Qeveria e Kosovës mbështet projektet e mëdha për Gjilanin

Gjilani

Qeveria e Kosovës mbështet projektet e mëdha për Gjilanin

Më: 25 janar 2018 Në ora: 17:34
Ramush Haradinaj dhe Lutfi Haziri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se qeveria do të ndihmojë Komunën e Gjilanit në projektet që janë me interes për qytetarët.

Ai pas takimit me kreun e Gjilanit Lutfi Haziri, tha se ka disa projekte, të cilat priten të zhvillohen në të ardhmen dhe se nuk duhet të ketë vonesa në këtë aspekt.

“Ne kemi plot projekte para nesh. Janë marrë obligimet për autostradën, janë dy projekte tjera që si qeveri mund t`i qëndrojmë përkrah Komunës, është impianti i ujërave të zeza, një projekt i madh, ku qeveria do të hyjë në obligime financiare. Po ashtu do të marrin obligime edhe për shpronësimet e rrugës qarkore, sepse bëhet fjalë për infrastrukturë publike. Punët që janë në interes të qytetarëve të Komunës së Gjilanit, do t`i kryejmë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri  ka kërkuar nga Haradinaj mbështetje për projektet e mëdha, të cilat i tejkalojnë kapacitetet buxhetore të Komunës.

Ai e ka rikujtuar kryeministrit se Gjilani është pikë qendrore në regjionin e juglindjes, me impakt në Luginë e Preshevës, në Kumanovë dhe Karadakun e Shkupit dhe është i rëndësishëm për bashkëpunim dhe partneritet ndërkufitar.

Si probleme madhore për Gjilanin, kryetari Haziri ka përmendur impiantin për trajtimin e ujërave të zeza, shpronësimet për rrugën qarkore, problemin e infrastrukturës, kredinë e BERZH-it, autostrada dhe shumë programe të tjera.

Përndryshe, kryetari Haziri dhe kryeministri Haradinaj, pas takimeve në zyre dhe në Kuvendin Komunal, kanë zhvilluar takime të ndara me dy kryetarët e komunave të Maqedonisë, Kumanovën dhe Kriva Pallankën dhe me personalitetet e rëndësishme të Gjilanit, për ta përfunduar vizitën në kompaninë për prodhimin e lëngjeve “Fludi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat