Suzana në formë, paralajmëron rivalet

Hendboll

Suzana në formë, paralajmëron rivalet

Nga: Kemajl Goca Më: 29 mars 2018 Në ora: 13:23
Suzana Ujkaj

Istogu kualifikohet në gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës në hendboll. Skuadra e Istogut triumfoi me rezultat 26:17 ndaj Dritës në Gjilan dhe firmën e kësaj fitore e mban edhe shqiptarja nga Malësia e Malit të Zi, Suzana Ujkaj,  motra e hendbollistes më të mirë shqiptare, Dijanës. Suzana para pak muajve iu bashkua Istogut, për herë të parë luajti një pjesë të madhe të ndeshjes kundër Dritës dhe realizoi pesë gola, duke konfirmuar se është në formë.

“Ky është vetëm fillimi, forma ime po rritet gjithnjë dhe do të shihni në fazën përfundimtare të garave, si dhe në ndeshjet e Kupës”, tha Suzana për gazetën kombëtare “Bota sot”. Suzana luan në pozitën e bekut dhe është e gjatë 177 centimetra dhe të rralla janë ato lojtare në vendin tonë që kanë madhësinë e dorës së saj. Ajo nuk kënaqet me pesë gola kundër Dritës. “E imja është të jap kontribut të madh për ekipin tim. Pak ka rëndësi sa shënon sa ka rëndësi të luash lojë kolektive sepse pjesë e lojës janë edhe mbrojtja dhe asistimi për bashkëlojtare. Kënaqësia është e imja që luajë në një klub siç është klubi i Istogut. Një klub i organizuar, me të gjitha kushtet dhe kjo të motivon për secilën sfidë.

Jam e fascinuar me këtë ekip dhe me qytetin që jeton me fitoren e këtij kolektivit”, tha Suzana.  Pas një kohe pushimi, e keni rritur nivelin e lojës tuaj, gjithnjë e më shkathët e me goditje të forta nga distanca, a paralajmëroni se titulli dhe Kupa po vijnë në Istog gjatë këtij viti? 

“Jam shumë e lumtur sepse unë qe dy muaj jam këtu dhe jam duke ushtruar çdo ditë që të arrijë te kthej formën, stërvitjet janë ne nivel dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë. Në fund i falënderoj trajnerin që është me mua në çdo hap dhe çikat e klubit. Kosova më bën të ndihem mirë sepse e shoh një gjallëri sportive. Sa për Kupë e për titull, ia lëmë kohës”, tha Suzana. Trajneri Faruk Shala shprehet se Suzana pas një pauze të gjatë po rikthehet në formë që po e presin të gjithë. “Suzana ndonëse u kthye prej një pauze të gjatë është shumë e përkushtuar në stërvitje dhe me punë ka arritur më ngritur formën sportive. Uroj të punoj edhe me shumë në vazhdim qe me mbërri formën sportive të nevojshme dhe me u paraqitur nivel më të lartë të garave, normalisht duhet me punuar edhe më shumë me komplet ekipin,  edhe rezultatet do të vijnë”, tha Shala. Cilën ekip e sheh me serioze për titull e për Kupë? 

Image

KHF Istogu

“Mendoj që nuk ka ndonjë dallim në mes skuadrave, për neve cili do që të jetë kundërshtari ynë është përafërsisht nivel i njëjtë, po me specifika të ndryshme. Uroj që ndeshjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt, ne si ekip nuk i shohim rrezikun nga skuadrat kundërshtare, përvoja e vitit të kaluar dhe rrjedha e kampionatit si po shkon po tregon këtë”, tha Shala. Pas 13 jave Istogu është në vend të dytë me 21 pikë,  ka dy me pak se liderja Vushtrria dhe një më shumë se Shqiponja që mban pozitën e tretë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat