Mëvehtësimi i Kosovës, shpresë e bashkimit

Gjermania

Mëvehtësimi i Kosovës, shpresë e bashkimit

Nga: IDRIZ ZEQIRAJ Më: 2 mars 2018 Në ora: 12:35
Pamja nga salla festive

Shqiptarët e Kosovës, në përdorimin e flamurit, vazhdojnë të mbesin të dyzuar. Flamuri Kombëtar, kudo, jashtë jetës institucionale, është parësi absolute. Por, edhe pse me hezitim, gjithnjë e më shumë, po përdoret edhe flamuri shtetëror i Kosovës. Në organizimet festive apo përkujtimore, në Mërgatë, zakonisht, shpalosën të dy flamujtë e, herë-herë, edhe Flamuri i Dardanisë, i ideuar nga  Presidenti Hyjnor, Dr. Ibrahim Rugova. Laramani dëgjohen edhe intonimet e hymneve, që përfaqësohen nga flamujtë përkatës.

Shoqata Kulturore Sportive e Humanitare, "Dardania", në Mannheim të Gjermanisë, me kryetar Naser Hoxha, organizoi shënimin e 10-vjetorit të Mëvehtësisë të Kosovës, mëvehtësi që ka ngjallur shpresat e bashkimit kombëtar, për të mos e tepëruar, ndoshta, edhe të Etnikumit shqiptar, gjithnjë në kuadrin e zhvillimeve historike dhe të zgjërimit të Bashkimit Evropian. Intonimi i Hymnit Kombëtar dhe atij shtetëror, sinjalizoi hapjen e manifetimit. 

Moderuesit e këtij programi festiv, ishin, paksa më të veçantë se herave tjera: Herolindë Metaj nga Kërnina e Istogut, mbeti bonjake, jetime kur ishte vetëm dy vjeçare, policia serbe ia vranë babanë. Të njëjtin fat pati edhe moderatori tjetër, Arianit Ademaj, nga Zabllaçi, babai i të cilit, Ismeti, ushtar i UÇK-së, u vra në luftim e sipër. Që të dy vazhdojnë studimet në universitetet vendore, gjermane. Moderatorët në fjalë, u dëshiruan mirëseardhje, në këtë organizim festiv - kulturor, në kuadër të vitit jubilar, 10 vjet Kosova - shtet, njëherit, viti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, 550 vjetori i vdekjes së tij. Ata, radhazi, përshëndetën të pranishmit dhe mysafirët pjesëmarrës, në këtë mbremje festive, në emër të Shoqatës "Dardania":

Image
Nga e majta: Tefik Ramadani, Mariana Bader, Cen Yalcin Kaicja, Naser Hoxha

Përshëndesim zotëri Claus Preißler, përgjegjës për integrimin dhe migracionin në Mannheim dhe bashkëpunëtorin e tij, zotëri Cen Yalcin Kaicja; zonjen Mariana Bader, kryetare e SPD, në Mannheim; Konzullin e Republikës të Kosovës, në Stuttgart, z. Arjan Kashtanjeva, Konzulin Besnik Miftaraj; zyrtarin e qytetit të Stuttgartit, Hamdi Ahmetaj; kryetarin e bisneseve shqiptaro-gjermane, Bekim Brestovcin, kryetarin e Lidhjes Shqiptare në Gjermani, Sebastian Nuiqi; kryetarin e LDK-së në Bavari, Idriz Zeqiraj; nënkryetarin e Degës të LDK-së, në Gjermani, Abaz Imeri; kryetarin e Shoqatës "Nëna Tereze", në Göppingen, Jahja Gashi; kryetarin  Shoqatës "Pavarësia", Xhevdet Syla dhe ish-kryetarin, Baki Mustafa; bokserin e njohur kosovar, Kamer Maloku; Kujtim Metaj, Firma "FTM GmbH" dhe sponsor kryesor i këtij organizimi: Mentor Gashi nga Firma "Reifen Gashi"; këshilltarin e qytetit në Mannheim, Tefik Ramadanin; administratorin e faqes së njohur, -Kosovarimedia-, Muhamet Hoxha, Veprimtarin dhe gazetarin e sportit, Halit Neza; fotografën e talentuar, Katarina Greisser.

Image
Ansambli artistik "Pavarësia" dhe mysafirët e Shoqatës "Dardania", në Mannheim

Moderatorja fton në foltore kryetarin e Shoqatës "Dardania", z. Naser Hoxha, për të paraqitur referatin "Kosova shtet 2008-2018": "Të nderuar bashkatdhetarë, zonja dhe zotërinj, mirë se keni aurdhur në festën tonë, në 10-vjetorin e shtetit të Kosovës. Ne shënojmë këtë përvjetor, me dëshirën e madhe për një të ardhme më të ndritur, për të gjithë shqiptarët, me dëshirën për ruajtjen e gjuhës, dokeve dhe zakoneve tona, nga ne mërgimtarët, që jetojmë me mallin e atdheut. Andaj, për asnjë çast nuk duhet harruar sakrificën, që bënë bijtë më të mirë të popullit tonë, për ta çliruar Kosovën, nga pushtuesi dhe për të na sjellur lirinë, të cilën ne sot e gëzojmë.

Në çdo përvjetor, ne përkujtojmë me mburrje e krenari ideatorin dhe arkitektin e pavarësisë, prijësin tonë historik, Presidentin e nderuar, Dr. Ibrahim Rugova, sakrificën e komandantëve Hamëz dhe Adem Jashari dhe qindra e mijëra luftëtarëve të lirisë, të cilët ranë, për çlirimin e Kosovës, për t`u bërë të pavdekshëm. Diaspora shqiptare në Gjermani ka qenë krah i fortë i popullit të Kosovës, në përpjekjet titanike për liri dhe pavarësi, si dhe burim frymëzimi për të tjerët. 

Ju, të dashur bashkatdhetarë, formësuat idenë, aktivitetet, veprimet politike, diplomatike, kulturore, financiare, aksionet e deri te lufta e UÇK-së. Tani kur jemi të lirë dhe të pavarur dhe po shënojmë 10-vjetorin e pavarësisë së Republikës të Kosovës, duhet të jemi të privilegjuar, si brez që arritëm lirinë dhe pvarësinë. Por, njëkohësisht, duhet të jemi përgjegjës, për rolin që kemi, si bartësit e institucioneve qeverisëse, për brezat që sakrifikuan për ne dhe për brezat që vijnë, për të ndërtuar institucione të qendrueshme e demokratike; ekonomi të zhvilluar, arësim cilësorë, shëndetësi të avancuar, mirëqenie për secilin qytetar, qarkullim të lirë e pakufizime, si pjesë integrale e familjes së madhe të Bashkimit Evropian dhe të strukturave Euro-Atlantike.

Diaspora shqiptare në Gjermani mbetet ura më e fortë lidhëse në mes të Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Gjermania ka qenë dhe mbetet një vend mik i shqiptarëve. Populli shqiptar shpreh respektin  dhe mirënjohjen për popullin mik gjerman. Qofshim gjithmonë bashkë dhe unik në shtet-ndërtimin e Kosovës tonë", - tha, ndër të tjera, kryetari Naser Hoxha.

Moderatori Arianit Ademaj ftoi Konsullin e Republikës të Kosovës në Stuttgart, z. Besnik Miftaraj, për një fjalë rasti. Ai  përshëndeti organizatorët e këtij manifestimi: Shoqatën "Dardania" dhe Shkollën shqipe "Shote Galica", në Mannheim si dhe të pranishmit, në emër të Konzullit Arjan Kashtanjeva, në emrin e tij personal dhe të stafit tjetër diplomatik. "Kemi ardhur të festojmë dhe gëzojmë së bashku 10 vjetorin e pavarësisë. Kosova ka pasur shumë sfida, por nuk u ndal se luftuari për liri. Lëvizja paqësore gjatë viteve `90-a, sensibilizoi botën ndërkombëtare. Një kthesë historike bëri UÇK-ja me Adem Jasharin me shokë. Bota e civilizuar mbështeti Kosovën,  me sulmet ajrore të NATO-s.

Populli i Kosovës është falenderues NATO-s, SHBA, Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Francës, për ndihmën e çmuar të dhënë Kosovës, popullit të saj. Bisedimet në Vjenë, të cilat i udhëhoqi ish-Presidenti norvegjez, Ahtisari, sollen edhe qëllimin final të pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Deri sot Kosovën e kanë njohur 117 shtete, ndër to shtetet më të fuqishme demokratike të botës. Gjatë dekadës së parë Kosova ka vënë gurëthemelet e një shteti demokratik, duke u rreshtuar përkrah shteteve mike. Është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare, politike, ekonomike, kulturore dhe sportive.

Dekada e dytë do të jetë ajo e zhvillimit ekonomik dhe miqëqenies qytetare. Gjermania si shtet mik, i doli në ndihmë popullit tonë në momentet më të vështira. Kjo falë edhe juve, bashkatdhetarë, kontributit për Kosovë, që jeni shëmbull i integrimit. Kjo na thuhet edhe ne takimet e rregullta me zyrtarët gjermanë. Vazhdoni integrimin në shoqërinë gjermane, në arsim, ekonomi, politikë dhe jetën shoqërore. Dërgoni fëmijtë tuaj në shkollat shqipe, pasi kjo forcon personalitetin e fëmiut dhe ruan identitetin dhe zvogëlon mundësitë e asimilimit. Lavdi dëshmorëve të kombit! Gëzuar nga Unë, biri yt Kosovë", e mbylli fjalën e tij, me vargun e poetit zëmirë Ali Podrimja, Konzulli Besnik Miftaraj.

Në emër të palës gjermane, manifestimin e përshëndeti kryetarja e SPD, në Mannheim, Mariana Bader. Ajo vlerësoi lart komunitetin shqiptar në këtë qytet të madh dhe universitar. Ajo shprehu ndjenjat e simpatisë për popullin shqiptar, për rrugën e ndjekur, deri te fitorja e pavarësisë. Shqiptarët po integrohen gjithnjë e më shumë në jetën dhe shoqërinë gjermane. E kuptojmë edhe tranzicionin e gjatë të Kosovës të pas luftës. Por, duhet angazhim e punë përkushtuese, për të rritur efikasitetin e shtetit ligjor. Rrugëtimi jonë në këtë qytet, është i përbashkët, prandaj jemi të hapur për bahkëpunim të suksesshëm, tha veç tjerash, politikanja gjermane, z. Mariana Bader. Kryetari Naser Hoxha e nderoi zonjen Bader dhe zotëri Kaicja me emblemën e Shoqatës "Dardania".

Në emër të LDK-së në Bavari dhe të Shoqatës "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen, përshëndeti Idriz Zeqiraj. Ai ftoi rininë shqiptare, në Manheim dhe rrethinë, të bëhen pjesë e Shoqatës "Dardania", pavarësisht nga përkatësia partiake, sepse kështu do të begatohej kjo Shoqatë e zëshme kulturore, sportive dhe humanitare. Në këtë mjedis jeton një komunitet i shumtë shqiptarësh, andaj, përfshirja e të rinjëve në organizimet e ndryshme, është në dobi të vetë komunitetit.

Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Gjermani, z. Sebastian Nuiqi, duke përshëndetur të pranishmit, foli për datat e shënuara historike përgjatë këtij viti. Përveç 10-vjetorit të shpalljes të pavarësisë të Kosovës, këtë vit përkujtojmë edhe 550-vjetorin e vdekjes të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu si dhe përvjetorë të tjerë.

Me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe Bekim Brestovci, kryetar i Unionit të bizneseve shqiptaro-gjermane; këshilltari në qytetin e Mannheimit, mjeku defektolog, Tefik Ramadani.

Image
Ansambi artistik "Pavarësia" në vallëzim

Moderatorja Herolindë Metaj fton mësuesen Hatixhe Ramadani, për ta shfaqur programin me nxënësit e Shkollës shqipe "Shote Galica", në Mannheim. "Urim nga zemra", është poezia e parë e recituar nga Diana Salihu. "Gjuha shqipe", e recituar nga Zamir Murtezai. "Abetare, Abetare", reciton Ameli Salihu. Pastaj, në grup, nxënësit këndojnë këngën "Sot festojmë", kushtuar pavarësisë. "Toka jonë", një recital i interpretuar nga nxënësit: Jeta Trepça, Blerona Mehmeti, Suela Kelmendi, Erion Muçulli dhe Rinor Dervishaj. "Vallja e Pavarësisë", recituar nga Vigan Buzuku, mbyllë programin e Shkollës shqipe.

Për ta begatuar dhe nderuar manifestimin e 10-vjetorit të pavarësisë, në Mannheim, kishte ardhur Ansambli numerik e cilësor, nga Shoqata "Pavarësia" në Stuttgart, i kryesuar nga kryetari Xhevdet Syla dhe ish-kryerari Baki Mustafa. Ansambli "Pavarësia", u prezantua me disa valle tradicionale shqiptare: Vallja e Pavarësisë, Vallja e Mërgimtarit, Vallja e Drenicës. Përformanca e shkëlqyer e këtij Ansambli artistik, mrekulloi të pranishmit. Përgaditja shumë profesionale dhe me shkathtësi të rrufeshme, mbresoi dhe mahniti publikun. Shoqata ndau një - Mirënjohje - të veçantë për ish-kryetarin Baki Mustafa.

Image
Nga e majta: Nexhat Osmani, Remzije Osmani, Idriz Zeqiraj

Në shumësinë enorme të publikut, në manifestimin e 10-vjetorit të pavarësisë të Rpublikës së Kosovës, padyshim, meritorë janë edhe motër e vëlla, Remzije dhe Nexhat Osmani. Ky duet i këngës, është i papërsëritshëm në harmonizimin e zërit, në paraqitjen skenike, në edukatën supreme familjare dhe shoqërore, që manifestojnë në jetën e tyre të përditshme. Dëgjoni bisedën e bërë ke emisioni "Lemza", të Kiti Rrahmanit dhe do të bindeni, madje, pa fakte shtesë. Kishte kaluar mesnata dhe njerëzit "harronin" që u bë boll. Binomi Osmani nuk jipte asnjë shenjë përtese e lodhjeje, edhe pse kishin kaluar shumë orë aktive në skenë, me kengë.

26 vjet më parë, kisha takuar Remzije Osmanin në Tiranë. Ishte në shoqërim të bashkëshortit, Halilit dhe të çiftit Shkute Fejza e Hajrush Behluli. I kishte lodhur rrëmuja monotone e kohës dhe më propozuan të udhëtojmë për në Kukës, mysafirë. Unë kisha sjellur një karvan kamionash me ndihma për Shqipërinë dhe nuk largohesha dot nga Tirana. Por, propozova një vizitë, për relaksim, në një familje tiranase. Pa asnjë paralajmërim, trokitëm në derën e shtëpisë. Pritje e përzemërt, ashtu siç dinë të presin vetëm shqiptarët e Shqipërisë londineze. Shkuam për kafe, por na shtruan darkë.

Përfitova nga një pauzë dhe në anësoren e skenës, takova Remzijen me vëllanë Nexhatin. - Kemi ndejur ke një nuse me dy plaka në Tiranë, - i thashë unë. "-Po, në vitin 1992",- çuditërisht, lehtas u kujtua Remzija. Me dadën Fazë, i kishim nënat tezake. Asaj nate ishte mysafire ke vajza nuse. Ishte lindur, në ikje e sipër, ne malet e Tropojës, në vitin e largët 1928. Tre anëtarë të familjes ia vranë kolonët serbë, ndërsa babain e saj e përshkoi plumbi poshtë syrit të djathtë dhe i doli në qafë. Fatlumërisht, mbijetoi. Dadës Fazë pas 18 vitesh martesë, i lindi fëmija i parë, djalë. Ngultas shikonte Remzijen. E donte nuse shtëpie. "Koka e bukur dhe me marifet. A po hynë mësit",- më tha, me zë të ulët, dada Fazë.  Këtë ia kujtova vajzës artiste dhe fisnike të Mushëtishtit. Dhe, bëmë disa fotografi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat