Ku është Federata e Hendbollit e Kosovës dhe pse hesht karshi garave ilegale të Serbisë?

Hendboll

Ku është Federata e Hendbollit e Kosovës dhe pse hesht karshi garave ilegale të Serbisë?

Nga: Kemajl Goca Më: 1 prill 2018 Në ora: 14:51

Debate

Ku është Federata e Hendbollit e Kosovës dhe pse nuk reagon, pse lejon që Serbia t’i zhvillon garat ilegale në shtetin tonë. Ku është Ministria e Sporteve që nuk ua ndalon serbëve garat ilegale dhe të kërkojnë së bashku me FHK-në ndihmë edhe nga Federata e Hendbollit Evropian (EHF). Ku ishte FHK-ja me 31 mars dhe nuk reagoi apo nuk protestoi kundër ekipit të Beogradit (Obiliqit) që luajti në Kosovë dhe ishte ndeshje zyrtare në kuadër të Serbisë.

Ku ishte Federata e Hendbollit e Kosovës? Ju si FHK e keni sistemin e garave të Republikës së Kosovës dhe si është e mundur të vijë një ekip serbe e të shkoi pa u penguar nga askush. FHK, merre forcën tuaj që keni dhe ankoheni, protestoni dhe kërkoni nga EHF të ndalohen këto aktivitete ilegale.  Sa e sa herë vijnë ekipet nga Serbia në Zubin Potok dhe askush nuk bën zë, pothuajse po pajtohemi me garat ilegale. Nuk kemi guxim të ankohemi, por sigurisht nuk keni kohë sepse koha e juaj është që të lavdëroheni për rezultatet e mira.

Prandaj, koha nuk u premton për ankesë apo për një notë proteste për klubet serbe që futen në territorin tonë. FHK, dëshmoje me letra se ke kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës që të ndërhyhet në këto ndeshje ilegale të Serbisë. Kjo është katastrofë dhe e pakuptueshme se çfarë ndodhë në vendin tonë. Federata dhe Ministria e Sportit, që besa edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të gjejnë mënyrën për t’i ndalë këto gara në Republikën tonë, se nuk durohet kjo mënyrë. 

Nuk duhet të rrimë duarkryq por të kërkojmë me këmbëngulje që të ndalohen garat e Serbisë. Sporti ynë po nënçmohet, vije ekipi serb në mënyrën ilegale dhe e përfaqëson Serbinë në garat europiane. Kjo është e turpshme sepse vije e luan sikur në bahçe të babës në Kosovë. Nëse nuk guxoni të reagoni apo të protestoni, jepni dorëheqje dhe te vijnë njerëzit që vërtet e luftojnë të keqen në të gjitha drejtimet e jetës në Kosovë, se mjaft më, 10 vite shtet dhe nuk kemi guxim ta drejtojmë shtëpinë tonë. Nuk e di pse po frikohem apo kemi frikë që i prishim raportet apo marrëdhëniet me Federatën e Hendbollit të Serbisë. Provoni e shkoni në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe zhvilloni garat e Republikës së Kosovës, ta shohim se si do të reagojnë organet e Serbisë!

Autori është ish hendbollist i gjeneratës së artë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat