Bejta: Uji i Gostivarit i pastër, Maqedonia sot pa ministër të Shëndetësisë

Gostivari

Bejta: Uji i Gostivarit i pastër, Maqedonia sot pa ministër të Shëndetësisë

Më: 27 tetor 2017 Në ora: 23:16
Bejta

Në rrjetin social Facebook dhe në një takim me banorët e fshatit Banjicë të Poshtme, Nevzat Bejta tha se në vend që të bënte punën e tij si ministër, Arben Taravari e kaloi kohën me fushatë politike shpifjesh.

“Jam shumë i zhgënjyer që sot përjetuam një ditë pa ministër Shëndetësie. Ku ishte ai sot? Ku ishte kur mori vesh që disa bashkëqytetarë ishin ndjerë keq? U kujdes për shëndetin e tyre? U interesua me ministrinë se si ishte gjendja e tyre? Jo! Gjëja e parë që ai bëri sot ishin lojëra fushate. Nisi të shpërndante me pagesë shpifje që mund ta ndihmonin. E la shëndetin e njerëzve dhe fushata ishte e para”, deklaroi Bejta.

Ish-drejtori i spitalit Jakup Jakupi, tha Bejta, tregoi sot se uji i pijshëm i Gostivarit nuk ka probleme.

“Çfarë i mbetet tashmë mashtrimeve të ministrit që sot nuk punoi? A ia vlejti të bënte politikë me shëndetin e njerëzve? Ndiej zhgënjim të thellë për sjelljen e tij të dobët politikisht dhe moralisht. Si qytetar, ftoj këdo zyrtar të ministrisë së Shëndetësisë që ka integritet dhe nuk është i zënë me fushatën e ministrit të papërgjegjshëm t’u rikthehemi së bashku interesit dhe shëndetit të njerëzve. Nga e hëna, ministri do të ketë më shumë kohë në dispozicion,” u shpreh Bejta.

Eufori u krijua në mesin e banorëve të Banjicës së Poshtme, kur Kryetari Bejta u shfaq me shallin e Klubit të Futbollit “Genç Kalemler” të këtij fshati. Bejta u premtoi banorëve ndërtimin e stadiumit dhe mbështetje për klubin, ndërsa punimet infrastrukturore brenda fshatit do të përmbyllen gjatë mandatit të ri 2017 – 2021.

Takimi u zhvillua në shtabin zgjedhor të Partisë Demokratike Turke, nga ku Kryetari Bejta tha që marrëveshje e koalicionit do të zbatohet me përpikmëri dhe do të jetë në të mirë të gjithë qytetarëve të Gostivarit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat