Shala: Presioni është te Prishtina, jo te Istogu!

Hendboll

Shala: Presioni është te Prishtina, jo te Istogu!

Nga: Kemajl Goca Më: 8 mars 2018 Në ora: 17:58
Faruk Shala

Katër skuadra luftojnë fyt për fyti për titullin e kampionit në Superligën e Kosovë në hendboll (femrat). Vushtrria kryeson me 19 pikë, ka dy më shumë se Istogu në pozitën e dytë, pastaj renditen Shqiponja (18) e Prishtina (18), skuadra që synojnë titullin!  Trajneri i Istogut, Faruk Shala, tha se i ka të gjitha parakushtet që të stolisen me titullin e kampionit, duke u nisur nga kushtet më të mira që ka brenda ekipit, po ashtu edhe me lojtaret me të mira! “Edhe ne si skuadrat tjera pretenduese i shohim gjasat tona, dhe do të japim gjithçka nga vetja për të ia arritur qëllimit”, thotë Shala për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Fitore e zorshme në Ferizaj me rezultat 19:15 kundër Kastriotit, çfarë nuk shkoi? “Nuk do të thosha që ka qenë fitore e zorshme, në Ferizaj kemi luajtur aq sa na u është dashtë për të fituar, e kemi ditur që Kastrioti është shumë i motivuar ndaj nesh, kemi pas pak më shumë se sa është pritur gabimet në sulm, na ka munguar finalizimi sidoqoftë lojën e kemi kontrolluar vazhdimisht dhe fitorja nuk ka ardhur në dyshim për asnjë çast”, thotë ai.

Në fundjavë Istogu do të ketë njërën nga përballjet me të vështira, kundër kampiones në fuqi Prishtinës, e cila ka trajner Lulzim Nagavcin.  Shala tha se nuk janë në presion të kësaj ndeshje, por sipas tyre synojnë dy pikë për të vazhduar serinë e fitoreve dhe të janë sa më afër pozitës së parë.

“Kampionati është i hapur dhe nuk vendoset në këtë ndeshje, nuk kemi arsye të jemi në presion, ngase i kemi mposhtur si mysafir dhe mendoj që do ti mposhtim edhe si vendas. Prishtina është kampione aktuale, normalisht është favorite por presioni i ndeshjes është në anën e tyre, duke e marr parasysh edhe pozitën në tabelë”, tha Shala. Vushtrria, Prishtina e Shqiponja janë rivale për titull, cilës më shumë i druheni?

“Thash më lartë që në këtë garë Prishtina është favorite, por të gjitha skuadrat kanë disa specifika të vetat që skuadrat tjera nuk i kanë. Shembull është Vushtrria e cila ka tifozët që i japin shumë forcë, njeherit e kisha veçuar portieren Kelmendi, pastaj Shqiponja ka disa lojtare me përvojë, gjëra të këtilla edhe e bëjnë që secila skuadër t’i shosh gjasat apo mundësitë e tyre, por gjë që gjithsesi me specifika të ndryshme”, ka thënë Shala. Istogu synon të fitojë titullin për herë të parë në historinë e tyre dhe t’i gëzojë tifozët e saj. “Tifozëve iu premtoj angazhim maksimal të skuadrës sime dhe lojë të bukur e të mençur”, thotë Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat