Taravari premton evitimin e dëmeve nga vërshimet në Padalisht

Gostivari

Taravari premton evitimin e dëmeve nga vërshimet në Padalisht

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 18:19
Arben Taravari

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, vizitoi sot fshatin Padalisht ku reshjet e rrëmbyeshme të shiut shkaktuan dëmtim të rrugës lokale që çon deri në këtë fshat.

Gjatë këqyrjes në vendngjarje u konstatua se , jo vetëm moti i ligë ka qenë shkaktar i dëmtimit të rrugës, por edhe faktori njeri.

“Moti i ligë e ka bërë të veten, por edhe faktori njeri në rastin konkret ka ndikuar që dëmet të jenë më të theksuara. Pra, krahas reshjeve intensive, situatën e kanë rënduar punimet për ndërtimin e një mini-hidrocentrali dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme e që vështirësojnë qarkullimin normal në këtë segment rrugor”, theksoi Taravari.

Ai bëri me dije se nga këqyrja në vendgjarje është konstatuar se si pasojë e punëve ndërtimore është krijuar një ngushticë në rrjedhën e ujit përgjatë rrugës që çon në fshatin Padalisht dhe asfalti nuk ka mundur ta durojë presionin e krijuar nga uji.

“Së shpejti do të përpilohet një procesverbal ku do të përcaktohet shkaku dhe lartësia e dëmit dhe do të kërkohet nga investitori që t’i eliminojë pasojat, normalisht edhe me mbështetjen tonë si administratë komunale. Pra, do të ndërmerren hapa të shpejtë dhe konkret për tejkalimin e gjendjes dhe shumë shpejt do rikthehet qarkullimi i lirshëm për banorët e këtij fshati dhe të gjithë atyre që e frekuentojnë këtë rrugë”, nënvizoi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat