Pavarësia datë parësore historike

Gjermania

Pavarësia datë parësore historike

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 1 mars 2018 Në ora: 06:34
Grupi artistik nga Ingolstadt-i me Vallën e Pavarësisë

Mërgata shqiptare respekton fort datat historike kombëtare. Ajo duke qenë e organizuar në Shoqata, Klube kulturore e sportive si dhe në parti politike, shënimin e festave kombëtare, pavarësisht se kush e organizon, i feston së bashku, pa ju dhënë ngjyrime politike. Kështu ndodhi edhe me organizimin e datës të shënuar historike, pavarësinë e Kosovës, nga Nëndega e LDK-së në Mynih, por, pjesëmarrja ishte hetorogjene, pra, ishin komuniteti shqiptar lokal dhe më gjerë, me një gjeografi prej tej 100 kilometrash largësi.

Manifestimi u hap me intonimin e Hymnit Kombëtar dhe të Dardanisë, për pasuar me vallën "Pavarësia", e luajtur nga Grupi Artistik i Shoqatës Shqiptaro-Gjermane, nga qyteti i Ingolstadt-it, i ardhur enkas, për ta begatuar e hijeshuar festën, për të gëzuar së bashku me simotrat dhe sivëllezërit e tyre, që jetojnë në Mynih, Starnberg, Pfaffenhofen, Rosenheim dhe gjetkë në Landin e Bavarisë.

Image
Pamje nga salla

Nënkryetari i Nëndegës të LDK-së, në Mynih, i cili, njëherësh, është edhe nënkryetar i Shoqatës Kulturore Humanitare "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen, Blerim Cakiqi, e shpalli të hapur manifestimin. Ai i përshëndeti të pranishmit, ndërsa disa nga mysafirët i përmendi me emra, në mes tjerëve: Idriz Zeqiraj, kryetar i LDK-së në Bavari; nënkryetarin e sekretarin, përkatësisht, Nikollë Skelaj e Mehmet Kokaj; Nëndegën e LDK-së, në Starnberg, me kryetar Musa Hamzaj; kryetarin e LDK-së në Bavari, Nëndegën e LDK-së, në Landau an der Isar, me kryetar Tefik Jaha; Qendrën Kulturore "Rilindja", në Mynih, me kryetar Bekim Gërvalla; Shoqatën "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen, e përfaqësuar nga Shemsi Haziri; Shoqatën "Abeja" (Bekim Berisha), në Moosburg, me kryetar Xhemajl Hoxha; Shoqatën "Shqiponja", nga Rosenheim-i, e përfaqësuar nga Ibrahim Hoxha; veprimtarët veteranë: Hysen Bicaj, i ardhdur nga Nürnberg-u, Demë Çetën, Fazli Gashin, Nezir Halilin, Isa Bilallin, Veli Gërvallën si dhe Ramadan Shemën, i cili, edhe pas pensionimit, kishte ardhur për të festuar me kolegët e tij mërgimtarë.

Image
Blerim Cakiqi, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së, në Mynih

Nënkryetari, Blerim Cakiqi, i cili bëri edhe moderimin e kësaj mbremje festive, ftoi në foltore kryetarin e LDK-së, për Bavari, Idriz Zeqiraj. Ai foli për rrjedhat historike një shekullore, deri në shpalljen e pavarësisë të Republikës të Kosovës. "Padyshim se shpallja e pavarësisë është ngjarja më e madhe historike pas pavarësisë të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorën e Flamurit dhe çlirimit të Kosovës, nga forcat ushtarake të NATO-paktit, më 12 qershor 1999. Përgjatë një shekulli, janë bërë shumë përpjekje për lirinë e Kosovës. Shqiptarët kanë vuajtur shumë qindra vjet burgjeve; janë torturuar e maltretuar burgjeve të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe të Kosovës. Janë flijuar në luftime të pabarabarta, në mbrojtje të kufijëve të Etnikumit shqiptar si dhe brenda Kosovës. 

Hapi cilësor, drejt pavarësisë të Kosovës, u bë në vitet `90-a. Populli i Kosovës, i udhëhequr nga vizionari, burrështetasi i pashoq, që nga Gjergji ynë, Dr. Ibrahim Rugova, bëri unifikimin shpirtëror e mendor të shqiptarëve. Si udhëheqës shpirtëror e faktik i Kosovës, nismoi me krijimin e institucioneve paralele e, deri në themelimin e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, nga e cila doli UÇK-ja, gjithnjë me trinomin Liri, Pavarësi, Demokraci", - tha, veç tjerash, folësi Zeqiraj.

Në vijim, moderatori Cakiqi, ftoi në skenë Grupin Artistik të Shoqatës Shqiptaro-Gjermane, nga Ingolstadt-i, i cili, mjeshtërisht, përformoi edhe tri valle: Valle Kosovare, Moj e rritur në Kosovë, e prirë nga Kaltrina Kelmendi dhe Vallën me tupana. Publiku i priti me ngrohtësi dhe i duartrokiti gjatë, vajzat dhe djemtë artistë. Ky grup artistik udhëhiqet nga çiffti Haki Zekaj dhe Fatime Muriqi-Zekaj, prej tej një dekade. Dhe, e gjithë kjo punë bëhet në baza vullnetare. Ata mbulojnë një zonë, me aktivitete kulturore përtej 100 kilometrave përrreth. Janë të papërtuar dhe shumë vullnetmirë, për t`i shërbyer komunitetit shqiptar.

Ibrahim Hoxha, nga Shoqata Kulturore "Shqiponja", në Rosenheim, recitoi krijimin e tij poetik: "Në trojet tona të lashta ilire":

"Një legjendë është populli im,
i djegur si guri i plasur në flakë.
Dhe prap i blertë, 
si sythi i lulës së parë".

Moderatori Blerim Cakiqi fton në foltore ish-ushtarin e Kosharës, Isuf Qetaj, kryetar i Nëndegës të LDK-së, në Mynih, i cili përshëndeti pjesëmarrësit në manifestim dhe i uroi ata, për përvjetorin e 10-të të pavarësisë së Kosovës. Në emër të Kryesisë, u ndau Mirënjohje veprimtarëve të dëshmuar, në aktivitete shumëvjeçare të LDK-së, në Mynih dhe qytetet përrreth. Ai foli për palodhshmërinë e tyre ndër vite e dekada, jo vetëm në kuadrin partiak, por edhe të nismave tjera, siç janë organizimet për ndihma dhe fonde, si nevojë e mbijetësë të popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë në Shqiptari.

Image
Në foto: Të nderuarit me - Mirënjohje -, valltarët dhe udhëheqësit artistik, çifti Haki dhe Fatime Zekaj

Me Mirënjohje u nderuan: Xhemajl Hoxha, Bashkim Leci, Ramadan Desku, Shaqir Bushati, Halil Blakaj, Demë Qetaj, Mehmet Zymeri, Naim Gashi, Mehmet Kokaj, Fazli Kelmendi, Bekim Gërvalla, Xhevdet Muriqi, Agim Osmani, Fazli Gashi, Gani Batatina, Osman Ferizi, Fehmi Zeneli, Blerim Cakiqi, Brahim Gërvalla, Daut Beqiraj, Nikollë Skelaj, Hysen Bicaj.

Programi festiv vazhdoi me këngë dhe valle masive të mërgimtarëve. Të pranishmit i argëtuan këngëtarët Vehbi dhe Fjolla Berisha, babë e bijë si dhe Aliu me tupan.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat