Ka nisur sot ndërtimi i kapërderdhëses në pendën e Përlepnicës, e cila po bëhet pas inicimit të kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri, me financim të Qeverisë së Kosovës.
Kryetari Haziri tha se penda e Përlepnicës për herë të parë në historikun e saj po hyn në fazën e sanimit.
Në fillimin e punimeve ka marrë pjesë kryetari Haziri, ish-nënkryetari i Gjilanit, aktualisht zëvendësministër i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu dhe drejtori i kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi.
“Ka tri vite si komunë që kemi punuar shumë që të vijë ky projekt. Penda e Përlepnicës siguron ujin e pijshëm për 82 për qind e qytetarëve të Gjilanit, 24 orë e shtatë ditë. Shpresoj që operatori do t’i përmbahet planit dinamik për ta realizuar me kohë”, tha Haziri.
Ndërsa, zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, pohoi zotimin e kryeministrit Ramush Haradinaj se çdo projekt i Gjilanit do të mbështetet me të gjitha mundësitë.
“Me kryeministrin dhe kryetarin e Gjilanit jemi duke punuar që shumë shpejt të fillojë studimi i fizibilitetit të qëndrueshmërisë së trupit të pendës këtu, e cila është jetike për qytetarët e Gjilanit”, tha Kadriu
Drejtori i kompanisë regjionale të ujit “Hidromorava”, Muhamet Suliqi, shprehu besimin se punimet në ndërtimin e kapërderdhëses do të përfundojë brenda këtij viti sipas planit dinamik.
Ndryshe, komuna e Gjilanit së bashku me Qeverinë e Kosovës do të ndërtojnë edhe rrugën që çon te penda, ndërkohë që do të punohet në një plan rekreacioni në kodrat e Përlepnicës.