Rikonstruktohet dhe zgjerohet një segment i rrugës rajonale Gostivar-Sërmnovë

Gostivari

Rikonstruktohet dhe zgjerohet një segment i rrugës rajonale Gostivar-Sërmnovë

Më: 3 korrik 2018 Në ora: 19:34
Punimet

Pas përfundimit të fazës përgatitore për rikonstruktim dhe zgjerim të rrugës rajonale Gostivar-Sërmnovë në pjesën ndërmjet fshatrave Llakavicë dhe Sërmnovë, nesër do të fillojë gërryerja dhe asfaltimi i segmentit në gjatësi prej 1967 metra.

Ndonëse rruga Gostivar – Llakavicë si rrugë rajonale është nën menaxhimin e shtetit, më së shumti mjete investon Komuna e Gostivarit, me qëllim që tu dilet në ndihmë qytetarëve të kësaj ane të cilët prej shumë vitesh ballafaqohen me një rrugë tejet të dëmtuar, ku mezi shihen gjurmët e asfaltit të dikurshëm.

Rikonstruktimi i një pjese të segmentit rrugor Llakvicë – Sërmnovë është projekt i përbashkët i Komunës së Gostivarit, Byrosë për Zhvillim Rajonal, Qendrës për Zhvillim Planor të Rajonit të Pollogut, si dhe banorëve dhe mërgimtarëve të kësaj ane të cilët kanë kryer punë në vlerë prej 150 mijë eurosh, respektivisht kanë zgjeruar rrugën për 1,5 metra në gjithë gjatësinë e saj prej mbi 8 kilometra.

Për të ndjekur nga afër punimet, dje dolën në terren kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Ramiz Rexhepi, si dhe banorët e fshatit Sërmnovë.

“Kontratës që kishim me Byronë për Zhvillim Rajonal dhe Qendrës për Zhvillim Planor të Pollogut , i shtuam një aneks me të cilin ne si Komunë u pajtuam që të rrisim shumën e participimit, kështu që projekti në fjalë arrit vlerën prej 10,3 milion denarë, pa mos llogaritur këtu koston e punimeve që u financuan nga vetë banorët lokalë. Pra, participimi i komunës për këtë fazë të punimeve arriti vlerën prej 6 milion denarë. ndërsa i Byrosë 4,3 milion denarë. Po ashtu, pranuam kërkesën e banorëve që të zvogëlohet gjatësia e segmenti që rikonstruktohet në favor të gjerësisë, që të mundësohet përkalimi i papenguar i dy automjeteve”, theksoi Taravari.

Pjesa e asfaltuar e rrugës do të ketë gjerësi prej 4,5 metrash, që nënkupton se shtresa e përgjithshme e asfaltit të ri do të jetë me sipërfaqe të përgjithshme prej 8850 metra katrorë, ndërsa në vijim Komuna e Gostivarit do të bëjë mbushjen dhe arnimin e gropave në pjesën e mbetur të rrugës.

Kryetari Arben Taravari, u premtoi banorëve të kësaj ane se në rast se nga NP “Rrugët e Maqedonisë, nuk përmbushin obligimin e tyre për vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale, Komuna e Gostivarit është e gatshme që ta bëjë edhe këtë, megjithëse nuk është obligim i saj.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat