Nagavci: Prishtina ka cilësi më shumë se Istogu!

Hendboll

Nagavci: Prishtina ka cilësi më shumë se Istogu!

Më: 2 mars 2018 Në ora: 18:12
Lulzim Nagavci

Në konkurrencën e femrave në hendboll, katër skuadra luftojnë për titullin e kampionit. Vushtrria prinë me 19 pikë, ka tri më shumë se Shqiponja e Gjakovës dhe Prishtina, ndërsa Istogu është në pozitën e katërt me 15 pikë, por ka një takim me pak të luajtur me Dritën nga Gjilani.  Prishtina pretendon se do t’i mbrojë titullin dhe Kupën e Kosovës. Kryetrajneri i kësaj skuadre, Lulzim Nagavci, tha se atmosfera është shumë e mirë dhe është i bindur se do ta dalin të parët në fund të kampionatit. Ai është i kënaqur me kushtet dhe atmosferën, po ashtu edhe me fondin e lojtareve që ka.  

“Bota sot”: A e vlerësoni Istogun si konkurrentin kryesorë të Prishtinës në luftë për titull?

Lulzim Nagavci: Istogu është përforcuar me një lojtare të Malit të Zi, Suzana Ujkaj,  por mendoj se me kapacitetin e lojtareve që ka Prishtina, mundem me arritur suksesin, mu kurorëzuar me trofe.

“Bota sot”: Vushtrria është lidere, me tri pikë dallim nga Prishtina, si e sheh?

Lulzim Nagavci: Jam befasuar si trajner se si ka mundur Shqiponja me humbë nga Vushtrria, kur dihet se kjo e fundit nuk ka kapacitete të lojtareve. Dallimi me tri pikë nuk është i madh dhe kjo epërsi shkrihet lehtë. Tash edhe dy xhiro fillon play-off-i, aty do të shihen forcat se cili ekip është më i përgatitur.

“Bota sot”: Ku e sheh përparësinë e Prishtinës?

Lulzim Nagavci: Përparësia jonë është se kemi lojtare me kualitet, mbrojtjen dhe kundërsulmin e fortë dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit.

“Bota sot”: Cili ishte rivali më i madh i Prishtinës?

Lulzim Nagavci: Rivalin më të madh e shoh Istogun, se sa këto dy ekipe tjera, si Vushtrria dhe Shqiponja. E shoh si rivalin më të madh nga ana jonë, por Prishtina do të jetë më e suksesshme. Kemi kualitet më të madh se sa Istogu, jemi më të komponuar dhe hendbollistet tona luajnë bashkë qe një kohë të gjatë.

“Bota sot”: Atmosfera dhe kushtet në KHF Prishtina?

Lulzim Nagavci: Atmosfera është shumë e mirë, kushtet janë fenomenale dhe të gjitha këto na bëjnë të bindur se do të arrijmë synimet tona.

“Bota sot: A besoni se do të jetë një kampionat pa kalkulime, korrekt?

Lulzim Nagavci: Besoj se do të jetë një kampionat pa kalkulime dhe referimi është ndryshuar dukshëm, është një referim më i mirë.

“Bota sot”:  Pas Samadrexhës?

Lulzim Nagavci: Na pret ndeshje shumë e fortë ndaj Istogut dhe tërë forcat i kemi për në Istog.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat