Haziri të martën prezanton ekipin e ri qeverisës

Gjilani

Haziri të martën prezanton ekipin e ri qeverisës

Më: 29 mars 2018 Në ora: 17:32
Lutfi Haziri

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për media, ka paralajmëruar se të martën do ta prezantojë ekipin e ri qeverisës.

Ai rikonfirmoi se është për gjithëpërfshirje politike, por me kusht që propozimet që të jenë konform respektimit të barabartë sa i përket përfaqësimit gjinor.

“Me ndryshimin e Statutit të Komunës si dokument që e organizon jetën institucionale, është krijuar mundësia që të finalizohen marrëveshjet politike me partitë, organizatat joqeveritare dhe grupet e interesit. Gjatë vikendit do të përfundojnë takimet me partitë dhe të martën do t’i prezantojë emërimet e reja. Do të ketë emra edhe nga shoqëria civile”, ka thënë Haziri.

Ai ritheksoi boshllëkun në disa resorë të Komunës qe më shumë së një vit, pas suspendimit të 29 shërbyesve civil si pasojë e aktakuzës së prokurorisë speciale, duke thënë se shërbimet profesionale janë treguar të pamjaftueshme për ta mbushur boshllëkun.

“Jam i gatshëm ta pjesëtoj qeverisjen katërvjeçare me të gjitha partitë politike. Besojmë se këtë boshllëk do ta plotësojmë përmes konkurseve të brendshme”, tha Haziri.

Haziri ka paralajmëruar investime në infrastrukturë në vlerë prej 36 milionë euro, të cilat tha se do t’ua përmirësojnë cilësinë e jetës qytetarëve.

“23 programe të hapura i kemi nga viti i kaluar për infrastrukturë publike, dy programe të sportit, sic është stadiumi i qytetit, palestra në Zhegër dy stadiume ndihmëse dhe programe tjera sektoriale që kapin shifrën e 36 milionë eurove, pa e përfshirë këtu edhe autostradën. Po ashtu, presim që qeveria ta konfirmoj edhe Soft Loan për kolektorët e ujërave të zeza”, është shprehur kreu i Gjilanit.

Haziri ka paralajmëruar se do të subvencionohen edhe ndërmarrjet “Stacioni i Autobusëve” e “Tregu” etj., përderisa pohoi se po punojnë në zgjidhjen e problemit në kompaninë “Ecohigjiena”.

“Neni 6 i kontratës me Ecohigjienën thotë se palët me marrëveshje mund ta zgjidhin problemin eventual dhe si partner publik që është Komuna, nga sot e kemi dhënë afatin prej 30 ditëve që komisionarët tanë dhe ata të partnerit privat të ulen për ta zgjidhur këtë problem. Unë besoj që ka potenciale profesionale që të zgjidhet. Në të kundërtën, ndërmarrja do të kthehet në pronësi qind për qind të Komunës pasi partneri privat nuk e ka respektuar kontratën”, tha Haziri. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat