Kurteshi premton dy hapjen e dy QMF-ve që ofrojnë shërbime 24 orë

Gjilani

Kurteshi premton dy hapjen e dy QMF-ve që ofrojnë shërbime 24 orë

Më: 17 nëntor 2017 Në ora: 14:31
Sami Kurteshi

Funksionalizim të të gjitha qendrave mjekësore familjare në qytetin e Gjilanit, hapjen e dy qendrave mjekësore që ofrojnë shërbime 24 orë për gjilanasit, si dhe barna elementare, ka premtuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi.

Kurteshi për të shpalosur programin e tij për shëndetësinë zgjodhi gurthemelin e një qendre të mjekësisë familjare, e cila ndodhet përballë spitalit regjional të këtij qyteti.

Ai u zotua se brenda mandatit të tij qeverisës do t’i rivitalizojë QKMF-të që sot punojnë, por se do t’i funksionalizojë edhe ato që janë mbyllur siç është ambulanca në fshatin Livoç të Epërm.

Kurteshi: Do të bëjmë funksionalizimin e QKMF-ve

“Do të bëjmë funksionalizimin e të gjitha qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave të mjekësisë familjare edhe ato që punojnë sot t’i rivitalizojmë por edhe ato që janë mbyllur t’i hapim si në Livoç të Epërm, po edhe ato që janë premtuar edhe kanë mbetur vetëm si premtime për shkak të fushatave elektorale si ambulance në Llasticë edhe atë ne do të bëjmë përpjekje edhe sigurisht do t’i hapim dhe do t’i funksionalizojmë brenda mandatit”, tha ai.

Me qëllim që të ofrojë shërbime mjekësore 24 orëshe për gjilanasit Kurteshi ka premtuar hapjen e dy qendrave të mjekësisë familjare, si dhe furnizimin e tyre me barna elementare.

Kurteshi: Do t’i hapim dy qendra të mjekësisë familjare

“Nevoja për hapjen e dy qendrave të mjekësisë familjare në komunën e Gjilanit që ofrojnë shërbime për qytetarët 24 orë është një domosdoshmëri tash me rritjen e numrit të banorëve, por edhe me kërkesat e qytetarëve. Do të bëjmë përpjekje që në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare të ketë furnizim të rregullt me barnat elementare që sot mungojnë në shumicën e tyre”, tha ai.

Pretendenti për të parin e Gjilanit, Sami Kurteshi ka në plan edhe furnizimin me laborator për të gjitha qendrave të mjekësisë familjare në qytet. Ai po ashtu u zotua se për të gjitha nënat  që lindin do të ofrojë një shumë prej 100 eurosh.

Ndryshe, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje në balotazh përballet me kandidatin e LDK-së për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat