Gjakova përplot bukuri e lashtësi

Gjakova

Gjakova përplot bukuri e lashtësi

Më: 23 qershor 2018 Në ora: 11:28
Gjakova

Qytet i vjetër e me shumë mundësi turizmi.

Kjo është Gjakova. Për të filluar nga pika me e njohur, ajo e Kodrës së Çabratit.

Ky vend paraqet një përmendore të rëndësishme kulturore historike, ku u zhvilluan beteja të armatosura gjatë gjithë historisë së Gjakovës deri në luftën e fundit të UÇK-së dhe përmendore natyrore rekreative, ku gjakovarët zbaviteshin gjatë gjithë historisë.

Është simbol i qytetit të Gjakovës dhe qendër e rëndësishme, ku qytetarët kanë mundësi  për rekreacion dhe argëtim – ecje, vrapim, çiklizëm.

Është një pejzash i bukur kodrinor me pamje nga Alpet Shqiptare, maja e Pashtriku dhe malet e Sharrit.

Florë të pasur, Tyrbe, ushqime tradicionale e shumëçka tjetër.

Po ashtu këtu gjendet kompleksi i varrezave të martirëve të luftës së UÇK-së.

Është edhe Kompleksi – Parku Memorial Çabrati, gjendet në pjesën perëndimore të qytetit të Gjakovë.

Në këtë kompleks, ekziston e ndërtuar përmendorja Eshtërorja e cila është si pikë  indentifikuese, pjesërisht e ndërtuar sipas projektit kryesor.

Komuna e Gjakovës e sheh këtë Memorial ndër projektet kryesore të qytetit.

Kalojmë te Ura e Fshejtë.

Është zonë e mbrojtur natyrore në kanionin e Drinit të Bardhë dhe është monument natyre me karakter hidro-gjeomorfologjik.

U shkatërrua tërësisht gjatë Luftës së Parë Botërore. Më 1942 u rindërtua nga Simonseni i Italisë. Ura së bashku me kanionin e Drinit të Bardhë është nën mbrojtjen e ligjit që nga viti 1986. Është dëmtuar përsëri në kohën e Luftës Çlirimtare të Kosovës, nga ana e forcave serbe mirëpo këto dëme i evitoi KFOR-i italian.

Ura e Fshenjtë është ndërtuar mbi kanjonin dhe është e gjatë 70 m. Thellsia prej harkut deri te shtrati i ujit është 30 m.

Gjakova ka qenë e populluar që në epokën pre-historike. Në vitin 1485, Gjakova përmendet si fshat, konkretisht si një vend tregu.

Gjakova ka shërbyer si një qendër tregtare në rrugën ndërmjet Shkodrës dhe Stambollit.

Qyteti i vjetër i Gjakovës ishte një nga qendrat më të zhvilluara të tregtisë gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Ballkan.

Një dëshmi e kësaj periudhe është zona e Çarshisë së Madhe (ose, thënë ndryshe, Pazari i Madh), e cila gjendet në qendër të qytetit të vjetër, dhe përmban shumë dyqane, ndërtesa banimi si dhe restaurante.

Gjakova përmendet si një qytet për herë të parë në vitin 1662, nga udhëtari osman Evliya Çelebi, i cili e përshkroi atë si një qytet i vogël tërheqës i përbërë prej 2.000 shtëpive, të gjitha të ndërtuara nga guri duke përfshirë çati dhe kopshte.

Çarshia e vjetër

Kjo Çarshi me dyqane të vogla prej druri, që prej shekullit të 16-të, nëse jo më herët, ka qenë qendër e zejtarëve dhe zanatlinjve të ndryshëm.

Me një strukturë orientale me rrugë të përdredhura, e cila spontanisht lidh lagjet e ndryshme, ajo frymëzon çdo arkitekt. Përfshin një hapësirë prej rreth 35,000 m2, së bashku me rrugën kryesore, e cila është më e gjatë se 1 km. Nga prespektiva e arkitekturës, kjo çarshi paraqet një strukturë interesante e njohur me modelet më të bukura të arkitekturës tradicionale.

Liqeni i Radoniqit është një liqe artificial në komunën e Gjakovës. I krijuar në vitet e '80-ta, liqeni mori emrin e fshatit i cili u përmbys për krijimin e tij.

Radoniqi furnizon me ujë rreth 214.000 banorë të qyteteve të Gjakovës dhe Rahovecit si dhe fshatrave përreth. Ai po ashtu përdorët për ujitjen e 10,500 ha tokë.

Me një sipërfaqe prej 5.62 km2, Radoniqi zë vendin e dytë në Kosovë për nga sipërfaqja. Kapaciteti i pendës është 113 milion m3, që për momentin lejon furnizim të arsyeshëm me ujë gjatë tërë vitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat