Gjilanasit nuk e duan bustin e Skënderbeut, duan shtatore

Gjilani

Gjilanasit nuk e duan bustin e Skënderbeut, duan shtatore

Më: 17 janar 2018 Në ora: 15:36
Busti i Skënderbeut

Komuna e Gjilanit ka bërë sot zbulimin e bustit të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por që gjilanasit shprehen të zhgënjyer se pse komuna nuk ka ndërtuar një shtatore për heroin kombëtar.

 Që nga sot busti i Skënderbeut do të qëndroj në mes të shtatoreve të Agim Ramadanit, Idriz Seferit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës në sheshin kryesor të Gjilanit.

Për profesorin dhe poetin gjilanas, Beqir Fazliun,  Skënderbeu meriton shumë më tepër sesa një bust.

Fazliu: Skënderbeu meriton ta ketë një shtatore

"E meriton Skënderbeu jo një bust, por shumë më tepër, një shtatore të mrekullueshme më të mirë. Është heroi kryesor i shqiptarëve dhe nëse nuk i respektojmë heronjtë, figurat historike, shkrimtarët, poetët, atëherë i ngjajmë një peme e cila nuk ka gjethe dhe menjëherë thahet. Pa kulturë, pa heronj një popull nuk mund të ekzistoj", u shpreh ai.

 Edhe qytetari Ramadan Korça shprehet se për figurën e heroit kombëtar më e denjë do të ishte një shtatore.

Korça: Më mirë shtatore se bust

"Besoj që Skënderbeu meriton të ketë një shtatore jo bust, busti është për Skënderbeun një shenjë shumë e vogël, dicka e vogël. Besoj që kish qenë mire me qenë një shtatore", u shpreh ai. Ndërsa, qytetari gjilanas Sejdi Rexhepi, thotë se shtatore Skënderbeu do të duhej të kishte në cdo qytet shqiptar.

 Rexhepi: Cdo qytet meriton ta  ketë një shtatore

 "Skënderbeu meriton cdo qytet shqiptar ta ketë një shtatore, në cdo qytet", tha ai.

Edhe qytetarja Hatixhe Musiqi, më të përshtatshme e sheh nëse komuna do të ndërtonte një shtatore.

Musiqi: Duhet shtatorja në qytetin tonë

"Për mendimin tim e kish meritua të kishte një shtatore, masi e kanë sjellë një shtatore e ka meritu", tha ajo.

Kurse, arsyeja se pse komuna e Gjilanit nuk ka vendosur të bëjë një shtatore për heroin kombëtar Skënderbeun është mungesa buxhetore.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha për KosovaPress se  ndërtimi i një shtatoreje këtë vit ka qenë e papërballueshme për komunën që drejton.

Haziri:  Nuk kemi buxhet për shtatore

"Natyrisht që e ka vendin edhe shtatorja, por është e papërballueshme për Gjilanin në këtë fazë me pas shtatore në kuptimin buxhetor. Ne e kemi programuar nga viti i kaluar e kemi realizuar projektin e bustit për këtë vit besoj shumë që Gjilanit i bënë nder. Ne jemi qyteti i 21 shqiptar që e ka bustin e Skënderbeut, janë edhe 90 qytete të tjera që duhet dhe kanë mundësi me bë shtatore", tha kreu i Gjilanit.

 Zbulimi i bustit të Skënderbeut në Gjilan u bë në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat