Vazhdojnë takimet e KOK-ut me kryetarët e komunave

Gjilani

Vazhdojnë takimet e KOK-ut me kryetarët e komunave

Më: 12 prill 2018 Në ora: 17:25
Pamje nga takimi

Në kuadër të takimeve të shumta me kryetarët e komunave, bizneset dhe klubet sportive, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Besim Hasani dhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, të premten do të qëndrojnë në Gjilan dhe Kamenicë. Hasani dhe Haxhijaj do të takohen me kryetarët e këtyre komunave, bizneset dhe klubet.

Me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, takimi do të mbahet në ora 9:30 në zyrën e tij, kurse me bizneset dhe klubet e kësaj komune, në ora 10:00 në sallën e Komunës.

Takimi me kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati, pritet të mbahet në ora 14:00, kurse më pas (14:30) do të takohen bizneset dhe klubet, me të cilat takimi mbahet në sallën e kësaj komune. Me kryetarët e komunave, KOK pritet të nënshkruajë memorandum bashkëpunimi, në bazë të të cilit Komunat e Gjilanit dhe Kamenicës, do të bëhen bashkëfinancuese me KOK-un për bursistët e Gjilanit dhe Kamenicës, të përzgjedhur nga BE i KOK-ut, kandidat për të fituar normën olimpike Tokyo 2020. Karateistja Fortesa Orana është nga Gjilani, kurse atletët Musa Hajdari, Vijona Kryeziu dhe Astrit Kryeziu vijnë nga Kamenica.

Bizneseve dhe klubeve, do t’iu sqarohet në detaje Rregullorja që përcakton kriteret, procedurat dhe formën për vërtetimin e sponsorizimit në sport, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Sponsorizim. Ditë më parë, drejtuesit e KOK-ut zhvilluan takime edhe me kryetarët e Komunave të Pejës, Istogut, Klinës, Mitrovicës dhe Vushtrrisë, si dhe me bizneset e klubet e këtyre komunave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat