Ilir Sinani: "Jam njëfarë patrioti i vogël"

Gjermania

Ilir Sinani: "Jam njëfarë patrioti i vogël"

Maksim Gjokaj Nga Maksim Gjokaj Më 4 maj 2018 Në ora: 10:01
Ilir Sinani

Bashkatdhetarët tanë, që jetojnë e veprojnë në Diasporë, dita-ditës po shënojnë suksese të mëdha në tregun evropian, por edhe më gjerë. Njëri ndër ta është Ilir Sinani, i cili me kompaninë “Sinani GmbH & Co. KG”, pronar i së cilës edhe është, ka arritur të bëhet i njohur në tregun gjerman, falë kualitetit dhe cilësisë së punës që bën.

Iliri nuk është i njohur vetëm me kompaninë e suksesshme të tij. Puna, angazhimi e kontributi i tij përmendet edhe në fusha të tjera, me të cilat njihemi përmes bisedës së tij, tek e zhvilluam këto ditë, përmes së cilës mësojmë sfidat që ai ka kaluar gjatë rrugëtimit të tij e deri te suksesi që tashmë e ka arritur...

 

Ke dy dekada e gjysmë që jeton e punon në Gjermani. Pa dyshim, u kujtohet edhe momenti kur e keni lëshuar vendlindjen. Pse e bëtë këtë?

- Jam i lindur në fshatin Celinë, komuna e Rahovecit. Vendlindjen e kam lëshuar në kohën e represionit serb, sepse kushtet ekonomike u keqësuan shumë dhe ishte vështirë të jetohej. E di se e kam pasur shumë vështirë të merrja vendimin që të largohesha nga familja, nga të afërmit, nga Kosova ime. Por, nuk gjeta zgjidhje tjetër...

 

S’ka dyshim se fillimi në një vend të huaj ka qenë i vështirë. Na tregoni, me pak fjalë: si filluat, çka keni punuar, si dhe angazhimi juaj për të arritur këtu ku edhe jeni sot?

- Në fillim kam punuar në një furrë buke. Aty i kam kaluar afro 4 vjet. Pastaj, i kam kryer disa kurse dhe seminare dhe kam kaluar me punë në një kompani për rregullimin e rrugëve.

 

Tash jeni pronar i një kompanie të madhe dhe të njohur në Gjermani. Jemi në dijeni se keni mbi 30 punëtorë, madje të gjithë shqiptarë. Pse jeni përcaktuar të keni vetëm shqiptarë?

- Jam pronar i kompanisë sime, e cila tash i ka mbi 40 punëtorë dhe të gjithë janë shqiptarë. Dhe, jo vetëm shqiptarë nga Kosova, por nga të gjitha trojet shqiptare. E, në pyetjen pse vetëm shqiptarë, përgjigjja ime është shumë e shkurtër: I them vetit një patriot i vogël. Andaj, edhe dua ta ndihmoj kombin tim aq sa mundem dhe si mundem. Megjithatë, me krenari them se ne, shqiptarët, jemi punëtorë të palodhshëm dhe për këtë na e kanë lakmi të tjerët...

 

Kontributi i juaj në sfera të ndryshme është i madh. Veç ndihmave individuale për shumëkënd që ka nevojë, qofshin individë a familje, veçoheni edhe si përfaqësues dhe donator i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”. Si u lindi ideja për themelimin e kësaj shoqate dhe pse mu emri “Jetimat e Ballkanit”?

- Humanizmi është i mirë çdo herë dhe kudo që e lypë nevoja. Më parë kam marrë pjesë në shumë iniciativa bamirësie të shokëve, miqve dhe të tjerëve dhe kam parë se sa gjë e mirë është të ndihmosh njerëzit që kanë nevojë, që presin t’i ndihmosh. Pastaj, kam filluar edhe vetë t’i ndihmoj ata që kanë nevojë dhe më ka bërë përshtypje mënyra si i ndihmojnë. Në këtë drejtim më ka shërbyer si shembull Halil Kastrati, e që për mua është njeri i mirë, njeri që e çmoj dhe meriton respekt të përgjithshëm. Kështu, edhe jam kyçur në Shoqatën Bamirëse “Jetimat e Ballkanit”. Pastaj, më kanë caktuar përfaqësues për Gjermani dhe e kemi hapur xhirollogarinë po në Gjermani, ku njerëzit e vullnetit të mirë dhe donatorët e kanë edhe më lehtë t’i deponojnë të hollat që i japin për bamirësi.

 

Dhe, puna e aktiviteti juaj nuk ndalet vetëm me kaq. Jeni edhe menaxher dhe anëtar i Kryesisë së Klubit Futbollistik “Fc Kosova” në Mynhen. Cilat janë sukseset dhe rezultatet e këtij klubi?

- Në Klubin Futbollistik “Kosova” jam bashkangjitur si sponsor, pastaj jam kyç në klub si anëtar i Kryesisë, si menaxher dhe arkëtar i klubit. Me këtë rast, lirisht mund të them dhe pa farë ngurrimi se Klubi Futbollistik “Kosova” është ndër klubet më të suksesshme shqiptare në Gjermani. Deri më tash klubi ka fituar shumë tituj e kupa. Andaj, aspiratat tona si klub, por edhe Kryesia e tij, e edhe sponsorët, janë të mëdha. Mendojmë se me kohë do të avancohemi në ligat më të larta gjermane dhe ta përfaqësojmë kombin tonë siç është më së miri, por edhe siç e meriton.

 

Flitet se jeni aktiv edhe në disa projekte të tjera, të cilat kanë të bëjnë me humanizëm. Por, ndihmoni mjaft edhe në fushën kombëtare e kulturore. Na i përmend disa prej tyre?

- Aktivitete kulturore kombëtare dhe sportive kemi shumë dhe është e pamundur t’i përmendim të gjitha në vetëm një shkrim. I kam përkrahur humoristët Qumilin dhe Cimen në 4 komedi deri tash. E kam përkrahur Konsullatën Shqiptare për 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në shenjë të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës kemi organizuar me shokët Lulzim Maliqin, Agron Muharremin dhe Klubin Futbollistik “Kosova” koncert, në të cilin kanë marrë pjesë shumë artistë tanë dhe e kemi ftuar Klubin e Futbollit nga Tërnoci në një ndeshje vëllazërore futbolli. Me këtë rast, synimi kryesor ishte bashkimi i shqiptarëve nga Kosova Lindore me Kosovën Qendrore. Me atë rast u bë një manifestim madhështor, në të cilin morën pjesë shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Zvicër, por edhe në shtetet përreth.

 

Diaspora shqiptare gjatë gjithë kohës ka luajtur një rol historik, ku edhe lufta heroike dhe e armatosur e Kosovës u ndihmua shumë nga ajo. Por, pas lufte, në liri, biznesmenët shqiptarë të diasporës sikur kanë droje të investojnë në Kosovë. Ç’thoni Ju për këtë?

- Diaspora shqiptare ka qenë para, gjatë dhe pas lufte shtylla kryesore e Kosovës. Por, megjithatë, sa i përket investimeve, mendoj se nuk jemi të informuar sa duhet dhe si duhet. E, pse? Këtë nuk e di.

 

Ju, konkretisht, a mendoni për ndonjë investim në Kosovë apo ende nuk janë krijuar kushtet e volitshme për të investuar?

- Unë vazhdimisht jam i preokupuar se si të investoj në Kosovë. Dhe, jo të përfitoj, por që t’u mundësoj punësim të rinjve të Kosovës, të cilët, në pamundësi punësimi, shëtisin poshtë e lart ose rrinë e pinë kafe në restorantet e shumta e me shumë tym duhani. E, a do të mund t’i realizoj synimet e mia do e dëshmoj e ardhmja.

 

Mendoni ndonjëherë të ktheheni në Kosovë për të jetuar dhe biznesin Tuaj ta fokusoni vetëm këtu?

- Kysmet, në Kosovë do të kthehem, gjithsesi. Por kur, do e dëshmoj koha, ndoshta pak më vonë, kur edhe të ndryshojnë paksa gjërat për të mundur të investohet.

 

Dhe, në fund, gjendja juaj familjare?

- Jam i martuar. Jam baba i 5 fëmijëve.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat