Hendbolli po shkon drejt humnerës

Hendboll

Hendbolli po shkon drejt humnerës

Nga: Kemajl Goca Më: 11 shtator 2017 Në ora: 12:28
Pamje nga një ndeshje

Debate

Kampioni i Kosovës, Besa FamGas nga Peja, është eliminuar nga garat evropiane në hendboll (meshkujt). Pejanët nuk arritën të kualifikohen në rrethin e dytë të Cup EHF, edhe pse e kishin një rezultat jashtëzakonisht të mirë në ballafaqimin e parë. Kampioni i Kosovës kishte triumfuar në Pejë me rezultat 29:21, por në Stamboll pësoi me 12 diferencë (35:23) nga Beykoz BLD SK, kësisoj edhe i dhanë lamtumirën Evropës. Eliminimi që dhemb shumë për faktin se të gjithë kemi pritur se pejanët do të kalojnë rrethin e parë, aq me tepër pas asaj fitore të thellë në takimin e parë. Mirëpo, hendbolli edhe një herë u tregua se është i paparashikueshëm dhe fitorja bindëse e sfidës së parë nuk i kreu punë pejanëve.

Megjithatë, Arben Muqolli, kryetrajner i Besa FamGas, disa herë ka deklaruar se po i shohin sherr Ligës së Kosovës, për shkak se nuk kanë rival të fortë për t’u ballafaquar gjatë tërë kampionatit. Prandaj, mungesa e rivalitetit në ligë po i kushton pejanëve edhe në takimet ndërkombëtare, kjo është shumë e dhimbshme. Besa ka kohë që dominon dhe fiton pa asnjë vështirësi ndaj skuadrave të Kosovës. Kështu që, eliminimi i saj nga garat evropiane pa dyshim se është lajmi më i keq jo vetëm për hendbollin, por në përgjithësi sportin e Kosovës.

Nga ana tjetër, kampionia e Kosovës, Prishtina, nuk ishte pritur më shumë nga ajo ndaj skuadrës zvicerane Bruhl Handball. Te dyja takimet u luajtën në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, kështu që zviceranet triumfuan pa problem, në takimin e parë me 34:11, ndërsa në sfidën e dytë me 32:15,  andaj vetë rezultati dëshmon edhe dallimin e madh në cilësi.  Hendbolli i Kosovës hiq Besës që ka arritur fitore bindëse në këtë edicion në garat evropiane, shihet se klubet tona janë në krizë të thellë jo vetëm të cilësisë.

Prandaj, duhet urgjent që klubet tona të organizohen, të krijojnë kushte të mira, të gjejnë mjete më shumë dhe të investojnë edhe në lojtare sidomos të përforcohen me lojtare të nivelit të lartë, për faktin se nëse vazhdojnë kështu, vetëm mund të themi me rëndësi është pjesëmarrja dhe nuk ka ndonjë sukses. Besa FamGas ka qenë e vetmja, nga e cila është pritur me tepër dhe se mund të bëjnë diçka, por kjo u eliminua dhe tani është pak e besueshme se Trepça nga Mitrovica (meshkujt), Shqiponja e Istogu (femrat), se mund të arrijnë diçka apo të bëjnë një mrekulli në garat evropiane. Hendbolli po shkon drejt humnerës, pasi që shumica e skuadrave janë në gjendje të rëndë dhe disa edhe përgatitjet nuk i kanë filluar për edicionin e ri, që fillon në javën e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat