Modernizimi i administratës publike synon forcimin e përgjegjësisë

Gjilani

Modernizimi i administratës publike synon forcimin e përgjegjësisë

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 15:50
Debati për rajonin e Gjilanit u organizua në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit

Ministria e Administratës Publike, ka vazhduar me debatet nëpër rajonet e Kosovës për të informuar dhe konsultuar publikun me pakon ligjore të reformës së administratës publike që përfshinë projektligjin për administratën shtetërore, atë për zyrtarët publikë dhe pagat.

Debati për rajonin e Gjilanit u organizua në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, ndërsa pjesëmarrës ishin qytetar, përfaqësues të komunave të rajonit, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe mediat.

Ministri i MAP-it, Mahir Yagcilar, tha se pakoja ligjore e reformës së administratës publike është e rëndësishme të aprovohet këtë vit, pasi adreson probleme qenësore të funksionimit të mirëfilltë dhe demokratik të institucioneve publike.

Ai sqaroi se administrata publike përballet me disa probleme të rëndësishme që pengojnë funksionimin efektiv, efikas dhe profesional të saj, duke veçuar numrin e madh të agjencive të pavarura dhe ekzekutive, shkelja e parimit paga e njëjtë për punë të njëjtë dhe probleme në procesin e rekrutimit dhe performancën në shërbimin civil.

Ministri Yagcilar deklaroi se qëllimi kryesor i pakos ligjore të reformës së administratës publike është trajtimi i barabartë, të drejtë, transparent dhe të përgjegjshëm të administratës publike, duke krijuar mundësi shërbimeve të drejta, përballueshme dhe efektive.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mbështeti pakon ligjore të reformës së administratës publike, e cila ka një rol të veçantë në rregullimin e sistemit shtetëror, adresimin e problemeve aktuale, në mënyrë që administrata të veprojë në favor të qytetarëve.

Drejtori i Departamentit Ligjor në MAP, Naser Shamolli, shpalosi përmbajtjen e drafteve aktuale të projektligjeve, duke nënvizuar rëndësinë që këto tre projektligje kanë për të vendosur rregull në administratën publike dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat