Filozofia jetësore e gjurmëve të kohës

Gjermania

Filozofia jetësore e gjurmëve të kohës

Nga: Sevdail Hyseni Më: 4 qershor 2018 Në ora: 08:44
Autorja e librit poetik “Gjurmëve të kohës”, Behije Hamiti

Këto ditë, në Shtutgard të Gjermanisë, doli dhe u vu në qarkullim libri poetik “Gjurmëve të kohës”, të autores me origjinë nga Podujeva, Behije Hamiti.

Botimi i këtij libri, një miniaturë poetike, me prozë dhe poezi, të një krijuese kosovare e cila jeton dhe vepron jashtë atdheut, tregon se diaspora jonë e dashur përveç punëtorëve të krahut, ndërtimtarëve, mekanikëve, zanatlinjve të ndryshëm, ka dhënë edhe mjekë, politikanë, mësues dhe krijues të fjalës së bukur artistike.

E në mesin e këtyre mërgimtarëve të vyeshëm, të cilët përkundër vështirësive jetësore, mallit dhe dashurisë për atdheun, nga i cili u larguan pa dashjen e tyre, është edhe autorja e vëllimit poetik “Gjurmëve të kohës”, Behije Hamiti.

Duke lexuar vëllimin poetik “Gjurmëve të kohës”, të autores Behije Hamiti, lë përshtypjen se në këtë vepër letrare me mjeshtri artistike është shtjelluar një botë e pasur jetësore e cila nuk ka kaluar pa lënë gjurmë nëpër kohë.

Vet titulli simbolik i librit “Gjurmëve të kohës”, tregon për një realitet të hidhur, por krenar nëpër të cilat kalon njeriu, jeta e të cilit shpesh edhe nuk i buzëqesh.

“Kur e mora në dorë vëllimin poetik të autores Behije Hamitit, isha në dyshim se a do t’ia dilja ta deshifroja tërë këtë kolorit mendimesh dhe ndjenjash, të cilat ajo i shpreh përmes shkrimit. Si mërgimtare, po edhe një atdhetare e pashoqe, ajo me pietet shkruan për atdheun, për luftën dhe falangat serbe që bënë krime mbi popullin tonë, mbi pafajësi. Përmbajtja e librit ka subjekt nga të gjitha ndodhitë jetësore e deri te humaniteti, modestia, por gjithsesi, ajo ngre zërin edhe kundër padrejtësive që i bëhen femrës shqiptare. Kur e do nevoja, e gjejmë si feministe, kurse kur shkruan për heronjtë, është një burrëreshë e pashoqe”, shprehet redaktorja e librit Flora Peci.

Duke shkruar më tej, për vlerat artistike të librit Flora Peci, nuk la pa përmendur frymën patriotike të poezive kushtuar heronjve kombëtarë si  Adem Jashari, të cilët nuk vdesin kurrë dhe janë “krenaria jonë nëpër breza”, ngase sipas autores Behije Hamiti “Nuk vdesin ata që bien për atdhe Je përjetësi, nuk të harron yni At-dhe.”.

Këtë libër poetik, gjithashtu, e përshkon fryma popullore, gjuha e saj e pastër dhe e rrjedhshme, shprehjet e pasura me figura stilistike si: krahasimi, metafora, antiteza,  simboli, ironia etj.

Edhe vet autorja e librit poetik “Gjurmëve të kohës”, Behije Hamiti, se jeta është një “rropatje nëpër kohë”, e cila shoqërohet në rrugëtimin e saj me plot të papritura, surpriza dhe befasi.

Se sa e deshi kurbetin autorja e librit, flasin vargjet e poezitë “Nuk e desha mërgimin”, ku me plot dhembje dhe pikëllim shpaloset shpirti i saj krijes: “Kam lënë unë një amanet, në dhe të huaj të mos tretem, eshtrat e mi këtu të mos mbeten, Varrin në Dardani të ma bëni, Shqip qyqja të më vajtojë, Të prehem në qetësi, në Dardani, Unë bija jote Shqiptari”.  

“Unë si shqiptare, edhe pse jetoj në dhe të huaj, frymoj dhe flas shqip, ndaj desha me modestinë më të madhe të shkruaj edhe shqip e t’i evokoj disa nga përvojat dhe dëshirat bashkë me ëndrrat e mia jetësore. Libri përmban motivim të rastit nëpër gjurmët e popullit tim. Lufta, varfëria, mosbarazia gjinore e dua ta theksoj se jam shumë e fokusuar në ngritjen e zërit të femrës shqiptare. Ajo është nënë e denjë, motër me zemër të madhe dhe grua e mrekullueshme. Të gjitha këto u përpoqa, pak me prozë e pak me vargje t’i reflektoj para lexuesit tim”, thuhet në mesazhin e autores së librit Behije Hamiti.

Bëhet e ditur se autorja e librit poetik “Gjurmëve të kohës”, Behije Hamiti, meqë është një punëtore e arsimit dhe një humaniste e dalluar, ka vendosur që mjetet e grumbulluara nga shitja e librit t’i destinoj për ata që kanë nevojë: “T’ua zbusim sadopak dhembjen, varfërinë e fëmijëve t’ua kthejmë në buzëqeshje”, thuhet në rrjetin e saj social.

I dëshirojmë autores shëndet e suksese në botimin e veprave të tjera dhe njashtu, lexuesve fat që do të kenë në dorë një libër të tillë me plot mendime e ide.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat