Interesim i madh i punëkërkuesve në panairin e Gjilanit

Gjilani

Interesim i madh i punëkërkuesve në panairin e Gjilanit

Më: 30 maj 2018 Në ora: 12:46
Panairi ne Gjilan

Nën organizimin e Komunës së Gjilanit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjensionit për Punësim dhe organizatës ndërkombëtare GIZ, sot në Gjilan është hapur panairi i punës ku kanë marrë pjesë një numër prej rreth 40 biznese, të cilat kanë garantuar punësimin dhe punë praktike për mbi 1.000 punëkërkues.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se në bashkëpunim me biznesin sot po ofrohen një mijë vende pune që për ne është lajm shumë i madh dhe i gëzueshëm, sepse krijohen të ardhura për familjet e tyre dhe stabilitet ekonomik gjithsesi.

“Sektori i ndërtimit dhe sektor të tjerë kërkojnë profesionist të lëmenjve të ndryshme. Nuk ka punësimit në sektorin publik, sepse nuk gjenerohen vende të reja pune. E ardhmja e Kosovës është në sektorin privat. Prandaj gjene veten tuaj të përshtatshëm në profesionet që ofrohen dhe aplikoni sot, sepse nesër mund të ju thërras pronari në punë”, ka thënë Haziri.

Ndërsa zëvendësministri i MPMS-së, Vesel Makolli, ka përgëzuar Gjilanin për organizimin dhe biznesin privat për ofertat që ofrojnë për punëtorët e rinj. Ai tha se ministria është mbështetëse edhe gjatë të ardhmes për punëtorët e punësuar, por edhe për bizneset njëkohësisht.

Kurse, Klaus Bader-Labarre, i cili edhe ka bërë hapjen e këtij panairi, ka sjellë një shembull nga Gjermania kur në vitin 2000 ishte organizuar një panair i tillë në qytetin e tij dhe kishin marrë pjesë rreth 50 biznese dhe vit pas viti, në organizimin e vitit 2018, kanë marrë pjesë mbi pesë mijë biznese dhe tani në atë qytet ka kërkesa të mëdha për punëtor.

Sipas tij nëse vazhdohet kështu do të ketë gjithnjë rritje të sektorit privat, por edhe të punësimit.

Në këtë panair kanë marrë pjesë biznese e ndërmarrje prodhuese, ndërtimore, shërbyese etj, me kërkesa për punësim që nga punëtorët administrative e deri tek inxhinierët e ndryshëm të teknikë, mekanikës, arkitekturës etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat