800 mijë euro për ndërtim të rrugëve në fshatrat e Gjilanit

Gjilani

800 mijë euro për ndërtim të rrugëve në fshatrat e Gjilanit

Më: 16 dhjetor 2017 Në ora: 16:21
Gjilan

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar kontratën në vlerë prej 800 mijë eurove për ndërtim të infrastrukturës rrugore në fshatra.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që të ndaj informatën me banorët e fshatit Çelik, Pidiq, Bresalc, Llashticë, Zhegër, Velekincë dhe Selishtë se së shpejti do të fillojmë me asfaltimin e rrugëve. Në kuadër të kësaj shume që e investon Komuna e Gjilanit parashihet investimi i rrugëve kryesore, ndërsa në fshatrat e mëdha sin ë Zhegër dhe Bresalc do të ndërtohen dhjetë rrugë lokale të brendshme, duke përfshirë edhe rrugët në lagjen e “Makiqëve” në Bresalc”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Haziri ka theksuar se kjo është pjesë e programit qeverisës për investimin e rrugëve nëpër fshatra duke mos e anashkaluar asnjëherë zonën urbane të qytetit.

“Barazia e investimeve në fshat dhe në qytet është një politikë që është vendosur tash e katër vjet sa jam në përgjegjësinë e kryetarit të Komunës. Do të vazhdojmë me projekte konkrete që t’i përmbyllim kërkesat dhe interesat e banorëve sa i përket infrastrukturës në përgjithësi, pavarësisht se në cilën pjesë të territorit të Komunës së Gjilanit jetojnë ata”, ka thënë kryetari Haziri.

“Besoj shumë që ky është urimi më i mirë për këtë fundvit, për banorët e këtyre fshatrave dhe lagjeve me lajmin për investimin e rrugëve të tyre”, ka përfunduar kryetari Haziri duke paralajmëruar fillim të punimeve edhe në shumë rrugë brenda në qytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat