Veprimtari e suksesshme 10-vjeçare e shoqatës "Sali Çekaj" - Bota Sot
Veprimtari e suksesshme 10-vjeçare e shoqatës "Sali Çekaj"

Gjermania

E hënë, 23 korrik 2018

Veprimtari e suksesshme 10-vjeçare e shoqatës "Sali Çekaj"

Më: 13 mars 2018 Në ora: 14:52
Pamje nga salla

Kam nderin dhe kënaqësinë që para jush, në emër të Kryesisë dhe të anëtarësisë së Shoqates „SALI ÇEKAJ“, t ju përshëndes përzemërsisht dhe falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë 10-vjetor të veprimtarisë së suksesshme, nën emrin e atedhetarit dhe heroit të kombit Sali Çekaj.

Emigrimi, si një fenomen global, për popullin Shqiptar, daton paralel me lindjen e tij. Kjo plagë sa vjetër dhe po aq e re, na ka shoqëruar gjatë  gjithë historisë, si pasojë e pushtimeve, luftërave, dyndjeve. Dhe, besohet që gadi gjysma e popullit shqiptarë, sot jeton jashtë territoreve etnike. Është e vështirë të gjindet një familje shqiptare, e cila nuk është e prekure nga Emigrimi. 

Image
OSMAN FERIZI, kryetar i Shoqatës

Të gjitha ngjarjet historike, kryengritjet e armatosura, themelimi i Alfabetit Shqip, as shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, më 1912 dhe 2008 e pavarësisë së Kosovës, as Lufta e fundit e UÇK, miqësitë me shtetet si Austro-Hungaria, ShBA-së, deri në shtete-ndërtim të dy Shqipërive, nuk do të ndodhnin, pa rolin kyç e vendimtar të Mërgatës shqipetare. Dhe, nuk e teproj, por, pa këtë rol nuk do të sigurohej as egzistenca fizike e shqiptarëve në trojet e veta. Ky rol dhe kjo punë, me pushkë e me penë, kjo atdhedashuri u manifestua përmes organizimit të Kolonive, Klubeve, Shoqërive të organizuara gjithandej, që nga Arbereshët e Kalabrisë, patriotët në Bukuresht, Vjenë, Stamboll, Misir, Boston. Prandaj nga ky Komb liridashës edhe në netët e errëta të historisë së tij, ka dhënë emra të mëdhenj, që kanë ndriçuar rrugën e lirisë, që nga Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Vëllezërit Frashëri, Fishta, Elena Gjika, Kristoforidhi, Bogdani, De Rada e deri te Presidenti Ibrahim Rugova. Disa syrësh u vranë, u helmuan, shkrinë pasurinë e tyre. Një pjesë e tyre vdiqen me mall për Atedheun e robëruar. Pra, MËRGATA Shqiptare ishte hambari dhe ISTIKAMI, në mbrojtje të Shqipërisë Etnike.

Të nderuar pjesëmarrës, sot dy shtetet shqiptare po vuajnë nga një oligarki dhe klasë e papërgjegjshme politike, donkishotë, analfabetë, mediokër, injorantë, e cila erdhi në pushtet, nën flamurin e luftës dhe heronjëve Hamëz e Adem Jashari. Harroi amanetin e deshmorëve, shkeli me dy këmbët mbi gjakun dhe idealet e tyre. Harruan masakrat, gjenocidin, harruan lotin e nënave, motrave, fëmijëve, poshtrimet e dhunimet, egzodin biblik të Bllacës dhe Kukësit, të pagjeturit! Po a ka vend për mburrje nga dikush prej komandantëve, kur nuk mundem t`i mbrojmë nga ajo e keqe, sot, në 10-vjetorin e Ri-shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, jemi shtet në karantinë, tranzicion me krim, korrupsoin të lartë, me shëndetësi dhe arsim të sëmurë, nepotizëm, papunësi, paperspektivë, shëndeti moral i cënuar, ku shitet gjaku dhe trupi, për mbijetesë, ku vritën pabesisht atdhetarë, gazetarë, ushtarakë të vijës Institucionale, ku vetëvritën afër 50 ish-ushtarë të UCK-së, si pasojë e varfërisë të skajshme, kur ikë nga vendi ynë pjesa më aktive dhe intelektuale e shoqësisë, kur vrasësi bëhet deputet apo ministër, kur ish-Komandantët bëhen milionerë pa mbulesë, mbrenda një kohe të shkurtër, ku shteti ligjor është selektiv, ku Kosova po enklavizohet dhe tkurret, ju pyes: a është ky Shteti i ëndrrave dhe idealeve tona?! Kjo klasë politike është bërë Kanceri, Gangrena dhe varri i Kosovës, pa përjashtuar viset tjera ku jetojnë Shqiptarët, pyes: pse heshtë SOVRANI? Edhe çka duhet të ndodhë në atë vend?!

Ne, të nderuar bashkatdhetarë, në këtë kohë të teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik, fëmijtë dhe nipat tanë janë të rrezikuar nga asimilimi, që po na gëlltitë, humbja e gjuhës, kulturës, humbja e traditave dhe shkëputje nga atdheu amë, sepse jemi Mërgata më e anashkaluar, më e harruar, më e shfrytëzuar nga Shteti, shkurt konsiderohemi Jashtëqitje e Kombit. Sot ne jemi pa të drejtë elementare qytetare të drejtën VOTËS, pa përfaqësues në parlament apo ministri, ne nuk guxojmë të heshtim, nuk guxojmë të lejojmë që e keqja të triumfojë. Dhe, duhet fort të punojmë, që mos ta kemi fatin e Kolonive Shqipetare, në periudha të më hershme të historisë. Duhet të kërkojmë dhe punojmë, të ndërtojmë dhe të hapim - Qënder Kulturore Shqiptare - me vetëfinancim, në qendrat e mëdha si në: Mynih, Berlin, Hamburg, Bern, Bazel… Mërgata jonë ka potenciale të mëdha humane, intelektuale, financiare, kulturë dhe shprehi pune perëndimore, me vajza dhe djemë të kualifikuar. Koha nuk na pret, të bëhemi pjese e ndryshimit.

Të nderuar pjesemarrës, bashkatdhetar të dashur, sot jemi tubuar për të festuar së bashku, 10-vjetorin e Shoqatës „Sali Cekaj“, në shenjë respekti, vetëmohimi dhe sakrifice, për veprimtarinë e gjatë politiko-ushtarake,si themelues dhe drejtues i Grupeve Guerile, intelektuali dhe komandanti i fitoreve të mëdha SALI CEKAJ, që me mburrje dhe krenari, Shoqata dhe komuniteti ynë mban këtë emër të madh, dua të shpalos para jush një kronologji të shkurtër. Bashkatdhetarët e ardhur në periudhën e vitit 1991-92, fillimisht, i kryem obligimet shtetërore të 3% përmes komisionit Lokal dhe Aktivit të LDK-së, mbështetëm Shkollën Shqipe, Minatorët e Trepçës, regjistrimin e refugjatëve në qendrat e vendosjes, financuam Fondin e Aahenit, Universitetin e Tetovës, Unionin e Studentëve.

Kemi marrë pjesë në të gjitha protestat e organizuara në Bonn, Bruksel, Rambuje, Bern - organizuar nga Dega e LDK-së për Gjermani, ndihmuam Grupin Gueril në Drenicë të udhëhequr nga Hamez e Adem Jashari dhe Dukagjin, të udhëhequr nga komandanti Sali Çekaj dhe Luftën e Armatosur, (UÇK), këtu kujtoj edhe ata veprimtarë, qe ishin aktiv si: Haki Qatani, Ismet Hoxha, Shpend Morina, Shefqet Qorri, Sami Kelmendi, Kurdi Gashi, Fehmi Zeneli, Bashkim Kurti, Neki Hasani, Izet Rexhepi, Bashkim Muriqi, Ali Foniqi e tjerë. Në nëntor të vitit 1994 themelohet Shoqata Kulturore „F.S. Noli“, drejtues dhe themelues ishte Shemsi Haziri. 

Shoqata Kulturore Humanitare Shqiptaro-Gjermane „SALI CEKAJ“ - themehohet më 16.02.2008, për të ngritur ura bashkëpunimi mes kulturave dhe vlerave tona Kombëtare për të zbuture imazhin dhe përceptimin, që ishte krijuar për ne, që të krijojmë një SOFËR të përbashkët, për të ruajtur dhe mbrojtur gjuhën, kulturën, trungun tonë biologjik, identitetin tonë, integrimin. Kryetar i parë i Shoqatës ishte Mustafë Shala, anëtarët e tjerë të Kryesisë: Shemsi Haziri, Gazmend Dashi, Zymer Zeneli, i ndjeri Sadri Hoxha, Blerim Cakiqi, Azem Daka, Rafet Mehmeti, Naim Haxhijaj, Maxhun Smajli, Selman Syla, Immer Greiqevci, Isuf Qetaj, Ermal Hoxha, Fadil Segashi. Sot, në distancën kohore, që nga 1992, deri më sot, kujtojmë dhe nderojmë veprimtarët e vjetër –veteranët e Mërgatës, si: Daja Adem Thaçi, Mehmet Kokaj, Nikollë Skeli, Demë Qetaj, Hysen Bicaj, Emrush Tafa, Xhafer Leci, Shaban Bobaj, Rexhep Halili, Fazli Kelmendi. Sahit Haziraj, Rashit Nikqi, ..

Të nderuar bashkatdhetarë, familje të dëshmorëve, ju që i dhatë gjak dhe pjesë të trupit Atdheut tonë të dashur, fëmijtë jetimë, ata që mbetën pa kulm mbi kokë, shumëkujt i mungon edhe kafshata e gojës, që jetojnë në mjerimin Migjenian, të cilët shpresuan dhe u sakrifikuan, që lirinë e fituar ta ndajmë, gëzojmë dhe ndiejmë së basku. Andaj, ne, si Shoqatë, si shumë shoqata të tjera, paralel aktiviteteve të shumta kulturore, informative, sportive, vendosëm të punojmë edhe në aspektin humanitar, që këtyre familjeve fatkeqe, pa fajin e tyre, të harruara e të lëna anash nga shteti ynë, t`ua kthejmë shpresën dhe lumturinë e humbur, që fëmijtë e tyre të jenë të lumtur, si fëmijtë e tjerë, të cilët i kishin kthyer sytë dhe shpresat tek Mërgata. As për ne nuk është e lehtë, që të shtrijmë dorën e lypsit, për familjet në nëvojë. Kjo arrihet vetëm atëherë kur ne, vetën tonë, e shohim si ata dhe marrim me vete një pjesë te vuajtjeve. Dhe, tek atëherë zgjasim dorën për ndihma.

Këto suksese që sot po i shpalosim, janë meritë dhe suksesi i juaj, falë bujarisë, shpirtit të bardhë dhe human, që keni treguar në mbështetje të projekteve tona, transparencës, sigurisht që edhe suksesi nuk do të mungojë. Si gjithëherë, është dëshmuar se shqiptarët janë të bashkuar me zemër, shpirt, solidaritet, dhembje dhe gëzime, pa dallime fetare e krahinore. Projekti i parë që filluam ishte Tropoja e Malësisë të Gjakovës, ku ndërtuam shtëpinë e parë në fshatin Hoxhaj, të Ilaz Hoxhës, shtëpi-strehë e armatimeve dhe ushtarëve të UCK-së. Pastaj, në Deçan-fshatin Ratishë, Nimon Arifaj, ish-ushtar i UÇK-së dhe i plagosur; në Kaçanik, fshati Semajë për Jeton Hasanin, ish-ushtar i UÇK-së. Vazhduam me ish-ushtarin e orëve të para, i plagosur dy herë, bashkëluftëtarë i Sali Çekaj dhe Anton Qunit – Xajë Qelaj.

- Renovuam shtëpitë e disa familjeve skamnore dhe ish-ushtarëve të UÇK-së: Prizren, Lumbardh, Broliq, Drenicë dhe Velipojë.

Ndamë mjete materiale për shumë familje skamnore dhe familje të dëshmorëve dhe martirëve në komunat e Deçanit, Suharekës, Prizrenit, Pejës,Vushtërrisë, Shkup, Preshevë, Velipojë, Drenicë, Kamenicë, Gomsiqe të Pukes-në një shkollë.

-Organizuam nji tubim Informativ me qytetarë, pushtetin lokal, me të gjitha besimet fetare në Pfaffenhofen, në mars të vitit 2008, ku u fol për jeten dhe veprën e Nënës Tereze, nga biografi dhe kleriku atdhetar, Dom. Lush Gjergji,

-Ndamë mjete te caktuara për shërimin e ish-ushtarëve të UÇK-së dhe të tjerë,

-Ndihmuam në ndërtimin e Katedralës „NËNA TEREZE“ në Prishtinë.

-Organizuam tryeza Informative me palën Gjermane me tema: "Besimet dhe Toleranca fetare vëllazërore ndër-shqiptare", referues klerikë të besimeve përkatëse dr.Qami dhe…

-Përfaqësohemi me dinjitet në Këshillin e të huajve dhe në Shoqatën Internacionale, nga vëllai i ynë lezhjanë, Ardian Ndreka,

-Organizojmë Turnire të përmotshme tradicionale të karakterit humanitar.

-Grupi i Vallëtarëve të fëmijëve, i cili  vepron në kuadër të Shoqatës, që është nderi dhe pasqyra e Shoqatës, prezantohen dhe ftohen në festa të qytetit, shkollave dhe festa Fetare dhe natyrisht ne festat tona Kombëtare.

-Penguam propagandën shpifëse dhe shovene të Shoqatës Serbo-Sllave, e cila vepron ne Pfaffenhohen, me argumente të dëshmuara para publikut vendorë, gjermanë të mashtruar.

-Festuam 93-vjetorin e lindjes të akademik Mark Krasniqit, i cili u ndie shumë i nderuar

-Shoqata „Sali Cekaj“ bënë homazhe të përmotshme, në nderim të dëshmorëve të lirisë, që nga Kosharja Legjendare, Prekazi, Deçani, Duboviku,,,

-Nji respekt dhe meritë të veçantë kanë edhe gratë dhe motrat tona, të cilat me gatimet e tyre tradicionale, kanë kontribuar në fondin e Shoqatës, si dhe duke i prezentuar në festat e qytetit.

- Dhe, në fund, ajo që na bënë të ndihemi krenarë, kulmi i veprimtarisë sonë, pasqyra, pasaporta, ajo që paraqet identitetin tonë, është vendosja e Shtaores së NËNËS-Shen Tereza në qytetin tonë, e cila u bë banore shpirtërore e pamore dhe motiv për punë, angazhim, humanitet dhe tolerancë, si dhe“ NATA SHQIPTARE“ e organizuar në qendër të qytetit, me këngëtaren e mirënjohur EDA ZARI, Shoqatën „17-Shkurti“ nga Badeni i Austrisë, me kryetar Tahir Turkaj. Grupi i Vallëtarëve të kësaj Shoqate, mahniti publikun shqiptarë dhe vendorë.

Në këtë 10-vjetorë, një falenderim i veçantë shkon për njerëzit e penës dhe kamerës, të cilët aktivitetet e Shoqatës „Sali Cekaj“, i prezantuan para opinionit publik, duke ia bërë me dije se emri i SALI ÇEKAJ është aktiv, si në ditët e paqës, luftës dhe vazhdon të jetojë përjetësisht, këta janë: gazetari dhe veprimtari Idriz Zeqiraj, Maxhun Smajli, gazetari dhe moderatori Hajriz Mamaj, Halil Rrustemaj, zonja Elizabet Steinbüchler, TV -Ingolstadt, BRD, Idriz Morina, Radio Fontana-baca Zeqë, Islam Haxhiu, Zek Sinanaj, RTK, TV- Rrokum, TV21, TVSH , qe sot i kemi prezent: kamermanin Agim Kuri dhe gazetarin Kliton Nesturi, të cilët, me profesionalizëm të lartë kryejnë punën e tyre.

Të dashur pjesëmarrës, veprimtarë, donatorë, artistë e poete, 10-vite punë me emrin e Sali Cekaj, përkundër modestisë sone, ato janë të prekshme këtu dhe në trojet Shqiptare. 10-vite jetë, dashuri dhe dëshmi në mbështetje të kulturës, humanizmit. Fjalën time po e mbyll me një thënie të Shen Terezës, për t´i lënë radhën programit në vazhdim e, pse jo, edhe dikujt nga mysafirët, që dëshiron të thotë ndoca fjalë, për këtë ditë të shënuar: 

„ Nëse lluksi na rrethon, ne humbim shpirtin.

Ne duhet të jemi të aftë t´i duam të varfërit,

nëse vetë e njohim varfërinë,

atëherë edhe ne do të jemi te varfer“.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test