Konsullata shqiptare në Gjilan forcon bashkëpunimin mes shqiptarëve

Gjilani

Konsullata shqiptare në Gjilan forcon bashkëpunimin mes shqiptarëve

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 16:13
Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se e kanë zgjedhur qytetin e Gjilanit pasi që është një pikë shumë e rëndësishme.

Ambasada e Shqipërisë ka hapur konsullatë nderi në Gjilan, konsullatë kjo që lidh në një rrugë më të shkurtër, qytetin me Tiranën.

Inaugurimi i saj u bë pikërisht sot në 19 vjetorin e shënimit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, ndërsa u tha se si e tillë do të shërbejë për forcimin e lidhjeve në mes të shqiptarëve si dhe shënimin e aktiviteteve të shumta.

Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se e kanë zgjedhur qytetin e Gjilanit pasi që është një pikë shumë e rëndësishme.

Ai tha se janë krijuar te gjitha mundësitë për të krijuar një qendër model që i japin mundësi zhvillimit.

Minxhozi: Konsullata do të shërbejë për forcimin e mëtejm të lidhjeve ndër vete

"Është një konsullatë që do të shërbejë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndër veti dhe pse jo me shqiptarët kudo që janë në rajon. Qëllimi do të jetë thellimi i këtij bashkëpunimi, që kjo të shërbejë si ambasadë e vogël këtu për të promovuar aktivitete të llojeve të ndryshme. Theks të veçantë do të kenë aktivitetet në fushën ekonomike", tha ambasadori shqiptar.

Po ashtu, Minxhozi bëri të ditur se në tetor të këtij viti, në Gjilan do të hapet një panair rajonal, për prodhimet mbarëshqiptare.

Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, tha se ndjehet i nderuar që në ditët e bardha për qytetin që e drejton, konsullata e Shqipërisë u hap pikërisht në Gjilan.

Ai tha se në këtë konsullatë do të jenë të involvuar të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike.

Haziri: Kjo zyrë do të jetë input bashkëpunimi në mes Maqedonisë dhe Serbisë

"Kjo zyrë do të jap input bashkëpunimi ndërkufitar në mes Maqedonisë dhe Serbisë, duke inkurajuar programet e tona të bashkëpunimit dhe largimit nga e kaluara dhe që të shohim bashkërisht në të ardhmen", u shpreh ai.

Haziri tha se Gjilani tashmë e ka themeluar bashkëpunimin me disa qytete, si Kukësin dhe Sarandën, porse sipas tij, ka mbetur edhe funksionalizimi i këtij bashkëpunimi.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Tregtisë dhe Infrastrukturës, Bajram Hasani, i cili vlerësoi se Kosova është në rrugë të mirë të bashkëpunimit me Shqipërinë. Teksa shtoi se aty ku flitet një gjuhë, bashkëpunimi është gjithmonë më i lehtë.

Hasani: Jemi duke punuar në heqjen e të gjitha barrierave mes Kosovës dhe Shqipërisë    

"Çdo ditë po i bëjmë punët që me kompanitë tona, këtej dhe andej kufirit, t'i heqim të gjitha barrierat tarifore dhe jo-tarifore, me qëllim që të bëhet një treg i përbashkët mes këtyre dy vendeve", tha Hasani.

Gjatë shënimit të kësaj dite, janë paraparë edhe aktivitete tjera në Gjilan, ku do të bëhet edhe shpallja e më të dalluarve nga Shërbimi Civil, Arsimi, Shëndetësia, Bujqësia dhe sektori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërsa në orën 18:00 do të hapet ekspozita kolektive e piktorëve gjilanas në Teatrin e Qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat