Pse ka rënë aq shumë shikueshmëria në hendboll?

Hendboll

Pse ka rënë aq shumë shikueshmëria në hendboll?

Nga: Kemajl Goca Më: 21 shtator 2017 Në ora: 11:49
Pamje nga një ndeshje

Debate

Hendbolli është në ditët më të vështira të ekzistimit të saj! Cilësia ka rënë shumë, shikueshmëria pothuajse përtokë! Dikur Vushtrria mbante primatin për shikueshmëri dhe të gjithë mburreshin me këtë qytet sidomos kur kishte derbi qoftë të meshkujt e qoftë të femrat. Vushtrria ishte për notë dhjetëshe dhe kishte më shumë se 1500 shikues në palestër, saqë shumë herë nuk kishte vend për të gjithë. Mjerisht në këtë qytet klubi është në krizë dhe edhe sikurse të ishin të fortë sot, më kë do të luanin me përjashtim të Besa FamGas që ka ekipin më të organizuara, deri diku edhe Prishtina mundohet të ngritët.  Shikuesi i mirëfilltë e di çfarë është cilësia dhe kur ka cilësi vrapon pas çdo ndeshje! Kur nuk ka cilësi nuk shkon në palestër. Besa FamGas, kampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, ka kohë që u deklarua përmes trajnerit të saj, Arben Muqolli, se nuk kanë më kë të luajnë, mungojnë rivalët e fortë dhe vetëm bëjnë shëtitje nëpër ligë, dhe sa të duan fitojnë.

A ka kuptim Superliga nëse mund të quhet me këtë term kur nuk ka cilësi dhe të ketë dhjetë ekipe? Dhjetë ekipe janë shumë apo secilit klub ia plotësojnë dëshirën për të qenë në elitë kur nuk është elit! Më mirë do të dukej liga me gjashtë ekipe e me sistem të katërfishtë dhe në play-off të kemi fituesin deri në tri fitore, se sa si shkojnë me këtë sistem.  Këtu është faji i Federatës së Hendbollit të Kosovës, e cila njëherë e mirë duhet të shikojë se si të rrisin cilësinë dhe jo të kemi Ligë me 10 ekipe, e cilësia përtokë dhe që besa u duket mirë panorama e ligës. Më mirë t’i kishim ligën e dytë të ndarë në dy grupe me nga shtatë ekipe, se sa siç është kështu Superliga me 10 skuadra dhe sallat janë të boshatisura nga shikuesit, sepse rivaliteti e cilësia nuk janë askund.  Superliga me 10 ekipe, Besa FamGas, Vëllaznimi, Prishtina, Drita, Samadrexha, Vushtrria, Trepça, Zhegra, Llapi e Kastrioti. Liga e parë – meshkujt me 10 ekipe: Drenica, Deçani, KEK-u, Dukagjini, Prizreni, Lepenci, Istogu, Ulpiana, Vjosa dhe Rahoveci. Te femrat ka qenë liga me 10 ekipe, por u tërhoqën Trepça e KEK-u, mbeti liga me 8 skuadra, pra u zvogëlua pa dëshirën e Federatës! Te femrat në Superligë garojnë Istogu, Prishtina, Shqiponja, Kastrioti, Vushtrria, Vëllaznimi, Drita e Samadrexha.

Në Ligën Parë të femrave kemi 8 ekipe: Deçani, Drenica, Prizreni, 'Jusuf Gërvalla', Llapusha, Vjosa, Ulpiana e Dukagjini. Sipas faqes së FHK-së, janë të regjistruara 36 ekipe (20 meshkuj e 16 femra), nëse të gjitha mund të mbijetojnë deri në fund. Tërmeti më i madh është se shikuesi ka ikur, sallat janë të zbrazura madje edhe në derbi të ashtuquajtur nuk ka shikues. Pas luftës në disa ndeshje kishim më shumë se 700 shikues, madje në derbi të vërtetë 1500 deri 2000, ndërsa sot as 200! Federata e Hendbollit me ato Komisione që ka, duhet të ndërmarrë masat e saja, të gjej formulën dhe jo të kënaqet më këtë organizim të garave, sepse nuk është larg dita që nuk do t’i kemi as 15 ekipe në përgjithësi. Duhet të gjejnë një model, duhet të kërkojnë konkrete diçka edhe në komunat e ndryshme si dhe te klubet. Ndryshe, hendbolli është shumë afër varrosjes!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat