me 3 pikë, dy me pak se Samadrexha që mban pozitën e parafundit (i shtati) me 5 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat