Asamblistët e VV-së Gjilan: Mes vendosmërisë dhe tundimit

Gjilani

Asamblistët e VV-së Gjilan: Mes vendosmërisë dhe tundimit

Më: 22 mars 2018 Në ora: 17:56
Albin Kurti gjatë një proteste të Vetëvendosjes

Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në asamblenë komunale të Gjilanit nuk e thonë të gjithë gojëplotë se vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj partie.

Kallxo ka kontaktuar me gjashtë nga shtatë asambleistët që i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan të cilët janë pyetur nëse vazhdojnë të jenë pjesë e LVV, parti që po përballet me një valë të dorëheqjeve.

Pesë nga ta përpos asamblistes Festa Shabani, kanë thënë se vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj partie.

Shabani nuk pranoi të përgjigjet në këtë pyetje.

“Nuk mund të prononcohem për këtë çështje, nuk mund të them asgjë”, tha Shabani.

Në anën tjetër Nehat Osmani, Xhelal Hajrullahu, Nevzad Isufi, dhe Arianit Sadiku thanë se vazhdojnë të përkrahin partinë me të cilën kanë garuar në zgjedhje.

Nehat Osmani madje tha se nuk ka dëgjuar se ka ndonjë lëvizje nga ndonjëri prej asambleistëve nga LVV në Gjilan.

“Përkundrazi unë jam në krye të udhëheqjes së Lëvizjes Vetëvendosje. Deri në ditën e sotme ne nuk kemi informata që ka diçka. Vazhdojmë me qenë unikë, ende s’kemi parë ndonjë lëvizje në atë drejtim”, tha Osmani.

Xhelal Hajrullahu po ashtu u përgjigj, ‘Po, po vazhdoj me qenë në Lëvizjen Vetëvendosje”.

Asamblesti tjetër, Nevzad Isufi tha se nuk e di a do të vazhdojnë të jenë unik në të ardhmen.

“Unë jam pjesë e Lëvizjes, kam qenë dhe do të jem derisa Lëvizja ta ketë të njëjtin program. Deri tash kemi qenë unikë, për të ardhmen nuk mund të paragjykoj por besoj që po”, tha Isufi.

Ndërsa Arianit Sadiku u shpreh i bindur se situata në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e ka prekur Gjilanin

“Po po jam pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Gjithçka është në rregull në Gjilan”, tha Sadiku.

Arjeta Rexhepi  po ashtu deklaroi se vazhdon të jetë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat