Kjo i pret shqiptarët nëse shkojnë për azil në Gjermani

Gjermania

Kjo i pret shqiptarët nëse shkojnë për azil në Gjermani

Më: 3 prill 2018 Në ora: 10:14
Ilustrim

Në një qendër të parë model në Gjermani do të strehohen azilkërkuesit deri sa të sqarohet me saktësi identiteti i tyre e pastaj të vendoset për dëbim apo qëndrim. Çfarë është një qendër ankorimi?

Në qendra të tilla ankorimi do të pritet derisa të trajtohet e gjithë procedura e azilit, prej andej azilkërkuesit duhet të kthehen, në rast se azili nuk u njihet. Nëse kanë shanse të mira qëndrimi ata do të shpërndahen në komunat gjermane. Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer (CSU) tha kjo do të bëhet “kur të kihet qartësi për statusin”.

Ngritjen e qendrave të tilla e kanë miratuar në marrëveshjen e koalicionit si konservatorët e CDU/CSU-së edhe socialdemokratët. Sipas një njoftimi të gazetës gjermane Süddeutsche Zeitung (SZ), përgjegjësia për këto qendra do të jetë kompetencë e policisë federale. Por duket se kjo nuk është shumë e entuziazmuar për këtë.

Zëvendëskryetari i Sindikatës së Policisë, Jörg Radek tha se “mbikqyrja dhe trajtimi i atyre që duhet të largohen nga vendi nuk janë detyra të policisë. Ne nuk trajnojmë policë për të menaxhuar qendra burgimi.” Ai ka dyshim për shkelje kushtetuese, nëse policia federale merret me „vendime që i japin fund leje qëndrimit apo masa të tilla”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer (CSU)Pse qendra ankorimi?

Synimi është që procedurat e azilit të përshpejtohen e të dëbohen më shpejt azilkërkuesit e refuzuar, sipas kërkesës së ministrit Horst Seehofer. Por për studiuesin e migracionit, Jochen Oltmer është e paqartë, se pse kjo nuk bëhet nga strukturat ekzistuese. „Mund të kesh përshtypjen, se ka jo pak dyshime të Ministrisë së Brendshme kundrejt aktorëve të ndryshëm dhe institucioneve që kanë qenë deri më tani përgjegjëse”, thotë Oltmer për Deutsche Wellen.

Oltmer kërkon që ministria të sqarojë, se në ç’formë do të përshpejtojnë qendrat e ankorimit dëbimet. Sepse problemet strukturore mbeten: Marrja e dokumenteve të identitetit të njerëzve që duhet të largohen nga vendet origjinë. Sipas Oltmer kjo ka të bëjë më shumë me arsye politike. Qeveria beson kështu se mund të dobësojë populistët ekstremistë të djathtë dhe „të kthehet në forcën e dikurshme të një koalicioni të madh.”

Çfarë thonë kritikët?

Drejtuesi i organizatës Pro Asyl, Günter Burkhardt, e sheh me sy kritik këtë qendër. „Kjo është fshehja e asaj që synohet realisht, pra t‘i kalosh ata që kërkojnë mbrojtje në procedura jo të drejta.” Azilkërkuesit kështu përgatiten për kthimin. Sipas tij këto qendra janë „të papërshtatshme për një procedurë azili dinjitoze dhe që respekton të drejtat e njeriut”. Këto qendra nuk nxisin integrimin dhe Burkhardt kritikon se„Gjermania më pas ankohet për integrimin e munguar të azilkërkuesve.”

Deri kur e ku do të ngrihen qendrat e ankorimit?

Më së voni deri në vjeshtë do të duhet të fillojë nga puna qendra e parë e ankorimit. Süddeutsche Zeitung citon sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Stephan Mayer, CSU, se ky projekt „do të ndiqet me prioritet të lartë.” Sipas Mayer është logjike që për qendra të tilla të përdoren strehimore ekzistuese. Ai ka parasysh zona në Manching apo Bamberg, ku aktualisht ekzistojnë qendrat e tranzitit.

Ministria e Brendshme bavareze tregohet e hapur për qendra të tilla ankorimi. Sipas një zëdhënësi të saj, qendrat e tranzitit punojnë me sukses sepse aty punojnë së bashku disa institucione si Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët, Zyra Qendrore për të Huajt, Zyra Sociale e një degë e Gjykatës Administrative.

Sipas sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme, Stephan Mayer, federata merr më shumë përgjegjësi, por edhe landet duhet të angazhohen më shumë.

Qëllimi duhet të jetë rritja e qendrave të dëbimit”. 400 qendra dëbimi në të gjithë vendin janë shumë pak, sipas Mayer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat